Ligji për turizmin, çfarë do të miratohet në kuvend?

redaktor

Ligji i ri për Turizmin pritet të miratohet këtë javë në Kuvend.

I dërguar për diskutime që në fund të muajit mars, do të jetë seanca e fundit e sesionit kuvendor që do të bëjë të mundur miratimin e këtij ligji. Çfarë parashikon projekti i ri? A do të bëjë të mundur ai që ky sektor të marrë një zhvillim tjetër aq të nevojshëm për t’u bërë konkurrent me rajonin? Në draftin e nisur fillimisht janë bërë ndryshime të rëndësishme që kanë të bëjnë jo vetëm me turizmin si promocion, por me turizmin si një sektor real që duhet të japë efekte reale në ekonomi.

Kështu referuar draftit të shqyrtuar në Kuvend, parashikohet ngritja pranë prefekturave të komiteteve rajonale të zhvillimit të turizmit dhe shkrirja e Zyrës së Shërbimit Turistik, pasi ka rezultuar një strukturë jofunksionale, me detyra të paqarta dhe të njëjta me struktura të tjera të turizmit. Gjithashtu, parashikohet ngritja e degëve territoriale të shërbimit të turizmit, me bazë qarku, si strukturë administrative e ministrisë përgjegjëse për turizmin, me qëllim koordinimin e punës në terren.

Sa i përket investimeve, ligji i ri parashikon kushte favorizuese dhe lehtësi fiskale. Në rastin e investimeve në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, parashikohet vënia në dispozicion e pasurisë së paluajtshme për ndërtimin e strukturave akomoduese dhe strukturave të tjera turistike kundrejt tarifës 1 euro. Kohëzgjatja e vënies në dispozicion është deri në 99 vite.

Risi në këtë projektligj është krijimi i sistemit kombëtar të klasifikimit sipas kategorive përkatëse të strukturave akomoduese. Brenda 18 muajsh, nga hyrja në fuqi e ligjit, të gjitha strukturat akomoduese ekzistuese do të klasifikohen. Pas kësaj periudhe, asnjë strukturë akomoduese nuk do të lejohet të ushtrojë veprimtarinë pa marrë certifikatën e klasifikimit.

Ligji i ri synon të ndikojë në rritjen e numrit të turistëve dhe investimeve në këtë sektor, si dhe standardizimin dhe klasifikimin e strukturave akomoduese me asistencën e një kompanie të huaj. Gjithashtu, projektligji ka si qëllim krijimin e një kuadri ligjor të nevojshëm, që turizmi të mbështetet si një sektor kryesor ekonomik, i cili krijon vende të reja pune, kontribuon në uljen e varfërisë dhe ofron mundësi fitimi.

Pse një ligj i ri?      

Në argumentet që shoqërojnë projektin e ri qeveritar për hartimin e këtij ligji, jepen dhe një sërë argumentesh pse e bëjnë këtë iniciativë të domosdoshme. Sipas relatorëve ligji ekzistues, pavarësisht përpjekjeve për të dhënë përkufizimet në fushën e turizmit, kishte mangësi në përmbajtjen e tyre dhe mungonin përkufizime të rëndësishme të fushës së turizmit. Po kështu ligji ekzistues nuk parashikon qartë ndarjen e kompetencave të institucioneve përkatëse në fushën e turizmit dhe, në shumë raste, ka mbivendosje të tyre ose paqartësi në lidhje me to.

“Fondi i Zhvillimit të Turizmit. Edhe pse ky fond parashikohet nga ligji, ai nuk u krijua asnjëherë, duke mos mundësuar mbështetjen e shtetit në zhvillimin e industrisë së turizmit”, thuhet në relacion. Po kështu në ligjin aktual nuk parashikohet licencimi i subjekteve që ushtrojnë veprimtari turistike, gjë që ka sjellë një shërbim jocilësor dhe pa standarde, në dëm të konsumatorit dhe njëkohësisht, ka ndikuar dukshëm në rritjen e informalitetit.

Klasifikimi i strukturave akomoduese dhe udhërrëfyesit turistikë

Ligji aktual i turizmit nuk parashikon kategorizimin dhe klasifikimin e strukturave akomoduese. Mungesa e këtij procesi ka sjellë një situatë kaotike në tregun hotelier.

Strukturat akomoduese përdorin shenja dalluese (yje) të klasifikimit që nuk përputhen me standardet reale të strukturës apo me nivelin e shërbimit që ofrojnë. Ligji në fuqi nuk parashikon rregullimin e segmentit thelbësor në industrinë e turizmit, atë të udhërrëfyesve turistikë. Rolin e udhërrëfyesve mund ta luaj çdo person që zotëron një gjuhë të huaj, i cili nuk ka njohuritë e domosdoshme lidhur me teknikat e guidimit turistik si dhe nuk zotëron njohuritë e duhura për destinacionin apo produktin që prezanton.

“Ka patur raste që udhërrëfyesin në territorin e Shqipërisë e kanë bërë të huaj, shoqërues të grupit të turistëve, të cilët jo vetëm që nuk ka patur njohuritë e domosdoshme mbi vendin, por edhe kanë bërë keqinterpretime dhe deformime të informacionit mbi historinë dhe gjeopolitikën e Shqipërisë, bazuar në interesa antishqiptare”, shpjegohet në relacion.

Turizmi, TVSH e diferencuar?

Por para se drafti ligjor të shkojë për miratimin përfundimtar pritet që nisja e kësaj jave të sjellë dhe një diskutim për uljen e një Tatimit të Vlerës së Shtuar (TVSH), kërkesë e hershme kjo e operatorëve të biznesit të kësaj fushe, pasi kjo do të ishte një lehtësim për ta, duke e krahasuar dhe me vendet e tjera të rajonit. Kështu të gjitha vendet e rajonit me të cilat Shqipëria po konkurron në industrinë e turizmit zbatojnë një TVSH në masën 5% – 8.5%.

Nëse ne duam të jemi konkurrues në rajon dhe jemi në kërkim të zhvillimit të një sektori kaq të rëndësishëm, duhet të jemi më fleksibël në sistemin e taksimit, duke qenë konkurrentë me këto vende. Tatimi mbi Vlerën e Shtuar në këtë sektor është i ndryshëm në vende të ndryshme dhe vetëm në në rajon e kemi në nivelin 20 për qind.

Vendet e tjera i kanë përkatësisht: Greqia 6.5%, Mali i Zi 7%, Kroacia 10%, Bullgaria 7%, Maqedonia 5%, Rumania 9% Serbia 8% dhe Sllovenia 8.5%. Turizmi është paraqitur nga të gjitha qeveritë, si sektor prioritar i ekonomisë dhe eksporteve, duke dhënë një kontribut në masën 14.7% në Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe ka të punësuar direkt dhe indirekt mbi 50 mijë vetë. Taksat kanë një ndikim shumë të madh, pasi produkti turistik është në konkurrencë të fortë te vendet e Ballkanit.

Po kështu ne vijojmë të kemi çmimet më të larta të biletave të avionit apo trageteve, nuk kemi ende kompanitë ajrore loë cost, nuk kemi ende një infrastrukturë lehtësuese dhe mbetemi ende tek kërkesa për turizëm detar, kur në vendin tonë shumë mirë ky sektor mund të jetë tërheqës gjatë gjithë vitit. Miratimi i këtij ligji edhe pse në pikun e sezonit turistik shpresohet të sjellë risi dhe t’i vendosë operatorët në kushte të barabarta me vendet e tjera të rajonit./DITA

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *