Arrestohet në Itali i akuzuari tjetër për vrasjen e marangozit, Edmond Theodhori, ngjarje e ndodhur në Sarandë. Gani Hysa është arrestuar nga autoritetet fqinje dhe pritet që të ekstradohet në Shqipëri. Ai akuzohet për vrasje me armë, kryer në bashkëpunim. Në një video të regjistruar nga kamerat e sigurisë të bizneseve të zonës, duken vrasësit që ikin me vrap, pasi qëlluan dhe lanë pa jetë shtetasin Edmond Theodhori, më datë 10 korrik 2015.
Deri më tani janë arrestuar: Enkelejd Hysa, 25 vjeç, banues në Laç; Ylli Reçi, 23 vjeç, banues në Gjorm, Krujë; Ajman Zyba, 21 vjeç, banues në Laç dhe Gani Hysa, 41 vjeç. Ndërkohë, të afërmit Elion dhe Keivi Hysa, përkatësisht të moshave 31 dhe 23 vjeç, nga fshati Gjorm i Krujës, janë shpallur në kërkim. Pas një konflikti për motive të dobëta me pronarin e një marangozi, të tre këta persona kanë thirrur edhe disa të tjerë dhe kanë nisur të kërkojnë Edmond Theodhorin nëpër qytet.
Pasi e kanë gjetur, ata kanë rrethuar mjetin dhe kanë thyer xhamat me shkopinj bejsbolli dhe qytën e pistoletës, ndërsa pas kësaj, njëri prej tyre i është afruar dhe ka qëlluar një herë me armë zjarri duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pas kryerjes së krimit, të gjithë autorët janë larguar menjëherë nga qyteti i Sarandës ku ndodheshin me pushime, në drejtim të vendbanimeve të tyre.
