Dërguar me email
I nderuar z.Kryeredaktor! Dua të ngre një shqetësim që hë për hë nuk e ngacmon sa duhet opinionin publik shqiptar. E kam fjalën për shpopullimin. Ngaqë kryeqyteti shpeshherë na e monopolizon vëmendjen, ngaqë raporti midis banorëve në fshat me banorët në qytet ka qenë tradicionalisht i shpërpjestuar, ngaqë mungojnë sistematikisht të dhënat përkatëse, harrojmë se ka plot zona të Shqipërisë ku nuk ka dyndje, madje ato nuk shihen nga të rinjtë si vende ku mund ta ndërtojnë të ardhmen.
Këtu duhet të përmendim patjetër çka nuk shihet nga të dhënat e mësipërme: zonat malore. Nëse popullsia rurale është ulur në përgjithësi, (e vërtetuar me shifra kjo), jam i sigurtë se ajo malore ka rënë në mënyrë katastrofike. E në rast se prirja do të vijojë e tillë, të njëjtin cilësor do të përdorim për pasojat socio-ekonomike.
Nga ana tjetër popullsia shqiptare nuk është e imunizuar nga plakja. Emigracioni i lartë dhe rënia e vazhdueshme e lindjeve të çon drejt asaj rruge. Mosha mesatare ka filluar të rritet. Mos janë vallë rrudhat e para të shoqërisë shqiptare?
