Gjykata e Tiranës me 13 salla të reja, Naço:‏ Të evitohen proceset në zyrat e gjyqtarëve

redaktor

Ministri i Drejtësisë , Nasip Naço ka marrë pjesë ditën e sotme në ceremoninë e përurimit të 13 sallave të reja të gjykimit dhe hapësirave shtesë në Gjykatën  e Rrethit Gjyqësor, Tiranë. “Për fat të mirë, sot kemi mundësinë të japim së bashku një lajm pozitiv që lidhet me sistemin gjyqësor, i cili padyshim do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e efektivitetit në Gjykatën e Tiranës.

Me një investim prej rreth 340 milion lekë, nga buxheti i shtetit, u mundësua në një kohë shumë të shpejtë vënia në funksionim e 13 sallave të reja të gjykimit, ku ushtrojnë detyrën rreth 80-gjyqtarë”, u shpreh në nisje të fjalës ë tij Ministri Naço. Sipas z. Naço, kjo është një premisë pozitive që lidhet me krijimin e kushteve të domosdoshme për funksionim efikas të sistemit të drejtësisë.

“Shtimi i sallave të gjykimit do të evitojë maksimalisht praktikën jo normale të zhvillimit të  proceseve gjyqësore në zyrat e gjyqtarëve. Përmirësimi i infrastrukturës, i shoqëruar dhe me ndryshimet e mëtejshme ligjore do të sjellë rritjen e aksesit të publikut në proces duke respektuar parimet procedurale, garantimin e solemnitetit gjatë procesit gjyqësor, forcimin e mekanizmave të kontrollit, arritjen e standardeve më të mira ndërkombëtare .

Objektivi ynë i ardhshëm, mbetet që sistemi i regjistrimit audio të plotësohet edhe me sistem video, në mënyrë që jo vetëm të dëgjojmë se çfarë thuhet,  por edhe të shohim se si zhvillohet një seancë gjyqësore,  duke bërë të mundur shmangien e çdo sjelljeje joetike dhe rritjen e solemnitetit brenda një seance gjyqësore”, u shpreh Naço. Në përfundim të fjalës së tij, kreu i drejtësisë shqiptare u shpreh se sistemi i drejtësisë mbetet prioritar për ecurinë e proceseve integruese dhe zhvillimin demokratik të vendit.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *