Kryetarja e AK Lindita Lati, tha se, në total kanë qenë 14 ankesa nga ana e biznesit, ku shtatë prej tyre për marrëveshje të fshehta dhe pesë për pozita dominuese në treg
Shpesh herë në vendin tonë janë vërejtur pozita monopoli në treg, duke dëmtuar konkurrencën e lirë dhe sipërmarrjen private. Mjafton të përmenden këtu pozitat dominuese të njërës prej kompanive të transportit ajror, apo ato për marrëveshje të fshehta në tregun e sigurimeve të automjeteve nga operatorët. Edhe në ato raste ku institucionet kanë marrë masa ndëshkuese, çështjet janë zvarritur me vite të tëra nëpër gjykata. Autoriteti i Konkurrencës raporton se, gjatë vitit të kaluar janë vendosur 48 gjoba për abuzimet në treg. Kryetarja e këtij institucioni, Lindita Lati, tha se, në total kanë qenë 14 ankesa nga ana e biznesit, ku shtatë prej tyre për marrëveshje të fshehta dhe pesë për pozita dominuese në treg. Kreu i Autoritetit të Konkurrencës, tha se, mbajtja nën kontroll e tregjeve kërkon një bashkëpunim më të gjerë me entet rregullatore. Përsa i përket moszbatimit të masave penalizuese, kreu i Autoritetit të Konkurrencës, Lindita Lati, u shpreh se, zgjidhja mund të vijë vetëm me funksionimin e Gjykatës Administrative. Sektorët më të prekur për krijimin e pozitave të monopolit kanë qenë ai i transportit urban në kryeqytet, tregtimit të gazit të lëngshëm, ndërtimi dhe importit të inputeve bujqësore. Gjatë viteve të fundit, tregu i sigurimeve në Shqipëri ka njohur zhvillime kaotike, të diktuara kryesisht nga periudha transitore dhe post-transitore që solli liberalizimi i tarifave për sigurimet e detyrueshme të makinave. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare vlerëson se ky treg ka hapësira për t’u rritur më tej. Zhvillimi i ekonomisë, futja e investitorëve të huaj, por edhe rritja e ndërgjegjësimit të qytetarëve vlerësohen si faktorët kyç. Tregu i sigurimeve në Shqipëri është një treg në ndryshim dhe rritje të vazhdueshme. Vetëm fakti që në qershor të vitit 2012 u licencua një tjetër shoqëri për të vepruar në tregun e sigurimeve të Jo-Jetës është një tregues domethënës që shpreh interesin e rritur të investitorëve në këtë fushë. Disa nga treguesit në mbështetje të saj janë rritja gjatë viteve 2010 dhe 2011 e volumit të primeve të shkruara bruto, me rritje përkatësisht 4.18% dhe 1.56%. Gjatë vitit 2012, pas një tendence në rënie (janar-shtator 2012 kur ky treg pësoi ulje të lehtë me 0.18%), në tetor u vu re përsëri rritje. Viti u mbyll me një bilanc pozitiv, me rritje vjetore 7.48% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Tregu i sigurimeve ka pasur gjatë viteve të mëparshëm një ritëm rritjeje edhe më të lartë. Ndërsa që prej vitit 2010 e në vazhdim, ritmi i rritjes ka qenë më i ulët. Ajo që influencoi në zvogëlimin e ritmit të rritjes së tregut për vitin 2011 dhe një pjesë të vitit 2012 ishte liberalizimi i tarifave të MTPL nga hyrja në fuqi e ligjit nr. 10455, datë 21.07.2011. Pikërisht ky faktor, pra liberalizimi i tarifave të sigurimit të detyrueshëm motorik, solli rënie të këtij sigurimi me 12.15% gjatë vitit 2011 krahasuar me vitin 2010. Influencë në këtë rënie ka pasur ulja e tarifave të shitjes së produktit TPL e brendshme, e cila solli rënie me 24.81% të volumit të primeve të shkruara bruto të këtij sigurimi krahasuar me vitin 2010. Nëse tregu do të kishte ruajtur të njëjtin nivel primi TPL e brendshme me atë të vitit 2010, tregu i sigurimeve do të ishte rritur në nivelin e 10.43%.
