Shtyhen me 5 ditë më shumë afatet e aplikimeve për programet e doktoraturës në Universitetin e Tiranës. Burimet zyrtare të këtij institucioni bëjnë me dije se afati përfundimtar i dorëzimit të aplikimeve në programet e doktoraturës do të jetë data 20 mars, teksa u është kërkuar aplikuesve që të jenë më të kujdesshëm në dokumentet e dosjes, pasi mungesa e njërit nga dokumentet e kërkuara mund të sjellë përjashtimin e tyre nga gara e përzgjedhjes.
Kandidatët e interesuar për këtë cikël studimesh mund të aplikojnë edhe nëse nuk kanë përzgjedhur ende emrin e udhëheqësit shkencor të punimit që do të bëjë për të kaluar me sukses këtë program nëse shpallet fitues. “Në dokumentacionin e aplikantëve nuk është e nevojshme të përfshihet emri i udhëheqësit shkencor të propozuar nga aplikanti (dosjet e aplikantëve do të pranohen edhe në rastet kur nuk është propozuar udhëheqësi).
Përcaktimi i udhëheqësve do të bëhet pasi Këshilli i Profesorëve të fakulteteve të miratojë kandidatët fitues”, thuhet nga burimet zyrtare të këtij universiteti.
Kandidatët që aplikojnë për t’u regjistruar në programin e studimit të doktoratës duhet të plotësojnë këto kritere: “ Të kenë përfunduar studimet e larta në fushën e kërkuar dhe të zotërojnë Diplomë të ciklit të dytë të studimeve “Master i Shkencave” apo çdo diplomë tjetër të barazvlefshme me të ose një diplomë të huaj të barazvlefshme të shoqëruar me vërtetimin e njohjes nga MASH. Të ketë notë mesatare të përgjithshme 8 e lart në secilin cikël studimesh (i parë dhe i dytë), të zotërojnë gjuhën angleze të vlerësuar mbi bazën e një testi të njohur ndërkombëtarisht. Nëse nuk zotërohet në aplikim fillestar, dëshmia kërkohet pas përfundimit të studimeve të organizuara teorike. Të jetë i rekomanduar nga dy persona që gëzojnë titull akademik të cilët njohin aftësitë akademike dhe profesionale të kandidatit, të shprehë qartë qëllimin e ndjekjes së studimeve të doktoratës në rreth 500 fjalë, të paraqesë në mënyrë të përmbledhur një projekt shkencor mbi të cilin ka menduar të punojë gjatë kursit të Shkollës Doktorale, si dhe të marrë përsipër përballimin e shpenzimeve të studimeve”.
