Rrëfim i 88-vjeçarit Halim Ramohito për vizitën e dytë në Kinë
Halim Ramohito: Në delegacion ishin 15 gjeneralë dhe oficerë madhorë. Kërkuam nga Kina armatime, municione dhe logjistikë
(Vijon nga numri i kaluar)
Prishja e marrëdhënieve të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik shoqëruar me denoncimin dhe daljen e vendit tonë nga Traktati i Varshavës, solli izolimin e vendit dhe probleme të mëdha në fushën ekonomike e ushtarake… Ndërkohë, kishte nisur një miqësi e re me Kinën e largët… Në shtator të vitit 1963, për herë të parë niset në Kinë një delegacion ushtarak i Shqipërisë, i kryesuar nga Ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku. Objekt i kësaj vizite, siç e pohon në rrëfimin e tij gjeneral Halim Ramohito, anëtar i këtij delegacioni, ishte kërkesa për ndihmë në armatime, municione e logjistikë luftarake…
Cila ishte situata politike e ajo ushtarake në vjeshtën e vitit 1963, kohë në të cilën drejt Kinës udhëton delegacioni i parë ushtarak nga vendi ynë?
-Shqipëria kishte dalë nga Traktati i Varshavës, duke e denoncuar atë si bashkim pushtuesish, ndryshe nga misioni për të cilin u krijua. Koha, e veçanërisht më vonë dhe sot, nga burra shtetesh e ekspertë të luftës e mbrojtjes, dalja e Shqipërisë nga Traktati i Varshavës vlerësohet si një veprim jo vetëm i guximshëm, por dhe i studiuar mirë, me ndikim jo të vogël në ballafaqimin mes dy pakteve ushtarake. Paçka se ushtrisë e vendit tonë ju desh të përballojë një aventurë (mbrojtja me forcat tona…) me kosto të madhe njerëzore e ekonomike. Pra, ishte koha e ditëve më të mira të miqësisë me popullin shumë milionësh kinez. Në kuadër të forcimit të miqësisë së ndërsjelltë, nisën vajtje-ardhjet e delegacioneve të larta qeveritare, përfshi dhe ato ushtarake. Në një nga këto vizita, përkatësisht atë të shtatorit të vitit 1963, në përbërje të delegacionit ushtarak të kryesuar nga Ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku, isha dhe unë…
Zoti Ramohito! Cili ishte objekti i vizitës së delegacionit të lartë ushtarak në Kinë?
-Ne do të mbështetnim kërkesat tona ekonomiko-ushtarake pranë udhëheqjes më të lartë të Kinës për ndihma në armatime. Për këtë udhëtim, aparati i ministrisë së Mbrojtjes bëri një përgatitje të hollësishme, të mbështetur në argumente që lidheshin me situatën gjeopolitike e strategjike të vendit tonë, pas daljes nga Traktati i Varshavës. Veç kësaj, në këtë udhëtim, ne morëm me vete edhe listën me kërkesat konkrete për ndihma për çdo armë dhe shërbim të ushtrisë, të cilat do të kërkonim që të planifikoheshin, për t’i marrë mundësisht për një periudhë sa më të shkurtër nga qeveria e RP e Kinës.
Cila ishte përbërja e delegacionit tonë ushtarak?
-Delegacioni ynë përbëhej prej pesëmbëdhjetë ushtarakësh të lartë. Për të ruajtur sekretin e misionit tonë gjatë udhëtimit, të gjithë ishim veshur me rroba civile dhe u porositëm që në avion e kudo gjatë udhëtimit, të liheshin mënjanë normat e etikës ushtarake. Por ish- shefi i degës të Mbrojtjes Kundërkimike të Ushtrisë, oficer me një përgatitje të gjerë profesionale dhe etike, Dhori Gjoni, sa herë fliste, sidomos me ne, gjeneralët edhe në avion mbante drejtqëndrim. Gjeneral Vaskë Gjino, me atë humorin e tij të veçantë, i thoshte: “Dhori, kështu u porositëm në Tiranë?” Gjithashtu, për të ruajtur sekretin e misionit tonë, ne u ndamë në dy pjesë…
Cilat ishin detajet e këtij maskimi?
-Ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku, komandanti i Aviacionit, kolonel Edip Ohri e të tjerë, këtë udhëtim të gjatë nga Perëndimi në Lindjen e Largët e filluan nga Vjena, kurse ne të tjerët, unë, zëvendësdrejtor i Drejtorisë Politike të Ushtrisë, Vaskë Gjino, shef i Drejtorisë Operative, Todi Naço, shef i Komandës së Artilerisë të Ushtrisë dhe të tjerë, udhëtimin për në Lindje do ta fillonim nga Roma. Me itinerare të ndryshme, por të gjithëve na duhej të bashkoheshim në kryeqytetin e Birmanisë, Rangun. Ishte koincidencë apo e qëllimshme, këtë nuk mund ta them, veçse i gjithë delegacioni u bashkua jo në Rangun, siç e kishim planifikuar, por në kryeqytetin e Libanit, Bejrut. Në këtë qytet, pamë ndërtesa, banka dhe autostrada moderne. Aeroporti i tij modern, ndodhej gjatë buzës të detit Mesdhe. Bejruti, për bukurinë e tij cilësohej në atë kohë si Parisi i Lindjes së Mesme. Këtu, u përballëm me një të papritur tjetër…
Cila ishte kjo e papritur?
-Në ndalesën prej dy orësh në këtë qytet, siç na thanë, thjesht për furnizim, kompania e aviacionit “Pan Amerika” na vuri në dispozicion makina për të bërë vizita në qytet. Ishte një kënaqësi të udhëtoje me të paharruarin Todi Naço, i cili, me humorin e tij të pashtershëm, nuk të linte pa qeshur. Sa filluam të lëviznim me makinat luksoze amerikane që na vuri në dispozicion kompania ajrore, Todi tha: “Më duket se, me këtë shëtitje, ramë si cjapi tek kasapi…”, duke bërë kështu aluzion për amerikanët dhe makinat e tyre. Në atë periudhë, në vendin tonë politizimet dhe dyshimet për çdo gjë ishin të tejskajshme dhe puna kishte arritur deri atje, sa që edhe kush kishte njohuri për gjuhën angleze dhe sidomos kush fillonte ta mësonte atë për herë të parë, do të kishte punë me organet e sigurimit, ose ishte i detyruar të raportonte në parti, në komandë, etj.
Pse u bllokua në Birmani delegacioni ushtarak nga Shqipëria?
-Kur mbërritëm në kryeqytetin e Birmanisë, Rangun, organet e policisë të aeroportit, gjatë paraqitjes së pasaportave nga ana jonë, nuk na lejuan të lëviznim jashtë ndërtesës, me pretekstin se në pasaportat tona nuk kishte shënime për destinacionin dhe vendin e saktë të zbritjes, por vetëm për të udhëtuar në të gjithë botën dhe gjithashtu për faktin se ne nuk kishim me vete edhe certifikatat për vaksinimin kundër tifos. Por, sa vazhdonte të debatonte me ta gjeneral Todi në gjuhën frënge, ia mbërritën punonjësit e ambasadës kineze me ca shporta dhe zarfe në duar, dhurata këto për kontrollorët e aeroportit, të cilët, menjëherë, madje pas shumë nderimeve të rastit, na lejuan të dilnim nga godina e aeroportit…
Çfarë u bëri përshtypje gjatë qëndrimit në kryeqytetin e Birmanisë?
-Duke lëvizur nëpër rrugët e Rangunit, pamë që ato ishin tërë gropa e të mbushura me ujë. Udhëtimi me makina të krijonte përshtypjen se në çdo çast mund të përplaseshe me makina të tjera, kjo edhe për faktin se, ndryshe nga makinat në vendin tonë dhe përgjithësisht në Evropë ku timoni është i vendosur në krahun e majtë të makinës, këtu ishte në të kundërtën, në krahun e djathtë. Në Rangun, pamë një nga mrekullitë e botës, Tempullin e Budës, për ndërtimin e të cilit dikur qeveria birmaneze kishte harxhuar deri fondet e buxhetit të një viti. Ishte rregull që, për t’u ngjitur në tempull, dhjetëra shkallët e nxehta nga dielli përvëlues duhej t’i bëje pa këpucë dhe kështu bëmë edhe ne. Rreth e përqark tempullit, kishte kolibe të çuditshme dhe në secilën prej tyre, pamë figura të ndryshme të budave, të shpërfytyruara dhe të stolisura me gurë të çmuar. Për këtë arsye, për të mos u plaçkitur, ky tempull ruhej vazhdimisht nga një batalion ushtarësh. Në udhëtimin drejt Kinës, ne qëndruam dhe në Karakaçi të Pakistanit dhe Kalkuta të Indisë.
Çfarë konstatuat gjatë qëndrimit në Karakaçi të Pakistanit dhe Kalkuta të Indisë?
Qëndrimi dhe vizita tjetër e delegacionit ushtarak(me uniformë civile) shqiptar, qe qyteti i Karakaçit në Pakistan. Aty, mes të tjerave na qerasën me pije freskuese Koka-Kola. Për mua, por dhe për pjesëtarët e delegacionit ushtarak shqiptar kjo pije provohej për herë të parë. Kishim dëgjuar në Shqipëri jo pak për këtë pije, që e vlerësonim si pije kapitaliste, si një pije pothuaj e dëmshme(!!) e jo e pranueshme. Ishte politizuar tek ne në Shqipëri çdo gjë, deri tek male dhe fusha, deri çdo produkt bujqësor apo blegtoral i huaj. Le më që kush dinte një gjuhë të huaj, bie fjala anglisht, apo më keq tentonte të mësonte një gjuhë të tillë, nuk i kishte mirë punët. Edhe për këtë fakt, pra mësimin e gjuhëve të huaja, mjerisht në vitet e diktaturës janë dënuar jo pak njerëz, përfshi dhe ushtarakë… Në momentin që ne udhëtonim me aeroplan mbi qytet, u ndodhëm përballë një të papriture të shpjegueshme për ne. Ishte momenti i rrotullimit të tokës, siç na thanë, e në të vërtetë, pas një udhëtimi të shkurtër, në momentin e uljes ishte përsëri ditë.
Si udhëtuat nga Ranguni i Birmanisë në Kinë?
-Nga aeroporti i Rangunit, me avion të veçantë kinez, udhëtuam për katër orë mbi xhunglën e pafund që lidh Kinën me Birmaninë. Kinezët na thanë se nga këto pyje mezi i përzumë për në Tajvan mbeturinat e ushtrisë së mundur të Çai Kai Shisë, në 1959-n. Ata na thanë gjithashtu se në këto pyje luftojnë, por bëjnë njëkohësisht edhe tregti, madje edhe tani, pushtetarët vendas me reparte të ushtrisë së Partisë Komuniste Birmaneze. Pas katër orësh fluturimi, mbërritëm në qytetin turistik e klimaterik të Kinës, Kumin. Me të zbritur e sistemuar, mikpritësit kinezë na thanë që në këtë qytet të rrinim disa ditë, të pushonim e të merrnim veten.
Pra ju u akomoduat për të qëndruar gjatë në qytetin turistik Kumin?
-Jo. Për shkak të rëndësisë dhe urgjencës së misionit tonë, duke i falënderuar, nuk pranuam të rrinim. Qëndruam vetëm një natë. Të nesërmen, pas një fluturimi të gjatë prej 8 orësh, arritëm në Pekin, në kryeqytetin e Republikës Popullore të Kinës.
Si e gjetët Pekinin në vizitën tuaj të dytë pas 9 viteve?
-Nga udhëtimi im i parë më 1954-n, në Kinë, tanimë kishin kaluar plot nëntë vjet. Në kryeqytet pashë ndryshime të mëdha. Në këto 14 vjet nga çlirimi i Kinës, ishin ndërtuar, sidomos në Pekin objekte të mëdha e moderne, si godina e Asamblesë së Popullit, ajo e Kombësive, një stadium modern sporti, etj. Karrot dhe karrocat që kisha parë dikur, nuk tërhiqeshin më nga njerëzit, por ishin zëvendësuar nga motorët. Dukej gjithashtu se ishin ndërmarrë edhe aksione të mëdha për strehimin, sidomos për dhjetëra mijëra familje, që dikur i pashë të banonin në kasolle e çadra buzë liqeneve dhe lumenjve.
Pra, nga vizita e parë, konstatuat ndryshime të rëndësishme?
-Po. Pashë ndryshime tepër të mëdha e të dukshme. Krahasuar me hapat e zhvillimit të infrastrukturës në vendin tonë, më dukeshin të pabesueshme këto arritje. Pekini, në aq kohë, kishte pësuar ndryshime të mëdha. Më bënë përshtypje autostradat e mëdha të shtruara me asfalt, përgjatë të cilave kishte sipërfaqe të gjelbëruara, pemë dekorative anash, e një ndriçim llamburitës nga i cili ishte vështirë të dalloje natën nga dita. Në vizitën e parë më kishte bërë përshtypje prania e karrove të shumta që lëviznin nëpër rrugë, një pjesë e të cilave në vend të kuajve tërhiqeshin nga njerëz, ndërsa tani nuk më zinte syri të tilla. Në vend të tyre, në sheshet, rrugët e autostradat e ndërtuara rishtas apo të rikonstruktuara, lëviznin automjete të shumta, motorë si dhe biçikleta. Konstatuam, gjë që na e thanë dhe mikpritësit se në këto vite, krahas ndërtimit të objekteve të mëdha, ishte punuar dhe për problemin e strehimit të popullatës, investime të cilat ishin bërë kryesisht me aksione e punë vullnetare. Ndonëse në vizitën e parë që unë kisha bërë në Pekin, numri i familjeve që banonte nëpër kasolle e deri guva ishte i dukshëm, tani situata kishte ndryshuar.
Cili ishte takimi juaj i parë zyrtar në Pekin?
-Po. Të nesërmen e mbërritjes në Pekin, na priti në zyrën e tij kryeministri i Kinës, Çu En Lai. (Vijon nesër)
NESËR DO TË LEXONI:
-Rrëfimin e gjeneral Ramohitos për takimin në Pekin të delegacionit ushtarak shqiptar të kryesuar nga Beqir Balluku me Çu En Lain në shtator të vitit 1963.
-Argumentimi nga Beqir Balluku i situatës në ushtri, misionin ‘Mbrojtja e Atdheut është detyrë mbi detyrat’ dhe lista e kërkesave për ndihma nga Kina për armë, municione e logjistikë ushtarake.
-Takimi i delegacionit shqiptar me Mao Ce Dunin, vlerësimi i Maos për Shqipërinë e shqiptarët, forcimin e miqësisë dhe ndihmat që ofroi ai për vendin tonë.

Gjerneral Ramohito si gjithe komunistet e betuar te kriminelit e hoxha ,deri ne diten qe u arrestua i ka sherbyer ati regjimi me ndershmeri dhe zell te madhe ,mbaj mende kur ishim ne Moske ka lozur nji rol te madhe qe ne mos te refuzonim kthimin ton ,mblidhte informata ordinere per ti raportuar partis se sa poshte kishte rene komunistet sovjetik.Shume ushtarak u burgosen per qendrime kunder komunizmet kur ai ishte me pune ne drejtorin politike bashke me kriminelin Nane Kutra
Sabush e quan E. Hoxhen kriminel ?!!! Po mor zotri mos ke qen ti ndonje ballist a togist ? Apo ndonje sabotator a ndonje tip dembeli? Apo ndoshta ndinje spiun i ndonje spiunazhi si UDB-ja pershembull?!!! Se vetem kjo lloj kategorie flet broçkulla per E. Hoxhen.
keto jane shpifje …edhe nese enveri na izoloi mire ka bere … se na ruajti nga keto shtete te flliqura , me kulturen e tyre te degjeneruara qe po percajne dhe ne shqipetaret …vetem 20 vjet ka shqiperia qe doli nga komunzimi dhe direkt luft civile , varferi , te huajt na djegin flamurin neper stadiumet e botes , na shajne , vellezerit tane pastrojne halet neper vendet e botes per te fituar nje cop buke… ja mikpritja qe na beren te huajt … na shiten dhe makinerit industriale bashke me armatimin se ishim ne borxhe sipas tyre … po han njerezit mish kali dhe qumsht kancerogjen … ah mor plera mor plera … po ju qe shkurani keto libra , artikuj apo dokumentare kundra enverit jeni agjent , spiuna , ju vrate e prete aso kohe , dhe shpikni keto gjera per te mbuluar njeri tjetrin … po ja hidhni te gjitha Enverit mbi supe … Packa , i shpetuat enverit nga duart , kulaket e mutit …