Deputeti ish-trafikant dhe urdhëruesit e vrasjeve ”burra shteti”. Është kjo rruga e pastrimit të politikës z.Lu?

anazapta

“Në parlamentin shqiptar ka një deputet të dënuar për trafikimin e qenieve njerëzore” – ky ishte njëri ndër konstatimet e ofruara nga Departamenti i Shtetit në raportin e tij të fundit dhe i përforcuar edhe më parë e, edhe më pas, nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Në fakt, një gjë e tillë është ngritur disa herë nga ambasadori Donald Lu, herë pas here nën kupolën e luftës kundër deskriminalizimit të politikës shqiptare, e ndonjë herë tjetër nën trysninë e pastërtisë së figurave politike.

Që në parlamentin shqiptar ka një precedent të tillë, kjo nuk është më gjë e re. Që, po ashtu, pas dhjetë vite pas dënimit, secili ka të drejtën të thotë se ‘tashmë jam i pastër’, edhe kjo është diçka që dihet. Normale do të ishte që në sallën e Kuvendit, ku mendohet se janë mbledhur burrat e ditur, të mençur e të ndershëm të kombit, as që duhej të mendohej të kishte një precedent të tillë. Nëse kjo është lënë të kalojë, më shumë se për atë që ndodh sot, duhet të jetë një tabu për të ardhmen.

Edhe unë, ashtu si zoti ambasador, si të gjithë shqiptarët, nuk do të kishim dashur të ishte në parlament asnjë prej atyre që, megjithë kalimin e viteve, është e vështirë t’i besohet. Do të kisha dashur që deputeti të kishte lënë vetë sallën e parlamentit, ku është jo vetëm për meritën e tij, por edhe jo pa pasur ndikim tek të tjerët. Do të kisha dashur të kishte në atë sallë burra të denjë për të zënë vendin e tyre, figura pas së cilëve mund të mbështetesh, njerëz që u japin më shumë rëndësi realiteteve konkrete, se sa të drejtave abstrakte. Mjerisht, në parlamentin shqiptar rrallë herë ka ndodhur që idetë të kenë më tepër kredi se sa fuqia, sidomos ajo financiare, dhe si duket, për vetë natyrën e zgjedhjeve në Shqipëri, kjo do të vazhdojë edhe për shumë kohë. Nëse krahason vetëm për pak çaste parlamentin e parë pluralist dhe parlamentin e sotëm, ai, i dikurshmi, megjithëse kishte mendje më të ndritura e figura shumë më intelektuale, duket si një varfanjak i rëndomtë ndaj pasunarëve të këtij parlamenti.

Zotin Donald Lu, dhe pas figurës së ambasadorit, edhe shtetin e tij, e trazon me të drejtë fakti se në parlament është një i dënuar për trafikimin e qënieve njerëzore. Si rrallë herë më parë, një strukturë e tërë diplomatike është e trazuar, por njëkohësisht është edhe pjesë e gjithë atij debati që bëhet për dekriminalizmin e politikës. Nuk ka ndodhur kështu më parë. Prkundrazi, diplomatë shumë të fuqishëm, edhe të shtetit që përfaqëson zoti Lu, kanë marrë në grykë urdhëruesit e vrasjeve dhe i kanë quajtur burra shteti, duke i rrahur krahët me përkdheli. Si duket diplomacia ndërkombëtare, pjesa e saj në Shqipëri, ka vendosur të heqë dorashkat e nënkuptimit dhe të fillojë të hedhë në tryezë karta gjysëm të hapura, për të kaluar më pas në të hapura krejtësisht. Ka dy gjëra: ose “tanët” nuk janë në gjendje të bëjnë detyrat e shtëpisë, ose “ të tjerët” e kanë humbur besimin ndaj tyre.

Mua, por besoj se edhe shumë të tjerë si unë, na shqetëson diçka tjetër më shumë se prania e një njeriu me precedent penal në parlamentin shqiptar, të cilit, më pas, mund t’i mbyllet dera. Problemi është për ata që s’i mbyll dot, edhe sikur të bëhen dhjetra deklarata nga Departamenti i Shtetit, edhe sikur zoti Lu të bëjë deklarata më të ashpra se këto të tashmet.

Një deputeti të zakonshëm, me precedentin e cituar më sipër, edhe mund t’i mbyllet dera, por një deputeti të pazakonshëm, i cili ka në bartjen e tij politike shumë më tepër se një trafikim, atij nuk ia mbyll dot askush, veçse moshës që e gjunjëzon.

Nuk e di nëse është normale diku tjetër, por jam i bindur se në vendin nga vjen zoti Lu, do të ishte krejtësisht i papranueshëm në jetën politike, aq më tepër në Senat apo në Kongres, figura e një njeriu, jeta e të cilit lidhet me humbjen e jetës së mijra të tjerëve, herë indirekt, e herë direkt. E vështirë është të kesh në parlament një të dënuar për trafikimin e qënieve njerëzore, e për më tepër, ruaje zot, të të flasë për të drejtat e liritë njerëzore; por tejet më e vështirë është të dëgjosh në secilën ditë të enjte, jo një herë a dy, por sa herë që i mbushet mendja, njeriun që ka në ndergjegjen e tij jetën e humbur të qindra e qindra të tjerëve, e që për më tepër, dha urdhër të qëllohet vetëm për të ruajtur pushtetin e tij. Nuk e di se në cilin akt të politikës, kudo qoftë, do të ndjeheshe i lirë të dëgjoje njeriun e 21 janarit, të 2 prillit, të katrahurës së vitit 1997, të humnerës financiare të vitit 2013, njeriun që bën thirrje për përmbysje të dhunshme, vetëm se nuk është më maja e pushtetit.

Departamenti i Shtetit, dhe jo rrallë herë edhe pjesa e rëndësishme e saj në Tiranë, ambasada amerikane, përmes përfaqësuesve të lartë të saj është bërë mburojë e territ politik, përmbysjeve njerëzore dhe ka heshtur kur është dashur të flasë. Apo edhe më keq, ka marrë në mbojtje kur është dashur të flasë haptas se njerëz të tillë janë të rrezikshëm jo vetëm për një pjesë të shoqërisë së sotme, por edhe të së ardhmes. Thuajse të gjithë përfaqësuesit e lartë diplomatikë kanë ardhur në këtë vend duke i rrahur krahët Berishës dhe kanë ikur duke kthyer kokën pas me zemërim. Por, ndërsa ata kanë ikur dhe kanë nisur një jetë tjetër, këtu kanë lënë vazhdën që vetë e krijuan dhe nuk e ndëshkuan politikisht, si një rrezik shoqëror.

Jam i bindur se mesazhi që ka përcjellë deklarata e dyfishtë, me burim të njëjtë; nga Departamenti i Shtetit dhe nga Amabasada Amerikane, nuk është thjeshtë vetëm për një njeri që rasti e solli të jetë deputet, pasi ia kishin përkdhelur kokën, edhe ata që e krijuan fillimisht si figurë politike, edhe ata që e morën të gatshëm dhe nuk dinë se çfarë të bëjnë. Ai ka tashmë jetën e tij, ka shlyer dënimin dhe ka të drejtën të votojë, të votohet, nëse njerëzit e pranojnë ende; por, përtej tij, si në çdo lojë të madhe, ku u bihet pragut të dëgjojë dera, ai është thjeshtë një gjetje politike.

Njerëzit u lodhën nga mishmashi i gjë a gjëzës politike, kur të parëndësishmit janë shenja për të mos goditur të tjerët, të rëndësishmit.

Shqipërinë nuk e prishën dhe nuk po e ndreqin precedentët e rrallë të një deputeti të dënuar për trafikimin e qënieve njerëzore. Shqipërinë po e prishin dhe nuk po ndreqin të tjerët; ata që kanë gjithçka në duart e tyre. Ata që bëjnë të pushtetshmin, dhe janë të pushtetshëm; ata që bëjnë të fuqishmin dhe janë të fuqishëm; ata që bëjnë të pasurin dhe janë të pasur… megjithëse ende askush nuk e di përse.

Rruga drejt pastrimit të politikës nuk kalon nga një njeri, i cili dihet tashmë se çfarë ka bërë dhe që është i përkohshëm në atë sallë. Pastrimi vjen nga tëheqja e njollave të mëdha, të stërkëqija, të stërdëmshme, të cilat , ashtu si gardhet e thurur mjeshtërisht, janë të vështira për t’i shkulur.

Kur ambasadori Donald Lu do të bëjë një deklaratë kundër tyre, si qëndrim zyrtar i shtetit të tij, atëherë demokracia do të fillojë të marrë frymë. Sepse nga këto të fundit është asfiksuar.

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *