Krim pa ndëshkim

anazapta

Që nga fillimi i pluralizmit post-komunist e gjer më sot, në Kuvendin e Shqipërisë është parë vazhdimisht një deputet i cili, qoftë në pozitë – në më të shumtën e kohës, si president apo kryeministër – qoftë në opozitë si sot, lihet i lirë që të flasë kur të dojë, e t’ia marrë fjalën kujtdo, pa pyetur për radhë, minutazh a rregullore.

Opinioni publik, i përbërë mjerisht nga indiferentizmi, kjo gangrenë morale e shoqërisë sonë, këtë dukuri e quan normale. Protestat e ndonjë kundërshtari aty në Kuvend, që për të është “armik”, marrin përgjigjen me fjalorin pornografik të E.Tupes, të cilin ai e përdor me një kënaqësi të veçantë.

Në polemikat me kundërshtarët e tij, ai ka gjithnjë në shënjestër familjet, nënat, motrat, gratë e tyre, pa menduar se ata, fundja, janë shqiptarë; e për këtë jo vetëm nuk skuqet, por duke mos hasur në ndonjë “hundëlesh”, kujton se është më trimi dhe oratori më i madh i tokës.

Duke e paraqitur një portret të tillë, me këto tipare, po të pyesësh në çdo ambient që të ndodhesh se kush është ky njeri”, me siguri të gjithë do të përgjigjen njëzëri.

Por a e dini si është shkruar biografia e personit në fjalë online? Ai tekst me siguri është marrë në zyrat e SHQUP-it. Kështu, sipas internetit tonë, Berisha kishte qenë mjek kardiolog, pedagog universiteti dhe kërkues shkencor atëherë kur për herë të parë, më 1989 “hyri në politikë si antikomunist”.

O Zot! Viti që është shënuar këtu është ai kur Saliu u dërgua nga Ramiz Alia te “Lëvizja” e studentëve. Atëherë nuk ishte krijuar PD, dhe ky shkoi atje si komunist e jo si “antikomunist”. Ai qe sekretar i byrosë së organizatës bazë të partisë për Universitetin e Mjekësisë dhe spitalin e përgjithshëm si dhe shef i pavijonit të kardiologjisë.

E, për sa i përket “antikomunizmit të tij” le të shohim monografinë që ka shkruar me rastin e marrjes së diplomës si mjek. Atë e fillon me elozhet ndaj Partisë së Punës së Shqipërisë, e pastaj tekstualisht: Në analizën e materialit faktik e teorik, ne jemi udhëhequr nga filozofia materialiste e Partisë sonë, në dritën e së cilës kemi shqyrtuar gjithë materialin. (S.B.).

Pastaj në referatin e monografisë, është vënë ky kushtim: Miqve të mi, Liliana dhe Sokol Hoxha, në shenjë respekti dhe miqësie për interesin që kanë treguar dhe inkurajimin që kanë dhënë me diskutime të shumta gjatë shkrimit të kësaj monografie. (Sali).

E ky pra është ai antikomunisti “i parë” që na reklamon interneti ynë.

Pas zgjedhjeve të ’92-shit, të vetmet që nuk janë vjedhur gjatë këtij tranzicioni të mbrapshtë, gëzoi hirin e presidentit të Republikës dhe kryetari i PD-së. Këtë post nuk e lëshoi edhe pse në rastet flagrante, në bazë të ligjit, ai duhej të kishte dhënë dorëheqje. Pas ezaurimit të mandatit, kolltukofagu nuk e la atë, por shfrytëzoi të drejtën alternative, duke u bërë kryeministër, e kështu gjithmonë kryetar partie.

Në të gjitha zgjedhjet parlamentare, me përjashtim të ’92-shit, ai erdhi në pushtet me vota të vjedhura. Kjo dihet botërisht; ai e di më shumë se cilido tjetër. Të themi të drejtën, ky renegat, pati fuqinë e çuditshme t’i japë tonin këtij tranzicioni të mbrapshtë aq sa, sot e kësaj dite vendi ynë është pa stabilitet. Regjimi i tij mori emrin “rrumpallë” (është shkruar një libër për këtë) nën moton e “Djajve” të Dostojevskit: “lejohet çdo gjë”. Anarkitë e shthurura pjellin despotë e sundimi i tyre është i lehtë sepse ata nuk përfillin ligjin e janë arbitrarë. Ky sistem të çon në krime; pikërisht këto do vëmë në dukje sa të mundemi, me dëshirën për të shëruar plagën e cila ka vetëm një ilaç: NDËSHKIMIN!

Ja çfarë na dha shkas për shfaqjen e opinionit tonë:

Më datën 9.7.2015, në Kuvendin e Shqipërisë, papritmas një deputet kërkoi një minutë heshtje për masakrën e Srebrenicës. Në historinë e parlamentit shqiptar, dimë një rast tjetër analog. Me propozimin e Avni Rustemit, Asambleja Kushtetuese e Shqipërisë, mbajti 5 minuta heshtje, në shenjë zie për vdekjen e Leninit si mirënjohje ndaj tij meqenëse ai kish denoncuar i pari traktatin famëkeq të fshehtë të Londrës për copëtimin e Shqipërisë. Pala kundërshtare refuzoi. Ndërsa, çuditërisht në Kuvendin e Shqipërisë, u pranua unanimisht propozimi, edhe pse mazhoranca e di mirë që ky gjest nuk qe gjë tjetër veçse hipokrizi dhe një dëshirë donkishoteske për protagonizëm. Mirëpo mungesa e modestisë të sjell shpesh bumerangun: i dha rastin opinionit publik, të rënë në gjumë, që të zgjohet e sidomos ndonjë ndjekësi të tij, ish – truprojës Izet Haxhia i cili që nga Turqia dha dëshmi direkte për tradhti, kur qeveria shqiptare, e kryesuar nga Berisha, theu embargon e vendosur nga komuniteti ndërkombëtar kundër Jugosllavisë së Millosheviçit. Shqipëria atëherë furnizoi me naftë ushtrinë jugosllave, e cila bëri masakrën e tmerrshme të Srebrenicës.

Ky gjest i pak ditëve më parë na jep shkas të mendojmë e t’i radhisin kronologjikisht krimet si dhe tradhtitë e larta që ka kryer ky, i cili është i vetmi komunist i ish – botës së Lindjes, që nuk hiqet nga skena politike.

Për ç’është më e rëndësishme, gjersa të jetë në aktivitet e nuk do të dënohen krimet e këtij njeriu, ky vend nuk do të shpëtojë nga amullia e nuk mund të ketë rend. Le t’i shohim më poshtë mëkatet kryesore.

1.- Që në ditët e para, kur erdhi në fuqi si President Republike, Sali Berisha firmosi dekretin për të njohur në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, kryepeshkopin grek Janullatos. Kjo kishë në themelimin e saj ka qenë e pavarur dhe në kodin e saj ishin vendosur nene, të cilat shprehimisht përcaktonin “autoqefali” (i pavarur) dhe theksohej tekstualisht që mos të lejohej kurrë një peshkop i huaj, sidomos ndonjë grek.

Historia e kësaj kishe ka qenë e shkruar me gjak martirësh, viktima të shovinizmit grek, si At Stath Melani, Petro Nini Luarasi, Papa Kristo Negovani etj. por presidenti i papërgjegjshëm e hoqi me një vijë lapsi ligjin e pavarësisë kishtare. E kjo nuk mund të jetë gjë tjetër veçse tradhti e lartë, e pandëshkuar.

2.- Në lëmin ekonomik, paaftësia e kreut të shtetit e çoi vendin në katastrofë; skemat piramidale shkaktuan luftën civile të 1997-ës. U shkatërruan shumë familje dhe humbën jetën shumë njerëz. Një krim shtetëror ky i pandëshkuar.

3.- Si rrjedhojë e anarkisë të shthurur, më 5 mars 2008, në fshatin Gërdec të Tiranës, shpërthyen municionet e grumbulluara aty për t’u demontuar. Aty mbushnin xhepat pushtetarët. Shtëllunga e tymit i ngjante kërpudhës së bombës atomike që u hodh në fund të Luftës Dytë Botërore në Hiroshima e Nagasaki të Japonisë. Sigurisht, nuk ishte e thjeshtë: aty humbën jetën 26 vetë, mes tyre gra e fëmijë.

Kur u pyet kreu i shtetit për ndodhinë, ai u përgjigj si pa gjë të keq: “Nuk ia kam ditur emrin atij fshati”, ndërsa për baxhanakun e tij që kishte mbetur i vdekur aty, tha me të njëjtën mënyrë: “Nuk e kam njohur; nuk e kam takuar asnjëherë”. A nuk është vallë ky një krim shtetëror? Edhe ky ka mbetur pa ndëshkim.

4.- Si rrjedhojë e rrëmbimit (jo vjedhjes) së votave, më 21 janar 2011, opozita organizoi një miting proteste para kryeministrisë. Kjo përfundoi në tragjedi: me urdhër të Kryeministrit u vranë 4 shtetas shqiptarë. Kryetari i qeverisë, jo vetëm që nuk e mohoi, por gardistët vrasës i quajti “heronj” dhe, me sa dimë, i shpërbleu edhe me rroga shtesë.

Për këtë, jo vetëm opozita por edhe populli i thjeshtë e ngriti zërin mjaft lart për të ndëshkuar xhelatët, u bashkuan me ta edhe familjet e viktimave, nënat e motrat e veshura në të zeza që kërkuan shpagim. Opozita e mbajti në gojë gjer vonë fjalën për dënimin e fajtorëve, por me kalimin e kohës zëri u mek e tash nuk po dëgjohet më. Një fjalë e urtë thotë: “hekuri rrihet sa është i nxehtë”. Po tani?

Për të nxjerrë një përfundim për sa thamë më lart, le të shohim si janë trajtuar këto probleme në botën e sotme bashkëkohore. Po përmendim ato që dimë:

Në vitin 2012 ndodhi një revoltë popullore në Kajro, (Egjipt). U vranë disa persona. Presidenti i vendit ishte Hosni Mubarak, burrë shteti me prestigj ndërkombëtar. Megjithëse ai dha urdhër mos të shtihet mbi turmën, ai u rrëzua me forcë nga posti, u nxor para gjyqit e u dënua në fillim me vdekje, pastaj me burgim të përjetshëm. Kështu e pësoi edhe pasardhësi i tij Morsi, kurse ky i yni nuk pushon së dërdëllituri me dy gishta lart, serbes, si t’ishte shpëtimtar i kombit.

Por kemi edhe një precedent. Në vitin 1960, Kryeministri Menderes, mik e dishepull i Ataturkut (Mustafa Kemal), gjatë një fjalimi, bëri një lapsus, që u mor seriozisht si një poshtërim për popullin turk. U rrëzua nga pushteti, doli para gjyqit ushtarak, u dënua me vdekje dhe u ekzekutua.

Kemi një shembull fare të lehtë edhe te fqinji ynë, Italia. Berluskoni u dënua për çështje që duken qesharake me ato që i kanë ndodhur bashkatdhetarit tonë, e vuajti dënimin.

Në vendet e qytetëruara ligji është i shenjtë. Po kur do të jetë edhe në vendin tonë kështu?

Ministrja e Integrimit në intervistë me “News 24” tha: “Kemi përmbushur 90% të prioriteteve për në BE”. Po si është e mundur të kapërcehen humnerat e krimeve e të tradhtive të larta që kanë pllakosur vendin? A mund të hyjë në BE një vend që ende nuk e ka ndëshkuar krimin e korrupsionin?

Faktet janë në dritë të diellit. Por, mjerisht, faji nuk qëndron vetëm te ne; është edhe faktori ndërkombëtar, nën zgjedhën e të cilit Shqipëria ka vuajtur historikisht. Faik Konica në artikullin “Problema e madhe”, përmend “ftohtësinë e Europës”, e cila qe vërtetuar nga goja e kryeministrit konservator britanik Camberlain kur ai u pyet më 1939 se çfarë qëndrimi do të mbante qeveria e tij kundrejt agresionit të Italisë ndaj Shqipërisë. Ai u përgjigj troç: “Britania e Madhe nuk ka interesa në Shqipëri”.

Trupi diplomatik këtu, i informuar mirë për situatën, është vetëm soditës. E atëherë, kur do të vihen në këtë vend gjërat në vend të vet?

Gjer kur Katilina e Kuvendit do të vazhdojë të komplotojë, të bëjë thirrje për “revolucion”, a nuk do të kemi vallë një Ciceron që t’i tregojë vendin, duke i dhënë krimit ndëshkimin e duhur?

Share This Article
7 Comments
  • Mendoj se nje pergjigje e mire per kete artkull eshte konkluzioni i nje shkrimi te Z.Bedri Islami,:Te dy palet jane ne “UJDI” MOS TE DENOJME NJERI TJETRIN. TE VJEDHIM SA TE MUNDIM TE PASUROHEMI NE KURRIZ TE KETIJ POPULLI SEHIRXHI

  • Po nuk e denoj edi rama sali serbin ashtu do humbasi edi rama si humbi sali serbi ne zgjedhje
    dhe do ta cojm edi ramen refugjat ne gjermani se edi rama i plotson kushtet per refugjat ne gjermani se esht piktor
    ose do vej brenda ne burg ne vend te sali serbit dhe te ilir metes
    Rrug te mesem per edi ramen nuk ka

  • Urime gazetes DITA e cila ne menyre sistematike dhe me nje llogjike te pa kundeshtueshme po godet shkaktaret e kesaj tragjedie mbarekombetare.Qe demokracia te forcohet dhe te plotesojme kushtet per tju bashkuar europes nuk mund te behet me ferra neper kembe por duke i prere ato dhe duke i djegur ne menyre qe edhe shqiperia te behet zonje ashtu sec e kane enderuar rilindasit tane(Jo keta rilindas qe po bashkjetojne.)Shume me dipllomaci jane futur edhe theniet e Konices persa i perket qendrimit te ambasadoreve te europes por jam i mendimit qe ky artikull ti paraqitet edhe z.LU ndoshta shqetesohet per shkaktarin e vertete dhe kriminelet ne parlamentin shqiptar.Urime per guximin dhe perkushtimi qe kini ju si redaksi per te thene fuqishem te verteten ate te vertete qe ketij populli te shume vuajtur mundohen tja mohojne per shkak te disa hajduteve qe kujtojne se bejne politiken e madhe.

  • shume te dobet ju et Gazetes “dita” Kurre nuk so te arrini synimin tuaj, kurre nuk do et kethehet koha juaj. flisni .. flisni…sa liroheni

  • Gangrena morale e shoqerise eshte indeferentizmi, keqinformimi i saj eshte pabesia e mediave te varura, kurse mosorganizimi i shoqerise eshte miopia e inteligjences.

  • Mos e gudulisni nga kembet Salen por te vihen ne radhe ministrat e deputetet e Edit dhe t’i ferkojne topet qe t’i rritet niveli i testosteronit per te folur me fort ne Kuvend.
    Me qe nuk kane takat ta denojne per korrupsion siç tha Edi ne fushate, tani le t’i rruaj topet me seanca se nuk ja del dot menjehere se lodhet e djersin.
    Ç’më bere Sofke – i tha Teto Ollga- ku ma gjete Koçin per Melin”
    Edhe ne me Edin e pesuam si Teto Ollga.
    Koçi i Rilindjes.
    Ja ngulem vetes me kete.
    Eshte nur i zotit Zequa tim, ta pish ne kupë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *