Nuk ka më dilema, Elseid Hysaj është zyrtarisht futbollist i Napolit. Dje, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare ka hedhur firmën mbi kontratë, teksa për 5 vitet e ardhshme do të jetë pjesë e skuadrës napolitane. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, mes lojtarit dhe klubit është zgjidhur edhe çështja e të drejtave të imazhit.
Hysaj ka hequr dorë nga kompania e veshjeve që e sponsorizonte dhe në këtë mënyrë ka nënshkruar zyrtarisht me Napolin. Pas largimit nga Empoli, 21-vjeçari rigjen te Napoli trajnerin Mauricio Sarri. Transferimi i Hysajt i kushtoi klubit të presidentit De Luarentis plot 5 milionë euro. Mësohet se mbrojtësi do të për fitojë 600 mijë euro në vit, pa përfshirë këtu bonuset e parashikuara në kontratë për objektivat e klubit. Tashmë Hysaj duhet të luftojë shumë për të fituar vendin e titullarit, në ndryshim nga Empoli, ku ishte i padiskutueshëm.
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, ka folur për mediat italiane menjëherë pas zyrtarizimit të transferimit të Hysajt. “Mendoj se Napoli ka bërë një blerje të madhe. Hysajn e kam njohur në ekipin kombëtar, rreth dy vjet më parë. Bëhet fjalë për një lojtar me cilësi të shkëlqyera dhe me shumë personalitet në fushë. Unë siguroj tifozët e Napolit se klubi i tyre ka bërë një blerje të madhe”, ka thënë De Biazi.
