Razi Brahimi, kritik dhe studiues i shquar i letërsisë

Dita

Dy ditë më parë, në orën 8.00 të mëngjesit ra telefoni. Dëgjova zërin e mbushur me dhimbje të prof. Nasho Jorgaqit: Fitim, Raziu na la!

Përjetova një ndiesi të dhimbshme, vetëtimthi m’u kujtuan vitet e  shkollës. Një trup i shkurtër, ezmer, hyri ngadalë në auditor, ngadalë filloi të prezantohej dhe po ngadalë filloi leksionin e parë mbi letërsinë e realizmit socialist. Kisha lexuar herë pas here shkrimet e tij në gazetën ”Drita” dhe në revistën “Nëntori”, si dhe disa nga botimet e tij në prozë, por komunikimi direkt ishte befasues, një enciklopedi që më magjepsi, një logjikë e fortë e argument bindës që me emocionoi. Ndjeva se isha me fat që lëndën e letërsisë po e përfundoja në vitin e tretë të Institutit të Arteve me prof. Razi Brahimin.

Përmasat e këtij intelektuali të madh do të shpaloseshin në fushën e pedagogjisë, të estetikës, të studiuesit të letërsisë, të kritikut letrar dhe të arteve, të eseistit,  për më se gjysmë shekulli, në të cilat realizoi një punë të shkëlqyer që mbeti në thesarin e madh të kulturës sonë kombëtare.

Razi Brahimi i përket atij brezi të artë që për gjysmë shekulli i dhanë Shqipërisë, të dalë nga prapambetja shekullore, breza intelektualësh e artistësh që ia ngritën lart traditat e saj artistike. Me artin e ri dhe të shëndetshëm ata krijuan në kulturë të nivelit europian, që e vunë në shërbim të popullit.

Përkushtimi i tij ndaj kulturës kombëtare, zhvillimit të mendimit qytetar, puna didaktike dhe pedagogjike në edukimin e shumë gjeneratave të reja, ishte shembullore dhe dëshmi e preokupimit të tij të përhershëm për çështje të rëndësishme të jetës shqiptare.

Vepra krijuese e Razi Brahimit ka një shtrirje dhe rrezatim të gjerë në mbarë jetën kombëtare, ajo do mbetet dëshmia më e sigurt e përkushtimit të tij patriotik dhe intelektual që do të studiohet dhe referohet nga gjeneratat e ardhshme. Ai mbeti deri në fund të jetës së tij një punëtor i palodhur, një ndërgjegje e rrallë dhe luftëtar për të renë dhe të vërtetën, një shembull frymëzimi për studentët e tij. Ai u bë përfaqësuesi më i afirmuar i mendimit kritik shqiptar, pas çdo diskutimi të çështjeve të rëndësishme politike apo vepre letrare e artistike, shumë nga pedagogët tanë thoshin: ”Të dëgjojmë një herë Raziun”. Ai mbeti mendimi më i përparuar i kohës…

Si erudit dhe si karakter i fuqishëm njëherësh, ai mbeti i papërkulur para tallazeve të jetës shqiptare, mbeti simbol i qëndresës të njeriut të ndershëm që nuk e njohu kurrë kompromisin dhe nënshtrimin. Më kujtohet natyra e tij me një qetësi olimpike, që buronte nga ndershmëria dhe erudicioni i tij i thellë, nga qartësia e thellë ideologjike dhe politike. Na bëri një pushim gjatë leksionit për t’u çlodhur dora, me një buzëqeshje të lehtë na u drejtua: “Shkrova dje një shkrim te Drita, vajta në Lidhjen e Shkrimtarëve, nëpër shkallë pashë Dritëroin. Të shohim do më flasë vallë.

Razi si je, më tha dhe u ngjit lart për në zyrë. “S’e paska lexuar”. mendova. S’kaluan dy minuta dhe më erdhi në tavolinë. Atë shkrimin e kishe bërë mirë, por disa gjëra i kishe të rënda, mirë që na rreh nga një çikë, por nuk na jep as rakinë”.

Sa i rreptë ishte në çështjet parimore, aq dashamirës dhe korrekt ishte me shokët, kolegët dhe studentët, prandaj gëzonte respekt e admirim të madh në mjediset që e njihnin dhe në ato që nuk e njihnin nga afër.

Ai mbeti deri në fund të jetës së tij shembëlltyrë e njeriut të ndershëm, komunist i vërtetë që diti t’i mbronte idealet e tij me të cilat e filloi jetën dhe ja kushtoi pa asnjë rezervë aspiratave humane, sepse besonte në ato dhe në përfaqësuesin më të ndritur të tyre, Enver Hoxhën.

Razi Brahimi nisi fluturimin për të mos u kthyer më, ai mbeti si një shqiponjë e lirë, e pathyeshme me amanetin e madh: çdo gjë për kulturën kombëtare në shërbim të popullit.

Në momente kthesash të mëdha politike e kulturore, Razi Brahimi është kontestuar disa herë, deri në shkallën e mohimit, nga politikanë gjysmë analfabetë, megjithëse ka kontribuar si një bir i denjë i këtij kombi, zemra e të cilit rrahu së bashku me zemrën e popullit.  Me mendimin e tij të thellë, penën e hollë, dhe guximin e rrallë qytetar, ai u kthye në një fenomen njerëzor, në fenomen letrar dhe fenomen kombëtar, që meritoi ndjenja simpatie në mbarë kombin.

*Ish student i Razi Brahimit

Share This Article
2 Comments
  • Historine e Realizmit Socialist, do ta shkruajme vete NE…, shprehet me i famshmi mes shkrimtareve te Epokes.
    Razi Brahimi ishte njera prej Penave qe shkroi kete histori.

    E mbaj mend tek Lidhja e Shkrimtareve, fill pas Renies. Ishin mbledhur nje varg krijimtaresh, qe aty kishin qene edhe me pare, dhe Talentesh Te Vegjel, qe i nxori kohe me liri, (nuk po permend emra per etike dhe respektim te te vdekurit te radhes). Po mburrnin njeri tjetrin ne ate fare feje sa dukej se ne ate salle ishin edhe Lorka, edhe Neruda, edhe Bernsi, edhe Zhaku freng edhe Sergei Rus, edhe…
    Por ku Naim Bej Frasheri ndjehej i vetmuar, varur ne mur.
    Mburretimi ishte galopant, shenje lirie, mbase, por ulur ne nje nga kolltuket, paksa shpinekthyer prej kesaj dukjeje, Razi Brahimi, peshperiste si per veten e tij:
    “Mosni mor djema, mosni…Jo kaq shpejt, jo kaq me zulm…”

    Njihja Valter Brahimin, qe ishte djale i mrekullueshem dhe dinte ku teprohej me Fjalen.

  • Sot nuk mund te cimbis mesuesit e mij te nje kohe te shkuar,as prof.Razi Brahimin,as prof. Kooco Biqikun,as prof.Adriatik Kallullin,as prof.Nasho Jorgaqin,qe ne ate kohe perbenin katedren profesionale te kritikes letrare.Cfare ruajti dhe cfare rrezoi demokratura e komunisteve antikomuniste nga vepra e tyre?Me kete neveri qe kam per delirantin e shkaterrimit,them se ne ate kohe kishte letersi,;kishte edhe kritike letrare.Sot nuk ka letersi e jo me kritike letrare!
    E shihnim me perbuzje buken e zeze,se bota hante buke te bardhe.Tani e dime cfare ha bota.Bota ha bidona plastike me ngjyre te bardhe.ne forme buke.Sot nuk e gjen nje kokerr domate fushe,te kete aromen e fushes,qe kur te cahet te shpertheje lengu,..jo sot ka domate druri sa nje bostan komishte.Nuk na paska genjyer prof.Razi Brahimi.Jo per domaten,por per letersine.Ajo letersi,qe botojne sot mijra zhgarravites,nuk eshte letersi ;eshte OMGJ.Nuk gjen dy vargje si Devoll,devoll,as si Perse mendohen keto male,qe ja permendin autoreve si faj i perjetshem,sikur i kujtojne Lef Nosit kuislingun.
    Prof.Razi Brahimi i cimbiste autoret;nuk i linte te perkundeshin ne flatrat e adhurimit.Edhe korifejte.Miqesia e Razi Brahimit me shkrimtaret me ne ze te Shqiperise ishte si miqesia e Shpiragut me malin e Tomorrit.Ky i qellonte me topuz si Shpiragu,ata e pritnin me shpate si Tomorri.Andaj nuk ju ndane vrragat Razi Brahimit.U prefsh ne paqe profesor,pasi luftove gjithe jeten!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *