Zonat e lira ekonomike, si do të përfitohen lehtësitë fiskale

Dita

Zonave të lira ekonomike, apo siç cilësohen me ligjin e ri Zona të Teknologjisë së Zhvillimit Ekonomik, po ju jepet një prioritet të paktën sa i përket lehtësive fiskale. Edhe pse për momentin nuk funksionon asnjë prej tyre, qeveria shqiptare ka nxjerrë një sërë lehtësish ligjore për të tërhequr vëmendjen e investitorëve të mundshëm.  Por edhe pse duhej të ishte muaji korrik nisja e funksionimit të tyre, akoma procesi ka mbetur i pakonkretizuar. Po cilat janë lehtësitë fiskale, që të paktën janë miratuar në ligj?

Mallrat shqiptare me TVSH zero

Sipas ligjit furnizimi pra hyrja e mallrave shqiptare në zonën e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik trajtohet si furnizim me shkallë zero të TVSH-së, me kushtin që këto mallra të përdoren vetëm për qëllime të veprimtarisë ekonomike që zhvillohet në zonë dhe për të cilën janë destinuar, të furnizuara për zhvilluesin dhe për përdoruesit e vendosur në zonë. Por nga ana tjetër hyrja e mallrave shqiptare në këto zona të cilat nuk përdoren për qëllim të veprimtarisë ekonomike që zhvillohet në zonë, por janë për përdorim apo konsum përfundimtar, nuk trajtohet si furnizim me shkallë zero të TVSH-së.

Përjashtimi nga tatim fitimi

Sipas ligjit të ri “Zhvilluesit e licencuar” të këtyre zonave paguajnë për 5 vitet e para nga fillimi i veprimtarisë së tyre në zonë 50 % të normës së tatimit mbi fitimin të përcaktuar në ligjin specifik tatimor. Lehtësia tatimore llogaritet me fillimin e veprimtarisë ekonomike nga zhvilluesi në zonë. Nga ana tjetër sipërmarrësit, të cilët ofrojnë dhe kryejnë shërbime ndërtimi, montimi, punë mbikëqyrëse etj. të kësaj natyre për “zhvilluesin e licencuar”, nuk përfitojnë asnjë reduktim nga tatimi mbi fitimin në lidhje me veprimtarinë që kryejnë në zonën e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik.

Shpenzimet e zbritshme si shkak amortizimi

“Zhvilluesit të licencuar”, që investon në zonë, brenda tre viteve nga data e fillimit të punimeve, sipas përcaktimeve në marrëveshjen e institucionit përgjegjës me zhvilluesin, i njihen si shpenzime të zbritshme të periudhës tatimore 20% e shpenzimeve kapitale vjetore. Por “Përdoruesi”, që investon në zonë, brenda tre viteve pasi institucioni përgjegjës miraton fillimin e veprimtarisë ekonomike të tij në zonë, i njihen si shpenzime të zbritshme të periudhës tatimore, për një periudhë 2-vjeçare, 20 % e shpenzimeve kapitale vjetore, pavarësisht nga shumat e amortizimit.

Përjashtimi nga taksa vendore

Projektet e ndërtimit brenda zonës, përjashtohen nga pagimi i taksës vendore të ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja, i parashikuar në nenin 27, të ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar. Organi kompetent që lëshon lejen e ndërtimit, nuk kërkon pagimin paraprak apo të mëvonshëm të kësaj takse, por e pajis “zhvilluesin e licencuar” me lejen e ndërtimit. Ndërtimet e realizuara në këto zona përjashtohen gjithashtu nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme (ndërtesa) .

Shpenzimet e zbritshme për pagat dhe kontributet

Sipas ligjit për këto zona, për vitin e parë fiskal të ushtrimit të aktivitetit, shpenzimet për paga dhe kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, që punëdhënësi paguan për punëmarrësit, njihen 150 % të vlerës. Kjo lehtësi jepet si për “përdoruesit”, ashtu edhe për “zhvilluesit e licencuar”.  Kjo lehtësi tatimore nuk përfitohet nga sipërmarrësit e punimeve që operojnë mbi baza kontraktuale për llogari të “zhvilluesit të licencuar”. Në vitet në vijim pas vitit të parë të ushtrimit  të veprimtarisë, shpenzimet shtesë për pagat, në raport me vitin paraardhës, për efekt të llogaritjes së fitimit të tatueshëm, njihen si shpenzime të njohura me 150 % të vlerës. Si bazë krahasimi, në këtë rast, merren shpenzimet mesatare mujore të pagave dhe kontributeve të vitit të parë, të cilat krahasohen me shpenzimet e pagave dhe kontributeve të çdo muaji të vitit të dytë. Nëse nga ky krahasim rezulton rritje e shpenzimeve në muajin përkatës të vitit pasardhës në raport me mesataren mujore të vitit të parë, do të njihet si shpenzim i zbritshëm edhe 50 % e kësaj vlere.

Sanksionet ligjore në rast përfitimi abuziv

Duke qenë se ekziston mundësia që për shkak të lehtësive fiskale që përfitojnë këto zona, të abuzojnë me çmimet në treg, janë parashikuar në ligj dhe sanksionet përkatëse. Kështu nëse produktet dhe mallrat nga këto zona dalin për shitje në tregun e brendshëm me një çmim nën çmimin normal të tregut për produktin në fjalë ose produkte të ngjashme apo të zëvendësueshme në mënyrë direkte, dhe kur i shkaktohet dëm material industrisë vendase, ministria përgjegjëse për ekonominë aplikon një tarifë korrektimi të vlerës së munguar mbi produktin në fjalë. Që nga viti 2007, kohë kur u miratua ligji i parë deri më sot, në vendin tonë  numërohen 9 zona të lira ekonomike, por që deri më tani asnjëra nuk ka funksionuar.

 

Share This Article
1 Comment
  • Mbi cilat troje do te aplikohet kjo politike??? A kane pronar ato? Perse nuk u jepet me pare si kompensim pronareve e me pas te aplikohet kjo politike ku te gjithe do te kene perfitimet e tyre e jo si zakonisht shtetaret dallaveraxhinj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *