“Të shkruash ligje është e lehtë, por të qeverisësh është e vështirë”
Leon Tolstoi
Është bërë zakon tek ne që punët e qeverive të shihen e gjykohen me kritere dhe parametra të skajshëm. Nga njëra anë trumbetohen sukseset, të vërteta dhe të pavërteta, glorifikohen arritjet dhe përparimet dhe, nga ana tjetër, kundërshtarët politikë rrinë gjithë ditën me kovën me bojë të zezë në dorë për të mohuar dhe nxirë gjithçka. Në të shumtën e rasteve e vërteta endet diku midis këtyre dy vlerësimeve të skajshme.
Pas një muaji qeveria aktuale do të mbushë dy vjet të veprimtarisë së saj. Është e dukshme që, në disa aspekte të rëndësishme të konsolidimit të shtetit, kjo qeveri dallon qartazi nga qeveritë e mëparshme. Nuk është shfaqur thjesht si dëshirë apo prirje, por ka qenë një përpjekje shumë e vendosur e qeverisë për ta vendosur vendin në rrugën e ligjshmërisë. Këtu mund të përmenden shumë drejtime dhe disa arritje të luftës kundër paligjshmërisë dhe anormalitetit. Mirëpo qëllimi i këtij shkrimi është evidentimi i disa problemeve të cilat duhej të kishin gjetur zgjidhje, ose duhet t’iu jepet zgjidhje sa më shpejt.
Në luftën e qeverisë për të vendosur ligjshmërinë në jetën tonë shoqërore dhe politike, ka rënë në sy një qëndrim jo i njëjtë ndaj individëve apo kategorive të ndryshme shoqërore që shkelin ligjet. Me gjithë përparimet e bërë për vënien para ligjit të “të fortëve” të rrugës, nuk është vënë re i njëjti qëndrim ndaj “të fortëve” të politikës dhe të biznesit. Duket qartë një lloj ngurrimi, ngadalësimi dhe, madje, tërheqje ndaj ligjshkelësve që zotërojnë pasuri, megjithëse dihet se kur ligjet i shkelin individët me pushtet ekonomik dhe politik, pasojat ndaj vendit dhe popullit janë shumë herë më të rënda se në rastet e ligjshkelësve ordinerë (të rrugës). Sa prej këtyre bosëve të krimit ndodhen sot prapa hekurave? Asnjë. Atëherë, e kujt është qeveria dhe çfarë peshe ka vota e çdo shqiptari në zgjedhje? A janë vërtetë të gjithë shqiptarët të barabartë para ligjit? Veprat flasin shumë më shkoqur se fjalët.
Janë bërë disa hapa seriozë në luftën kundër korrupsionit, por puna e qeverisë është ende larg asaj që kërkon populli dhe e drejta. Si mundet të vazhdojë prej 25 vjetësh një situatë e turpshme dhe kriminale ku administratat e pushtetit qendror dhe lokal, i shkaktojnë çdo vit popullit dhjetëra milionë dëme financiare dhe asnjë zyrtar i lartë nuk shkon në burg? A nuk janë këta banditë të veshur me pushtet shumë më të dëmshëm dhe më të rrezikshëm se disa vjedhës banesash apo makinash? Sa bizneseve të mëdha iu është bllokuar aktiviteti për shkelje të ligjshmërisë dhe të kontratave të punës?
Shohim se disa dikastere nuk funksionojnë si duhet. Shërbimet mjekësore lënë ende për të dëshiruar. Ministri përkatës mund të jetë një “zotni burrë”, por blerja e një helikopteri të ndihmës së shpejtë me një çmim që ngjall dyshime, si dhe dhënia e një tenderi gjigant për bërjen e dializave një firme private krijojnë kontrast dhe e diskreditojnë këtë dikaster, i cili vazhdon të mos sigurojë në vijimësi e në mënyrë të qëndrueshme shërbimet higjienike dhe pajisjet me ilaçe, çarçafë etj. të spitaleve. I papranueshëm për qytetarët ky qëndrim dhe krejtësisht i padenjë për qeverinë. Përse i duhet dhënë një firme private një shumë kaq e madhe parash për bërjen e dializave kur me aq para mund të ndërtohej një spital i tërë modern për të plotësuar nevojat e popullsisë? Pse duhet që shqiptarët të paguajnë, nga xhepi i tyre i përbashkët (buxheti i shtetit), edhe për shërbimet mjekësore që do të marrin në të ardhmen por edhe për të pasuruar dy apo tre individë në të njëjtën kohë? Pse një individ privat qenka më i besueshëm dhe siguruaka shërbim mjekësor më cilësor sesa një rrjet shtetëror shërbimesh mjekësore?!
A nuk janë këto firma private në fushën e mjekësisë, të ngjashme me universitetet private që u mbyllën dhe a nuk kanë ato të vetmin qëllim fitimin material të zhveshur nga humanizmi dhe morali? Kapitalizmi është sistem i iniciativës private, por spitale dhe shërbime mjekësore shtetërore dhe të përziera ka në të gjithë vendet perëndimore. Qeveritë shqiptare të këtyre 25 viteve kanë kaluar në ekstrem me neverinë dhe braktisjen e shërbimeve shtetërore, a thua se vetë shteti nuk përbëhet nga individët.
Gjatë këtyre dy viteve nuk është vënë re ndonjë vëmendje e veçantë e qeverisë ndaj analfabetizmit dhe financimet për arsimin dhe shkollimin në zonat periferike kanë qenë të papërfillshme. Ndërsa individë të pasuruar nëpërmjet krimit i kanë dërguar dhe i dërgojnë fëmijët e tyre në universitetet e Perëndimit, mijëra fëmijë të varfër nuk kanë mundësi të marrin as arsimimin elementar. Dhe, pastaj ne kemi guximin ta konsiderojmë sistemin tonë politik si sistem demokratik. Padrejtësia është e palejueshme, por tallja është e tepërt dhe e padurueshme. Një qëndrim i tillë nuk i lejohet asnjë qeverie, por një qeveri që mëton të jetë e majtë duhet ose të ndryshojë qëndrim ose të heqë mantelin që ka veshur.
Nuk mund të përligjen si politikë e një qeverie të majtë, as disa qëndrime që mbahen ndaj çështjeve të pronave. Ato nuk i përligj as fakti që me ligj i ka rregulluar një qeveri e “djathtë”. Fjala vjen, nuk ka asnjë kuptim që, nga njëra anë, të legalizosh (me pompozitet) grabitjet e pronave të bëra dikur dhe, nga ana tjetër, të nxjerrësh njëqind pengesa (nëpërmjet AKKP dhe Avokatit të Shtetit) ndaj pronarëve të ligjshëm të tokave. Përbëjnë grabitje të kamufluar të pronës tarifat që janë caktuar për dëmshpërblimet e pronarëve që shpronësohen nga shteti për nevoja publike. Këto tarifa, të vëna nga qeveria e mëparshme, janë shumë herë më të vogla se çmimet e tregut. Duke u shtuar këtyre edhe heqjen e të drejtës së ankimit në gjykatë ndaj veprimeve të shtetit lidhur me shpronësimet, atëherë qeveria paraqitet si e përfshirë në qëndrime të padrejta. Kjo vjen në kundërshtim të plotë me premtimet se do bënte drejtësi dhe do ndreqte padrejtësitë, premtime që i dhanë pushtetin dy vjet më parë.
Meqenëse shumica qeverisëse është përbetuar se së shpejti do fillojë reformën në fushën e drejtësisë, na mbetet të presim vjeshtën. Do të ishte miopi në qoftë se do besohej se kalbëzimi i sistemit të drejtësisë nga korrupsioni kriminal do të pastrohej vetëm nëpërmjet ndryshimeve strukturore dhe kompetencave të KLD. E keqja është shumë e thellë dhe e shtrirë në gjithë gjerësinë e mundshme. Kalbëzimi i sistemit të drejtësisë ka infektuar shumë struktura të shtetit. Këtë na e provon më së miri emisioni “Fiks Fare”, i cili nëpërmjet hetimit mediatik ka arritur të zbulojë i vetëm të gjitha rastet e korrupsionit në gjyqësor që kanë përfunduar në sallën e gjyqit. Si është bërë e mundur që një emision televiziv, “Fiks Fare”, që padyshim meriton respektin e mbarë shoqërisë, të konkurrojë të gjitha strukturat e shtetit që kanë për detyrë të luftojnë korrupsionin? Kjo është bërë e mundshme, pikërisht sepse një sistem drejtësie i korruptuar në shkallën më të lartë, është i aftë të paralizojnë gjithë strukturat e ngritura nga shteti për të luftuar krimin dhe korrupsionin.
Asnjë qeveri në botë nuk mund t’i kënaqë gjithë qytetarët e vet dhe as mund të bëjë gjithçka iu nevojitet atyre, mirëpo qeverive nuk iu falet të mos bëjnë gjithçka është e mundshme të bëhet. Është e palejueshme dhe e papranueshme që rrugët e Shqipërisë nuk kanë sistemin e plotë të shenjave, tabelave dhe dritave të trafikut rrugor. Mbetet e pakuptueshme që, edhe pas aksidenteve shumë të njohura për dhimbjet që kanë shkaktuar, përse lejohen në mes të ditës thuajse të gjithë drejtuesit dhe udhëtarët e motoçikletave pa skafandrat mbrojtëse. Si mund të lejojnë organet e mbikëqyrjes së ligjit që në ndërtesa të cilat janë ende në procesin e ndërtimit, të blihen apartamente dhe të jetojnë familje apo të kryhen shërbime të ndryshme si mjekësore, dentare, noterie etj.? Në cilin vend tjetër të botës ndodh kështu?
Përse duhet që qeveria të ketë dikastere të pushtetit lokal prej dy dhjetëvjeçarësh, ku paguhen dhjetëra vetë, dhe Shqipërisë ende i mungojnë emrat e çdo rruge dhe rrugice, numrat e pallateve dhe shtëpive private, si dhe sistemi që mundëson ofrimin e ndihmës së shpejtë mjekësore, zjarrfikëse dhe policore nëpërmjet rrjetit rrugor adekuat? Edhe sa kohë duhet të përfundojë kjo punë e domosdoshme dhe jo shumë e vështirë? Në cilin vend të qytetëruar vihen kazanët e mëdhenj të plehrave në anët e rrugëve kryesore urbane, përveç Shqipërisë, në vend që të vihen pas ndërtesave të banimit dhe bizneseve, dhe në rrugët kryesore të instalohen kosha (kontejnerë) të vegjël në një largësi të caktuar nga njëri-tjetri? Të gjitha sa më sipër janë plotësisht të realizueshme dhe nuk mund të ketë justifikime nga pushtetarët aktualë, qofshin qendrorë apo lokalë.
Edhe administrata shtetërore, qendrore dhe lokale, ka nevojë për përmirësime të mëtejshme. Disa drejtues drejtorish lokale janë turpi i pushtetit dhe po sjellin një dëm të madh ndaj popullit. Dy partitë kryesore të koalicionit qeverisës duhet të koordinojnë më mirë punën dhe të merren vesh më mirë lidhur me vendosjen e drejtuesve rajonalë, pasi disa shërbime nëpër qarqe janë në nivel të mjerueshëm. Duhet të jetë e palejueshme që ende sot të bëhen faturime aforfe të energjisë elektrike. Ankimeve të qytetarëve iu përgjigjen duke u lënë në dorë disa formularë për t’i plotësuar me “argumentin” se “Do t’i verifikojë qendra sepse ne s’kemi gjë në dorë…”, por as pas gjashtë muajve problemet e qytetarëve nuk marrin zgjidhje. Sa e vështirë qenka që objektiviteti i faturimeve të verifikohet në vend?
Detyra e një qeverie demokratike është të pakësojë padrejtësitë dhe të thjeshtëzojë e lehtësojë shërbimet ndaj qytetarëve.
Është prirje e gjithë qeverive të bëjnë shfaqje, por qeverisja aktuale duhet ta minimizojë rreptësisht këtë tendencë. Trumbetimet si arritje i përqindjeve të femrave dhe të të rinjve në parlament apo administratë nuk shprehin realitetin. Për një shoqëri të emancipuar është e domosdoshme jo thjesht të synojë, por edhe të arrijë që në institucionet publike përfaqësimi i kategorive të ndryshme shoqërore të jetë sa më i drejtpeshuar. Por bindja ime, si dhe e shumë të tjerëve, është se dinjitetin një shteti nuk ia japin as mosha dhe as gjinia e zyrtarëve, por integriteti moral dhe kultura e punës së tyre. Janë këto të fundit që e lartësojnë shtetin.
Qeveria shqiptare duhet të heqë dorë nga eksperimentet e tipit Crown Agents. Për mendimin tim, investimi i kësaj firme të huaj ka qenë i dështuar qysh pa filluar. Nuk mund të përdoren paratë e shqiptarëve për t’iu bërë qejfin të huajve, edhe kur ata kanë influencë në politikën botërore. Ndërkohë që detyra dhe zotësia e një qeverie qëndron në ngritjen e një administrate efikase vendase. Siç e ka theksuar me të drejtë edhe një gazetar i nderuar, qeveria shqiptare duhet të tregohet shumë e matur, skrupuloze dhe e rezervuar në dhënien e konçensioneve. Nëse do të vazhdojë me ritmet dhe kriteret e qeverisë paraardhëse, do të fillojë shpejt të bëhet jopopullore dhe, madje, në të ardhmen, edhe antipopullore.
Kam pasur dhe kam bindjen e plotë se Presidenti i sotëm nuk është qytetari shqiptar i merituar për atë post të lartë, por nuk miratoj aspak veprime shëmtarake prej mistrecësh që manifestohen nga ekzekutivi duke e privuar Presidentin nga pushimet në vilat zyrtare shtetërore. Nuk është kjo përgjigjja e denjë ndaj sjelljeve të tij të padenja të mëparshme. Dikush duhet të tregohet i denjë dhe të demonstrojë dinjitetin shtetëror.
Qeveria shqiptare duhet të fillojë sa më shpejt shtimin e investimeve në fushat më të nevojshme me qëllim që të shtohen vendet e punës dhe Shqipëria të bëhet më e pranueshme nga vetë shqiptarët. Një sistem politik që e shndërron vendin në parajsë për një pakicë dhe në ferr për shumicën e popullit mund të jetë gjithçka tjetër por kurrsesi një regjim demokratik. Në një sistem të tillë propaganda, parimet demokratike dhe procedurat moderne të veprimtarisë shtetërore shërbejnë thjesht si perde pas së cilës luhen të gjitha aktet antipopullore.
Pushtetarët aktualë as duhet të ankohen më për “Shqipërinë që na la Berisha” dhe as duhet ta krahasojnë sjelljen dhe qeverisjen e tyre me qeverisjet e atyre që populli i degdisi në rolin e tellallit dhe që sjelljet më të denja dhe arritjet më të mëdha të tyre kanë qenë asgjëbërja. Dy votimet e fundit të shqiptarëve treguan se shumica e popullit i njeh mirë ata dhe nuk ua beson më të ardhmen e tyre. Por, do të ishte tragjike nëse shumica aktuale do ia lejojë vetes të katandiset në nivelin e tyre. Atëherë, nga do ia mbajmë si popull dhe ku do i gjejmë qeveritarët e duhur?

Shyqyr o Viktori nga Fieri qe me ne fund pas vetem dy vitesh(!?!?) more vesh se Ku jemi e ku po shkojme .
Aferim te qofte…..
Me gjithe respektin kesaj radhe ‘ja ke futur si kau peles’!
Mbas 25 vjetesh pa shtet ngaterron qeverrine me paterica me shtetin!
Mbas 25 vjetesh anarki te ‘organizuara’ nga agjentura e ambasadore te flasesh per qeverrine e radhes ‘kujslinge’ eshte miopi intelektuale!
Mbas 25 vjetesh kur ketu nuk flitet per BUKE dhe EKONOMI dhe pasurija kombetare tashme eshte bere rrush e kumbulla do te thote se 25 vjet ke qene i mbyllur ne frigorifer!
Te flasesh pqr qeverritare,kryetar shteti pa shtet e per pushime per te marre avdes’ perben ‘krim’ informacioni kur kjo ‘politike’ 99 perqind duhet ti drejtohet nje gjykate speciale te huaj! THUAJU SHQIPETAREVE TI SI NGA PENAT E PAKETA TE PA VARURA :Sa politikane ish e ata qe jane -jane te ‘MORALSHEM’ e nuk kane pervetesuar asnje qindarke nga populli shqipetar!?