Qyteti japonez i Nagasakit përkujtoi sot 70 vjetorin e sulmit bërthamor të 9 gushtit 1945. Në orën 11: 02 të asaj dite, bombarduesi B-29 “Bockscar” lëshoi mbi qytet bombën “Fat Man”, më të fuqishme se ajo e hedhur tre ditë përpara saj në Hiroshima, ku rreth 74 mijë persona mbetën të vrarë. Ndryshe nga Hiroshima, ku vdiqën 20 mijë ushtarë japonezë, bombardimi i Nagasakit mori pothuajse vetëm jetë civile: vetëm 150 e të vdekurve ishin personel ushtarak.
75 mijë të mbijetuarit e tjerë, të ashtuquajturit “hibakusha” morën plagë praktikisht të pashërueshme. Shkatërrimi i Nagasakit u injorua nga presidenti amerikan, Harry Truman, në fjalimin e tij të 9 gushtit kur njoftoi planet për rindërtimin e pasluftës. Megjithatë çështja, është që Nagasaki ndryshoi për gjithmonë kuptimin që Truman kishte për përdorimin e armëve atomike. Sipas arkivave presidenti nuk dha kurrë autorizimin e tij për përdorimin e bombave: Thjesht u mjaftua të mos ndërhynte në vendimin e marrë nga kupola e ushtrisë. Pas Nagasakit dhe pasi mori raportet e numrit të pakonceptueshëm të civilëve të vrarë në një kohë shumë të shkurtër, Truman dekretoi që armët atomike mund të përdoren vetëm me lejen e presidentit të Shteteve të Bashkuara.
“Nagasaki, qyteti i harruar”, shkruan për New York Times, Susan Southard, autore e librit “Nagasaki, jeta pas lufte”. Në shkrimin e saj për të përditshmen amerikane, Southard argumenton se narrativa zyrtare për të cilën mendohet se ishte ky sulm i dytë që arriti të bindte Japoninë që të dorëzohej është e pasaktë.
Një faktor esencial në dorëzimin japonez, zakonisht të harruar, është vendimi i Bashkimit Sovjetik për të luftuar së bashku me aleatët. “Vetëm 11 orë para bombardimit, një milion e gjysmë ushtarë sovjetikë hynë në Mançuri (në veri të Kinës) dhe sulmuan në tri fronte ushtrinë e lodhur japoneze”, shkruan ajo. Kur erdhën lajmet e Nagasakit në veshët e Perandorit Hirohito, shqyrtimet për dorëzimin vazhduan pa u përmendur bombardimi dhe po atë mbrëmje Japonia miratoi kapitullimin. “Gjithçka ndodhi në një çast”, kujton Yoshida, një nga “hibakushat”, që ishte gjysmë kilometër nga shpërthimi. “Nxehtësia ishte aq intensive sa më bëri si një kallamar të thatë”, shpjegon ai në librin e Southard.
Shpërthimi e goditi në anën e djathtë dhe e hodhi dyzet metra tutje. U ul në një fushë oriz, me fytyrën dhe gjysmën e trupit të djegur. Ata që ishin në epiqendër të shpërthimit avulluan në më pak se tre sekonda nga temperaturat deri 4.000ºC. Shpërthimi theu dritaret në një distancë prej dhjetë kilometrash. “Trupat e karbonizuar mbulonin tokën”, tregon Southard. “Të mbijetuarit dridheshin mes rrënojave e mes britmave të dhimbjes”. Qyteti i Nagasakit kurrë nuk kishte qenë në prioritetet e ushtrisë amerikane për të hedhur bombën e dytë. Ai u vendos në momentin e fundit, së bashku me Niigata dhe Kokura –objektivi fillestar, i paarritshëm për bombardimin për shkak të shikueshmërisë së ulët.
Shpërthimi rrafshoi të paktën gjashtë shkolla, një burg, dy spitale dhe një klinikë, sipas hartës zyrtare të publikuar pas dëmtimit nga ushtria amerikane. Por fakti ndoshta më pak i njohur është se vendndodhja e saktë e shpërthimit ka pasur rëndësi të madhe në zhvillimin social të Nagasakit dhe lëvizjeve pacifiste lokale, një fakt që ka kontribuar në lënien në hije të tragjedisë, sepse shpërthimi mori me vete dhe çekuilibrin fetar që ekzistonte në qytet.
Bomba nuk shpërtheu në Nagasakin qendror, por në një lagje tre kilometra në veri, e quajtur Urakami, ku jetonin dy grupe jashtë shoqërisë tradicionale: pasardhësit e “Kakure kirishitan” të krishterët që jetonin të fshehur që nga shekulli XVII, kur Japonia mbylli dyert për fetë e huaja, dhe të ashtuquajturat “Burakumin” që konsideroheshin parazitë socialë. Bomba u mori jetën e 8,500 të krishterëve të qytetit dhe 300 nga 900 “burakumin”. Për shumë praktikues të fesë amtare Japoneze, shintoizmi, shpërthimi i Nagasakit u konsiderua si një ndëshkim hyjnor.
Fakti që pjesa më e madhe e popullsisë e konsiderojnë edhe shpërthimin e bombës si një fenomen providencial nuk lejoi shfaqjen e lëvizjeve pacifiste aq me ndikim sa ajo e Hiroshimës. Në fakt nuk ka asnjë një monument që të kujton tragjedinë, siç ka për Hiroshimën – kupola atomike, e deklaruar Trashëgimisë Botërore nga UNESCO në 1966. Charles Sweeney, piloti i “Bockscar”, ishte një katolik i devotshëm i cili përfundoi duke bërë donacione në jetimoren e qytetit, e vizitoi qytetin në shtator të vitit 1945 dhe madje i kërkoi Papës që Vatikani të jepte mbështetjen e tij të plotë për viktimat e sulmit, sipas agjencisë japoneze të lajmeve Kyodo News. Kështu, përgjigja e mbytur e popullit të Nagasakit gjatë viteve pas sulmit është bërë pjesë e thënies popullore: “Ikari no Hiroshima, Inori no Nagasaki” (Hiroshima xhindoset, Nagasaki lutet).
