Në konkurset e pranimit për degët e arteve dhe të sporteve do të marrin pjesë vetëm kandidatët që gjatë plotësimit online të formularit A2 kanë renditur këto programe si pjesë të 10 preferencave të përzgjedhura për vijimin e studimeve të larta. Udhëzimi i zbardhur zyrtarisht gjatë ditës së djeshme nga dikasteri i arsimit përcakton se duke nisur nga dita e sotme këta kandidatë duhet të paraqiten pran sekretarive mësimore të fakulteteve përkatëse për të bërë regjistrimin për konkursin e pranimit i cili do të zhvillohet sipas një kalendari të përcaktuar në mbyllje të muajit gusht. Konkurset do të jenë individuale dhe do të zhvillohen në tre faza sipas llojit të programit që kandidati kërkon të ndjekë. Një javë është afati i lënë në dispozicion të maturantëve për të kryer procedurat e regjistrimit të hyrjes në konkurse. Për regjistrimin në konkurs kandidati duhet të dorëzojë ndërmjet datave 12-18 gusht pranë sekretarive mësimore të secilit fakultetet mjetin e identifikimit, fotokopjen e diplomës dhe listës së notave të shkollës së mesme, të noterizuar, si dhe mandatpagesën e tarifës së regjistrimit. Ndërsa kandidatet që përfitojnë nga kuotat e akorduara për shqiptaret jashtë kufijve të vendit, të verbrit, Romet dhe Ballkano-Egjiptianët, invalidët paraplegjikë e tetraplegjikë, jetimët,shtetasit e huaj, si dhe kandidatët që aplikojnë për program të dytë studimi apo
transferim studimesh, që do të marrin pjesë në konkurset e pranimit për këto programe gjithashtu duhet të aplikojnë drejtpërdrejtë në institucionet përkatëse të arsimit të lartë publik. Tarifa e regjistrimit për të gjitha degët në të cilat përzgjedhja e fituesve do të bëhet si rezultat i kombinimit të pikëve të konkursit dhe atyre të maturës, është 5000 lekë. Konkretisht sipas udhëzimit të zbardhur gjatë ditës së djeshme nga autoritetet e arsimit renditja e fituesve në degët e arteve do të bazohet në masën 30 për qind nga pikët e maturës dhe 70 për qind nga pikët e konkursit. Ndërsa në degët e sporteve raporti i plotë i pikëve të maturës dhe konkursit llogaritet në masën 50 me 50. Sipas afateve të vendosura, konkurset e pranimit do të zhvillohen ndërmjet datave 17 dhe 29 gusht, sipas kalendarit të detajuar për secilin universitet. Bashkangjitur shkrimit gjeni të detajuar raportin ndërmjet pikëve minimale dhe maksimale që ka shpallur MAS për të gjitha degët me konkurs. Pavarësisht rezultateve të grumbulluara në provimet e maturës, kandidatët që gjatë të tria fazave të testimit që do të zhvillohen gjatë mbylljes së muajit gusht nuk do të marrin pikët minimale të përcaktuara, nuk kanë të drejtë të vijojnë studimet e larta në një nga këto degë. Konkurset do të nisin më herët, përkatësisht në datën 19 gusht në programet e Universitetit të Sporteve në Tiranë, si dhe programeve të ngjashme në Shkodër dhe Elbasan. Më pas në datat 26 deri në 29 gusht do të zhvillohen tre fazat e testimeve speciale për kandidatët që do të kërkojnë vijimin e studimeve në programet e tre fakulteteve të Universitetit të Arteve të Tiranës. Rezultatet finale të pikëve për këta kandidatë do të përllogariten vetëm pasi të jenë shpallur edhe pikët e fituara në konkurset e pranimit.
Datat e zhvillimit të konkurseve për secilën degë
Në Universitetin e Arteve konkurset do të zhvillohen nga data 26-29 gusht 2015.
Në Universitetin e Sporteve të Tiranës testimet specifike do të zhvillohen ndërmjet datave 19-27 gusht.
Në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, për degën edukim fizik e sporte konkursi zhvillohet në 19-24 gusht
Në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan , në degën edukim e sporte testimet zhvillohen nga data 19-24gusht.
Në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit për të gjitha programet e studimit konkurset zhvillohen në datat 19-21gusht.
Tarifat e regjistrimit do të jenë 5 mijë lekë në çdo universitet dhe do të arkëtohen nëpërmjet sistemit bankar ose në filialet e postës.
Formula e llogaritjes së pikëve për programet me konkurse
Pikë Matura- Janë pikët e llogaritura me formulën e paraqitur më sipër.
Pikë Max Matura– Janë pikët e llogaritura me formulën e mësipërme, por ku të katër notat D1,
D2, Z1, Z2 janë të barabarta me 10, koeficientet KSH, KZ1 dhe KZ2 janë në varësi të programit të studimit, ndërsa pikët mesatare (MES) janë 11.38.
% Maturës– Është përqindja që zënë pikët e maturës në programet e studimit me konkurse.
Pikë Konkursi– Janë pikët që ka fituar kandidati në konkursin përkatës.
Pikë Max-Konkursi– Janë pikët maksimale që mund të merren në konkurrim.
% Konkursi– Është përqindja që zë konkursi në Maturën Shtetërore.
Kuotat e pranimit për Universitetin e Arteve, Tiranë
Regji Filmi dhe Televizioni 14
Aktrim 12
Regji 12
Skenografi – Kostumografi 12
Koreografi 14
Pikturë 65
Skulpturë 12
Muzikologji 3
Kompozim 4
Dirizhim 4
Piano 8
Violinë 8
Violonçel 4
Violë 4
Kitarë 8
Kontrabas 2
Flaut 2
Oboe 2
Klarinetë 3
Fagot 2
Korno 3
Trombë 3
Trombonë 3
Bastub 1
Kanto 8
Pedagogji Muzikore 15
Fizarmonikë Klasike 2
Kuotat për Universitetin e Sporteve të Tiranës
Shkencat e Lëvizjes 110
Fushat e Veprimtarisë Fizike, të Shëndetit dhe të Rekreacionit 100
Njohja e diplomave të shkollës së mesme për kandidatët nga trojet
Po gjatë ditës së djeshme MAS ka njoftuar edhe çeljen e procedurave për ekuivalentimin e diplomave të kandidatëve që vijnë nga trojet për të vijuar studimet në një nga fakultetet publike të vendit gjatë vitit të ri akademik 2015-2016. “Të gjithë kandidatët nga Republika e Kosovës, si dhe kandidatët shqiptarë nga Maqedonia, Mali i zi, Presheva, Bujanovci dhe Medvegja, që dëshirojnë të ndjekin studimet universitare, me kohë të plotë, në ciklin e parë të studimeve, në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë në Universitetin e Tiranës për vitin e ri akademik, njoftohen se afati i fundit për dorëzimin e kërkesës dhe dokumentacionit për njohjen e diplomave të shkollës së mesme është deri në datën 21 gusht 2015. Dokumentet për të ekuivalentuar titujt e studimeve bëhet pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve. Njohja e diplomës së shkollës së mesme është kusht për aplikimin në Institutet e Arsimit të Lartë shqiptare”, thuhet në udhëzimin e MAS. Dokumentet e domosdoshme që duhen dorëzuar në Komisionin e Posaçëm përfshijnë: “Fotokopjen e dokumentit të identifikimi, diplomën e shkollës së mesme (të përkthyer dhe të noterizuar), dëftesat origjinale të të gjitha viteve të shkollës së mesme (të përkthyera dhe të noterizuara). Dokumentin që vërteton dhënien e provimeve të barasvlershme me Maturën Shtetërore në Shqipëri. Në këtë dokument të jenë pasqyruar rezultatet për çdo lëndë të dhënë provim kombëtar”.
