Të zgjohesh në mes të operacionit, makthi i një nëne 32-vjeçare në Britani

anazapta

E shtrirë mbi tavolinën e operacionit, e paralizuar, duke ndier çdo prerje që bisturia bën mbi trupin tënd, por pa mundur të nxjerrësh zë. Nuk është fragment nga filmi “Awake”, por frika më e madhe e një pacienti që duhet të futet në sallën e operacionit. Një studim i kryer në Britani tregon se 150 persona e kanë kaluar një makth të tillë gjatë vitit 2011. 32-vjeçarja Sarah Njuton, nënë e dy fëmijëve tregon makthin e përjetuar pasi u zgjua gjatë operacionit në stomak. Gruaja që u dëmshpërblye nga spitali me 30 mijë paund për minutat e ngjashme me filmat horror  tregon historinë e saj.

“Nuk ka fjalë për të përshkruar si u ndjeva. Ndieja çdo prerje që më bëhej dhe perceptoja stomakun tim të hapur. Nuk e dija nëse po shihja ëndërr apo isha zgjuar, por ndieja dhimbjen e jashtëzakonshme dhe nuk mund të flisja. Përpiqesha të bërtisja, por nuk mundesha. U përpoqa të lëvizja gishtat e këmbës apo qerpikët për të dhënë shenjë se po ndieja gjithçka, por ishte e pamundur. Ideja e të qenit në një kurth ishte akoma më e keqe se dhimbja. Nuk kam përjetuar në jetën time situatë të tillë paniku. Fillova të besoja se do të vdisja. Më dukej sikur po më torturonin dhe unë nuk isha në gjendje të bëja asgjë. Më erdhën ndërmend fjalët e kirurgut para operacionit dhe e kuptova se gjithçka po i afrohej fundit. Ndieja çdo qepje në trup dhe e dija numrin e saktë të tyre. 40 minuta më pas isha duke bërtitur si e çmendur në dhomën e reanimacionit”, tregon ajo.

Gruaja e paditi spitalin dhe fitoi gjyqin, por vuajti për gjashtë muaj me radhë nga stresi posttraumatik, duke mos dalë nga shtëpia fare gjatë kësaj kohe. Ajo thotë se nuk do të operohet më kurrë, cilado qoftë arsyeja.

Studimet tregojnë se 1- 2 pacientë në 1000 të tillë zgjohen gjatë operacionit. Në disa raste ata perceptojnë zhurmat rreth tyre, por ka shumë raste si ai i Sarah, kur përjetojnë të gjithë operacionin duke ndier dhimbjet njësoj sikur të mos kishin marrë anestezinë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *