Qeveria parashikon një ristrukturim tërësor të taksave të cilat paguhen pranë njësive vendore. Është botuar dje në Fletoren Zyrtare, edhe Strategjia ndërsektoriale për decentralizimin dhe qeverisjen vendore 2015–2020. Në këtë Strategji, ekspertët e qeverinë parashikojnë dhe një ndryshim të taksës së pasurisë. Taksa e pasurisë do t’i nënshtrohet një reformimi rrënjësor duke ndryshuar parimin kryesor të kësaj takse nga një taksë mbi bazë sipërfaqen në një taksë mbi bazë vlerën e pasurisë së paluajtshme. Reforma do të prekë të gjithë komponentët e taksës, përfshirë krijimin e një kadastre fiskale të posaçme për këtë taksë. Si rezultat i reformës në taksën e pasurisë parashikohet që në një periudhë afatmesme ajo të jetë burimi kryesor i të ardhurave të veta të qeverisjes vendore.
Planifikimi i territorit, administrimi i tokës
Sipas kësaj strategjie, planifikimi i territorit do të vazhdojë të jetë një funksion i qeverisjes vendore. Në përputhje me planet strategjike të zhvillimit, çdo bashki do të hartojë dhe miratojë planet territoriale që do të jenë në harmoni me planet rajonale dhe me Planin e Përgjithshëm Kombëtar. Ligji i ri për planifikimin e territorit i jep kompetencë bashkive dhe qarqeve për hartimin dhe miratimin e planeve të zhvillimit të territorit dhe lejeve të zhvillimit. Në zbatim të reformës territoriale do të rishikohen planet ekzistuese të zhvillimit të territorit. Në legjislacionin për financat vendore do të rishikohet taksa mbi tokën urbane dhe taksa e ndikimit në infrastrukturë, si edhe disa instrumente të tjera financiare (taksa, tarifa, kontribute etj.), me qëllim që të sigurohen burimet e duhura financiare për qeverisjen vendore.
Reforma në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve
Sektori i ujësjellës-kanalizimeve do t’i nënshtrohet një reformimi tërësor. Në periudhën afatmesme i gjithë kuadri rregullator dhe financiar do të rishikohen duke synuar që të vendosen standarde të reja në sistemin e prodhimit të ujit, shpërndarjes dhe menaxhimit të ujërave të ndotura. Rivlerësimi i sistemit të tarifave të ujit do të bëhet në kuadrin e vlerësimit financiar të të gjithë sektorit. Krijimi i një legjislacioni për shërbimet publike/ndërmarrjet publike do të jetë prioritet afatshkurtër. Në kuadrin e reformës administrative ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve dhe asetet e tyre do t’i nënshtrohen rikonfigurimit / bashkimit të tyre sipas ndarjes së re administrative me 61 bashki.
Shërbimet sociale
Funksioni i ofrimit të shërbimeve sociale vendore do të decentralizohet dhe do të kalojë në kompetencë të bashkive. Në çdo bashki do të krijohen zyrat e shërbimeve sociale të integruara të cilat do të sigurojnë identifikimin, vlerësimin dhe trajtimin e individëve dhe familjeve në nevojë përmes programeve të ndihmës ekonomike dhe të kujdesit social. Do të rishikohet ligji për ndihmën ekonomike dhe shërbimet shoqërore, si dhe do të hartohet një “shportë e shërbimeve bazë sociale”, të cilat do të financohen mbi bazën e një mekanizmi të përbashkët financimi. MMRS-ja do të mbështesë me kapacitete dhe mjete NJQV-të për hartimin e planeve vendore të shërbimeve sociale. Bashkitë do të kenë kompetencë të ofrojnë shërbime sociale përtej “shportës së shërbimeve bazë”, të cilat do të sigurojnë mbështetjen për nevoja specifike në bazë të vlerësimit të nevojave. Bashkitë do të mbështeten për përmirësimin e kapaciteteve menaxhuese dhe cilësisë së shërbimeve sociale në lidhje me institucionet rezidenciale, qendrat ditore, qendrat komunitare, shtëpitë e të moshuarve etj., të cilat do të jenë pjesë e prioriteteve të qeverisë në sektorin social.
Strehimi social
Strehimi social do të reformohet në harmoni me strategjinë e re të strehimit. NJQVtë do të nxiten për të krijuar bashkëpunime me sektorin privat dhe/ose jo fitimprurës për të siguruar një strehim të përballueshëm për shtresat në nevojë, duke ofruar lehtësi fiskale dhe troje publike për strehim social. Çdo bashki e re do të ketë planet 10-vjeçare të strehimit social dhe do të planifikojë fondet specifike për këtë funksion. Qeveria qendrore do të vijojë politikën e investimeve nëpërmjet Entit Kombëtar të Banesave duke plotësuar kërkesat në rritje të bashkive. Kapacitetet e bashkive për administrimin e kërkesave për strehim social dhe menaxhimin e stokut të banesave sociale do të jenë objektiv për t’u mbështetur në periudhën afatmesme.

Sa po ne delet e urta arrijme te kuptojme e te zbatojme nje ligj qeveria na e ndryshon.
Nuk arrijme as ti mesojme ligjet kur tak ju i ndryshoni!!!
Mire qe u kujtuan sepse per te njejten siperfaqe kemi paguar njelloj me ate qe fiton qindra here
me shume se ne fakiret pa “perkrahje”.