Vetëm një sportiste kuqezi në evenimentin më të rëndësishëm të vitit në atkletikë. Shqipëria do të përfaqësohet me Luiza Gegën në Kampionatin Botëror të Atletikës, që do të zhvillohet në Pekin. Rekordmenia shqiptare do të konkurrojë në disiplinën e 1500 metrave në aktivitetin në Kinë, që zhvillohet nga data 22 deri më 30 Gusht.
Pjesëmarrja e Luiza Gegës si atletja e vetme nga vendi ynë u konfirmua nga Federata Ndërkombëtare e Atletikës. Në faqen zyrtare, IAAF publikoi edhe listën provizore të hyrjes në Kampionatin Botëror për një total prej 1936 atletësh të regjistruar.
Kampionia e pistave zgjodhi të garojë vetëm në 1500 metra, që është edhe disiplina e saj e preferuar. Në këtë distancë, Gega vendosi tre muaj më parë në Doha edhe kohën më të mirë sezonale, me 4 minuta, 2 sekonda e 63 të qindtat, që është edhe rekord Kombëtar.
Gega është mes 41 atleteve nga 22 vende të ndryshme që garojnë në 1500 metra në evenimentin në Pekin. Objektivi kryesor i kampiones kuqezi është të kualifikohet në finalen e kësaj disipline.

Ku kemi atletike ne!As kemi pasur ndonjehere!