Emri që frikëson më shumë kroatët e Dinamos së Zagrebit nuk është ai i një futbollisti të Skënderbeut, por i trajnerit të skuadrës shqiptare që kërkon të bëjë historinë në Ligën e Kampioneve, Mirel Josa. Strategu i skuadrës korçare u ka kujtuar mediave kroate bilancin e tij në arenën ndërkombëtare me ekipet nga ky vend, pasi në të kaluarën ka arritur të eliminojë skuadrat kroate në të dyja rastet që është përballur me to.
“Dy herë në karrierën time si trajner jam ndeshur me klube kroate. Në Tiranë, në vitin 2006, luajtëm kundër Varteksit, i cili drejtohej nga Zlatko Daliç”, ka treguar Josa për “24sata.hr”. Asokohe, bardheblutë e Tiranës fituan 2-0 ndeshjen e parë, ndërsa me barazimin 1-1 në transfertë, siguruan kalimin në turin e dytë të Europa League. Nga një gol në secilën ndeshje u shënua nga Hamdi Salihi, i cili është gati të përsëritet përballë një tjetër ekipi kroat, duke veshur tashmë fanellën e Skënderbeut.
Një vit më vonë, Josa ishte në drejtimin e Vllaznisë, me të cilën merrte pjesë në Kupën Intertoto. Këtë radhë, kundërshtare ishte skuadra e NK Zagreb me trajner të famshmin Miroslav Blazheviç, ndërsa në sulm kishte Mario Manxhukiç në fillimet e karrierës së tij. Shkodranët fituan 1-0 në shtëpi, ndërsa humbja 2-1 në transfertë i lejoi të kalonin në turin tjetër. “I eliminuam, ndërsa në fund të ndeshjes m’u afrua trajneri i tyre, Çiro Blazheviç, më shtrëngoi dorën dhe më tha: Të lumtë, je një trajner i madh! Ndeshja kundër Dinamos do të jetë e treta për mua kundër një ekipi kroat. Deri tani kam bilancin 100% suksese kundër ekipeve kroate, nuk më ka eliminuar asnjë prej tyre”, ishte paralajmërimi i Josës për Dinamon e Zagrebit.
Trajneri ka pranuar se ndeshjet kundër kampionëve të Kroacisë ishin më të rëndësishmet e karrierës së tij në pankinë, pasi kualifikimi i Skënderbeut në fazën në grupe të Ligës së Kampioneve do të ishte historik për futbollin shqiptar. Ai është i ndërgjegjshëm se dueli nuk do të jetë aspak i lehtë. “Dinamo e Zagrebit aktualisht nuk është mirë, po luan keq, por kjo nuk më lumturon. Ajo është një skuadër e fortë dhe nuk do të luajë keq edhe për shumë kohë, gjërat do të ndryshojnë herët a vonë. Kam vënë re se kanë një trajner të madh. Por nuk ndoqa ndeshjen e tyre të fundit. Mua më kujtohet më shumë ekipi që luante në ish-kampionatin jugosllav, për të cilin kisha simpati, më kujtohen shumë lojtarë të mëdhenj si Mlinariç, Kranjcar, Boban. Ai është një klub i madh, por ne nuk do të dorëzohemi”, ishte premtimi i Josës./shqip

Epo e treta e verteta