Dëmtimi i Marketit rihap dyert e Ligës së Kampioneve për Berishën

redaktor

Fati i Etrit Berishës ka ndryshuar në mënyrë të papritur brenda pak ditësh. Në mesjavë, futbollisti kishte dhënë sinjale se po mendonte largimin nga Lacio, pasi edhe në Ligën e Kampioneve do të ishte titullar Federiko Marketi. Dëmtimi i portierit italian dy ditë më parë ka rezultuar më i rëndë sesa mendohej, ndaj portieri shqiptar pritet të jetë titullar në sfidën e Ligës së Kampioneve kundër Bajer Leverkusen, duke nisur sezonin si titullar.

Mungesa e minutave në fushën e lojës kishte shqetësuar Berishën, i ndërgjegjshëm se në këtë mënyrë nuk po bënte hapa para në karrierën e tij. Titullari i padiskutueshëm i kombëtares shqiptare të futbollit, përfundoi në stolin e rezervave edhe në ndeshjen e Superkupës së Italisë, ndonëse ai ishte “portieri i kupave” të Lacios. Gjatë javës së kaluar, trajneri Pioli filloi të planifikonte Marketin edhe në Ligën e Kampioneve, duke i besuar atij vendin në formacionin titullar për sfidën kundër Bajer Leverkusen. Kjo bëri që Berisha të planifikonte një takim me drejtuesit e klubit për të sqaruar pozicionin e tij në prag të sezonit të ri, ku hapësirat dukeshin gjithnjë e më të kufizuara.

Situata ka ndryshuar në mënyrë drastike në dy ditët e fundit, falë një dëmtimi të Marketit në stërvitjen e të shtunës. “Ka frakturë në dy brinjë. Nuk është diçka shumë e rëndë, por dhembja kushtëzon praninë e tij në fushë. Ka filluar medikamentet, por situata e tij do të kontrollohet çdo ditë”, ishin fjalët e mjekut të Lacios, Roberto Biankini. Fillimisht u mendua se klubi do të provonte riaftësimin e tij deri në ditën e fundit, por mediat italiane kanë bërë të ditur se Pioli është i vendosur t’i besojë portën portierit shqiptar të paktën në ndeshjen e parë kundër Bajer Leverkusen që Lacio luan të martën në shtëpi.

Nga kjo ndeshje e parë do të varet edhe e ardhmja e Berishës te Lacio. Portieri shqiptar ka mundësinë t’i tregojë trajnerit Pioli jo vetëm se e meriton të luajë në Ligën e Kampioneve, por edhe se duhet të jetë titullar i padiskutueshëm në radhët e skuadrës italiane. Kur firmosi për Lacion në vitin 2013, Berisha mendonte se së shpejti do të ishte ai portieri i parë i klubit të kryeqytetit italian. Një paraqitje bindëse që do të ndihmonte kualifikimin e Lacios në fazën në grupe të Ligës së Kampioneve do të ishte arsye më se e mjaftueshme për të bindur klubin se ka ardhur koha që ai të cilësohet si numri 1 në hierarkinë e portës së skuadrës bardhekaltër.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *