Sot, 5 vjet nga tragjedia e Gërdecit

redaktor

Ishte ditë e shtunë, fiks pesë vjet më parë kur në një “fabrikë” për demontimin e armëve në Gërdec më 15 mars 2008 ndodhi shpërthimi i tmerrshëm rreth orës 12:05 të mesditës. Nga shpërthimi humbën jetën të paktën 26 persona. Shpërthimi shkaktoi me qindra të plagosur dhe shumë shtëpi pësuan dëmtime të shumta. Disa humbën jetën në çast, dhe disa të tjerë humbën jetën më pas në spital. Ngjarja pushtoi të gjithë televizionet e vendit por pushtoi edhe ekranet e shumë kanaleve të huaja (si Euro News, CNN e të tjerë), ku ngjarja mori prioritet. Me të drejtë pyetet pesë vjet pas tragjedisë: Kush u ndëshkua për shpërthimin dhe humbjen e 26 jetëve njerëzore? Askush! Proceset gjyqësore hynë në një rreth vicioz të pafundmë dhe dëshmuan kapjen e drejtësisë. Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, një nga të akuzuarit kryesorë, do të jepte dorëheqjen pak ditë mbas tragjedisë. Ai nuk pranoi se kishte përgjegjësi për shpërthimin ose ndonjë lidhje korruptive në tregtinë e armëve dhe u shpreh se dorëheqja nga posti ministror ishte një “…përgjegjësi morale.” Një vit më vonë ai do të shpërblehej me një post tjetër ministror të cilin e mban edhe sot e kësaj dite! Kështu dhe të akuzuarit e tjerë. Më pas opozita do të akuzonte drejtpërdrejtë qeverinë si shkaktare të tragjedisë. Ngjarja la një shije të hidhur në opinionin publik, por do të ishte artikulli i gazetës së madhe “New York Times” ai që do të shkaktonte debate të ashpra politike në Parlamentin e Republikës së Shqipërisë. Artikulli i shkruar nga C. J. Chivers, Eric Schmitt dhe Nicholas Wood, i publikuar më 27 mars të vitit 2008, nuk u mor parasysh nga qeveria, madje kryeministri Sali Berisha e quajti artikullin “Letër higjienike”. Ja pse edhe pesë vjet më pas plagët e Gërdecit vazhdojnë të dhembin… ndërsa ka filluar fushata për zgjedhjet e 23 qershorit dhe Berisha tenton të fitojë një mandat të tretë qeverisës, duke fajësuar për gjithçka opozitë. Dje nga Brukseli Berisha tha se opozita po përgatit për demonizimin e zgjedhjeve dhe se Rama nuk do të njohë rezultatin e tyre! Por a do të thotë sot ndonjë fjalë Kryeministri për tragjedinë e Gërdecit, qoftë edhe nga Brukseli? Të paktën t’u kërkojë ndjesë familjarëve të viktimave.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *