Serbia në fokus mbi dhunën ndaj azilkërkuesve

redaktor

Në një kohë kur Evropa po përballet me flukse të larta azilkërkimi, nga persona që i ikin zonave të konflikteve dhe jo vetëm, tërheq vëmendjen mënyra se si strukturat shtetërore menaxhojnë këtë situatë. Menaxhim, që kërkon përgjegjshmëri, organizim të strukturuar, si edhe detyrim për respektim të të drejtave të njeriut. Përtej skenave, që nuk kanë nevojë të komentohen mbi trajtimin e azilkërkuesve në ishuj të Greqisë, edhe Serbia është futur në fokusin monitorues të organizatave të të drejtave të njeriut për dhunë sistematike ndaj kësaj kategorie. Por, ç’situatë pasqyrojnë këto raporte dhe si do të reflektohen ato ndaj Serbisë, në një nivel evropian ?

Karakteri detyrues ligjor për Serbinë, për respektimin e të drejtave të njeriut dhe sidomos në rastin konkret të të drejtave të azilkërkuesve, buron nga nënshkrimi i Konventës së Kombeve të Bashkuara (1951) mbi Statusin e Refugjatëve dhe protokolleve të saj (1967). Në këtë mënyrë Serbia, po ashtu si edhe vendet e tjera palë nënshkruese të Konventës, kanë detyrimin të sigurojnë respektimin e të drejtave të azilkërkuesve në çdo fazë të saj, duke filluar që me hyrjen në territor në mënyrë të parregullt të azilkërkuesve, duke i krijuar të gjithë hapësirën e duhur ligjore, për të shpjeguar pse kanë zgjedhur këtë mënyrë penetrimi në territor dhe në ç’kushte detyruese kanë qenë; duke vazhduar me mundësinë për depozitimin e kërkesave për azil, qoftë verbalisht qoftë nëpërmjet procedurës së shkruar; duke vijuar më tej me sigurimin e kushteve për strehim dhe ushqim, deri në një procedim përfundimtar në lidhje me dosjet përkatëse.

Por, çfarë ndodh realisht në terren ?

Azilkërkuesit, që arrijnë të penetrojnë në territorin serb, përplasen me fenomene, që jo vetëm dhunojnë hapur liritë dhe të drejtat e njeriut, por kanë një karakter të hapur antiligjor dhe me sa duket janë të shoqëruara edhe me një klimë imuniteti shtetëror pandëshkueshmërie.

Raportet monitoruese të organizatave të të drejtave të njeriut si, Human Rights Watch apo Amnesty International, evidentojnë raste të hidhura dhunimi sistematik nga ana e strukturave shtetërore, forcave policore dhe agjentëve të ndryshëm ligjzbatues në terren.

Këto dhunime prekin mohimin e së drejtës për të kërkuar azil, duke mos i lejuar personat të penetrojnë në territorin serb dhe si rrjedhojë duke mos i mundësuar atyre as depozitimin e një kërkese formale për kërkim azili. Por, ky është vetëm fillimi, pasi sipas fakteve të raportuara, këto persona bien pre e dhunës së pajustifikueshme policore, duke filluar nga dhuna verbale, psikologjike e deri tek ajo më e rënda dhuna fizike. Kjo dhunë nuk kursen as minorenët apo fëmijët (poshtërim psikologjik, fizik, goditje me grushte, shkelma nëpër trup, apo shkopinj, spërkatje me sprajt djegës, etj),

Përtej dhunës, raportet evidentojnë edhe grabitje sistematike nga forcat policore të shumave të ndryshme financiare dhe objekteve me vlerë, që azilkërkuesit kanë me vete. Duke u përmbyllur me përzënien e tyre me forcë nga territori serb. Ky trajtim degradues është i njëjtë edhe në ambientet izoluese, apo ambientet e burgimit, duke i mbajtur gjithashtu në kushte jo njerëzore.

Në thyerje të ligjeve ndërkombëtare

Por, alarmi i ngritur nga organizatat e të drejtave të njeriut, prek edhe karakterin juridik të kësaj situate, pasi Serbia ka detyrimin ligjor si nënshkruese e Konventave, të respektojë detyrimet, që rrjedhin prej tyre.

Ligji ndërkombëtar e ndalon absolutisht burgosjen e azilantëve dhe të migrantëve. Kjo gjë lejohet të ndodhë vetëm në raste të jashtëzakonshme, pasi janë shteruar mjetet e tjera të mundshme alternative dhe duke u justifikuar vetëm si një masë e nevojshme, me karakter proporcional dhe në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare.

Ligji ndërkombëtar për mbrojtjen e fëmijëve ndalon rreptësisht burgosjen e tyre. Konventa për të Drejtat e Fëmijëve siguron një mbrojtje të rëndësishme edhe ndaj fëmijëve apo minoreneve të pashoqëruar, të cilët duhet t’u sigurohen kushtet e duhura si edhe asistencë dhe mbështetje nëpërmjet një avokati apo mbrojtësi ligjor për të përfaqësuar sa më mirë interesat e tyre

Jo vetëm e drejta ndërkombëtare, por edhe e drejta serbe e ndalon keqtrajtimin dhe përdorimin e një force të pajustifikuar dhe të tepruar nga forcat policore. Kjo e drejtë njeh edhe mekanizmat e saj kundërveprues, për të frenuar, ndaluar apo ndëshkuar raste të tille.

Kthimi i detyruar i azil-kërkuesve dhe sidomos i fëmijëve të pashoqëruar pa i krijuar garancinë e depozitimit të kërkesës së azilit, bien në dhunim me detyrimet e Serbisë ndaj të drejtës kombëtare si edhe asaj ndërkombëtare. Nënshkrimi i Konventës së 1951 e detyron Serbinë të respektojë tërësisht të drejtën e azilit dhe parimin e mos përzënies me forcë të azilkërkuesve, dhe ndalimin e kthimit të tyre drejt vendeve, që rrezikojnë persekutimin.

Sipas HRW, gjatë tetë muajve të parë të 2014, Serbia regjistroi 6 974 azil-kërkues, një rritje e konsiderueshme nga 2 567 gjatë të njëjtës periudhë në 2013. Sirianët përbënin grupin më të shumtë në numër (3 696 persona). Për herë të parë që nga krijimi në 2008, Zyra për Azil i dha statusin e refugjatit një azil-kërkuesi dhe mbrojtje tre të tjerëve. Por, procedurat e azilit ngelen të papërshtatshme, duke pasur si pasojë mijëra kërkesa pezull.

Serbia është një vend kandidat për në Bashkimin Evropian, dhe është e përfshirë në një proces aktiv ku kërkon edhe hapjen e kapitujve të parë të negociatave të anëtarësimit. Dhunimi i të drejtave të mësipërme, që burojnë nga e drejta kombëtare, e drejta evropiane si dhe ajo ndërkombëtare, nuk korrespondojnë aspak me profilin e dëshiruar të Serbisë, që kërkon të bëhet pjesë e Unionit Evropian. Respektimi i kritereve të rëndësishme si e drejta e azilit, e drejta për të mos u kthyer forcërisht në vendet ku rrezikohet persekutimi, si edhe e drejta për mbrojtjen e fëmijëve janë fusha, të cilat kërkojnë respektim dhe harmonizim me vlerat dhe detyrimet e familjes evropiane.

Nga ana tjetër, është për t’u theksuar se, sfida serbe është edhe më e komplikuar, pasi dhunimi i të drejtave të njeriut në Serbi, nuk ndalet vetëm ndaj kategorive të mësipërme, por ka shtrirje edhe më të gjerë, duke prekur si të drejtat e pakicave kombëtare (komuniteti rom), por edhe të drejtat e kategorive që i përkasin identiteteve të ndryshme gjinore (LGTB). Nuk dihet se ç’formë do të marrin këto dhunime në monitorimin e përvitshëm nga Komisioni Evropian në progres-raportin e këtij fund vitit, por nuk duhet harruar se, këto janë vlera të ndjeshme të paktën për sa i përket avancimit të mëtejshëm të Serbisë, në rrugën integruese evropiane./im.ta/

 

Share This Article