Lehtësia e papërballueshme e “paqtorëve” (ose pse ka të drejtë Andrea Stefani)

anazapta

Duhet sqaruar që në krye të herës, se ky shkrim nuk ka për qëllim të mbrojë Andrea Stefanin. Shumëkush prej lexuesve mund ta ketë vënë re pa shumë mund se bashkëpunëtori i ri i DITA-s, (kuptohet, jo i ri në zanat) është në gjendje të argumentojë dhe të analizojë si pak të tjerë qëndrimet e tij. Ajo që ndodh në rastin konkret, është se DITA dhe Stefani kanë të njëjtin këndvështrim dhe qëndrim sa i përket ndëshkimit të munguar të politikanëve e zyrtarëve të lartë të këtij vendi, kampioni i grupit të të cilëve është ish-presidenti e ish-kryeministri Berisha.

Ka një linjë qëndrimesh, që ka ardhur duke u bë më e zëshme, – sa më e largët bëhet dita kur S.Berisha u largua nga karrigia e kryeministrit – sipas të cilës kërkimi i drejtësisë për bëmat e tij bëhet gjithnjë e më shumë demode, mban era naftalinë; akoma ju me Doktorin, tani ai nuk është në pushtet, merruni me qeverinë, nuk e shikoni që ekonomia po lëngon, Saliu e hëngri çairin e vet etj etj.

Këto lloj artikulimesh shkojë deri aty sa japin mesazhin “ç’u bë u bë, të shohim drejt së ardhmes, rëndësi ka këtej e tutje”. Është njëfarë ftese për amnisti “publike” për njeriun dhe politikanin që në agun e epokës më fatlume të vendit, u bë fatkeqësia më e madhe e tij. Kjo epokë ishte shkërmoqja e regjimit komunist dhe mbërritja në këtë vend, e një flladi mundësish të pafundme për prosperitet, drejtësi, liri fjale dhe sipërmarrjeje, shtet ligjor dhe të së drejtës, thënë ndryshe gjithë ato tipare që e bëjnë një vend demokratik dhe një popull të lirë të përpiqet në paqe për begatinë dhe përparimin e vet. Berisha, përgjatë viteve dha shembuj të njëpasnjëshëm se ishte e kundërta e të gjitha këtyre elementeve. Rezymeja e bëmave dhe gjëmave të tij është formuluar mjaft herë tek DITA; por nëse sot e kësaj dite ky vend përpëlitet mes progresit dhe regresit, duke ecur përpara me milimetra kur duhej të kishte përparuar me kilometra, emëruesi i përbashkët i shumë vuajtjeve shqiptare të 25 viteve të fundit, mban logon Berisha.

Duhet qartësuar diçka: Ka një dallim të stërmadh mes një qeveritari e qeverisjes së keqe të tij, që në çdo vend demokratik largohet me votë; dhe etapës tjetër, asaj kriminale në të cilën zhytet ky qeveritar. Në rastin tonë, ka fakte të panumërta se personazhi që (fatkeqësisht) i ka dhënë tonin viteve post-diktatoriale por jo pak autoritariste shqiptare, i ka kryer ose urdhëruar këto krime. Qofshin ato të natyrës penale, apo të natyrës ekonomike. Qofshin të profilit korruptiv, apo të masakrimit të cilësisë së një demokracie ku hyjnë goditjet ndaj shtypit të lirë, uzurpimi i institucioneve etj. Pa harruar një tentativë që dikur vetëm Ahmet Zogu ja kishte arritur: Dhurimin e një sipërfaqeje të territorit kombëtar një shteti tjetër.

Ndërkaq, dora-dorës dhe vit pas viti, Berisha kreu dhe aktin tjetër gjymtues që po e vuajmë sot e gjithë ditës, zhbërjen e drejtësisë si nocion dhe si sistem. Dhe i pari që përfiton edhe tani që po flasim nga kjo, është pikërisht ai.

Tani na ftojnë pra, për një amnistim final, të madh, të fundit për këtë “burrë shteti”. Si amnistitë që ai i ktheu në modus operandi kur falte toka e prona që s’ishin të tijat, duke bërë një lëmsh pronash që futi në dhe (në kuptimin e parë të fjalës) shumë shqiptarë; kur falte çdo vit a çdo dy vjet drita e ujë të papaguar, tatime të paderdhura, evazione fiskale të akumuluara, e pse jo, kur amnistonte dhjetra kriminelë nga burgjet se i duheshin për planin e radhës. Të merresh ende me Berishën është dogmatizëm, është mungesë fantazie, është t’i mbash sytë nga e shkuara sepse nuk dëshiron të shohësh të tashmen.

Do ishte një lumturi e madhe të ishte kështu, dhe do t’i pranonim me qejf të gjithë epitetet e “paqtorëve”. Por realiteti është paksa ndryshe. Le ta argumentojmë.

Së pari, DITA, kjo “ekstremiste që i ka mbetur ora tek Berisha”, e ka treguar përmes faqeve të saj se nuk ka ngurruar të kritikojë qeverinë për shumë gjëra që nuk shkojnë mirë, e në vijën e parë të problematikës është ekonomia. Nëse ka dhe deri ku shkojnë pasojat që la qeverisja e mëparshme, kjo padyshim që u përket ekspertëve ta saktësojnë, por ky kabinet prej shumë kohësh nuk mundet më që për këtë sektor të fajësojë paraardhësit. Por jo më pak e rëndësishme është drejtësia, një kartel i vërtetë pushteti që prodhon e ofron gjithçka, veç drejtësisë. Dhe “produktet” e të cilit i shtrijnë ndikimet e veta në çdo fushë tjetër.

Është pra ky sistem (pa)drejtësie që edhe sot e kësaj dite merr urdhra nga deputeti i thjeshtë Berisha, pavarësisht se për “paqtorët”, është fjala për një deputet të moshuar që ka zbuluar facebook-un dhe që maksimumi, mund të prodhojë vetëm lajme të barcaletosura. Dhe të bësh reformë në drejtësi do të thotë ndër të tjera që nëse ke vjedhur miliarda, nëse ke dhënë urdhër për krime, nëse refuzon të bashkëpunosh me drejtësinë e madje prish provat (shembujt konkretë le t’i rreshtojë kushdo nga lexuesit), duhet të përgjigjesh. Siç, mirë apo keq, është përgjigjur për akuza krejt të tjera Berluskoni, Shirak, e deri tek Helmut Kohl. Për të mos zbritur në shembuj të freskët ballkanikë, nga Kroacia e Greqia, në Rumani e Bullgari.

DITA (dhe Andrea), për saktësim termi, nuk e shajnë por e akuzojnë Berishën. Për të shara, madje vendçe, ky i fundit ka dhënë shumë ilustrime që gjenden kollaj në internet. Dhe, vini re, këtë nuk e bëjnë në emër të së shkuarës, por të së ardhmes.

Po, sepse nuk është çudi që “paqtorët” jashtë dhe brenda kësaj mazhorance, kanë tjetër gjë në mendje. Nuk ka komoditet më të madh sesa pakti i poshtër i mossulmimit; sesa motoja “s’më ngave, s’të ngas”, ku qeveritë dhe kabinetet rrotullohen njëra pas tjetrës, ti vodhe, unë vrave, të gjithë vodhëm e vramë; vërtetë u shamë ca, por jeta vazhdon sepse çfarë nuk i ra në kurriz këtij qerratai popull dhe nuk e mbajti. Apo nuk është ky një popull me kujtesë të shkurtër, që nuk ka memorie të largët pikërisht sepse e kemi lënë të përpëlitet për bukën e sotme. Shkurt hesapi, turmë…

Me fjalë të tjera, “dosja Berisha” (dhe fjala nuk është për një person, por të gjithë ata që kanë abuzuar në emër dhe nën urdhrat e tij) nuk është e djeshmja, por e ardhmja e këtij vendi. E keqja që nuk ndëshkohet, u jep alibi dhe mundësi qeveritarëve të sotëm e të nesërm të shijnë si të duan. Më pakta, u heq barrën e rëndë të përpjekjes për të mirëqeverisur, qoftë dhe nën justifikimin “s’kemi faj ju, doni kthimin e Berishës prapë, që ta kuptoni sa të mirë jemi ne?!”.

Ja pse ka të drejtë “i fiksuari” Andrea Stefani.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *