Në Shqipëri ligji dënon vetëm qytetarët e thjeshtë dhe fukarenjtë që s’kanë aq të holla të mirëushqehen, e jo të mendosh për të pajtuar një avokat. Dëgjova deklaratën e ministrit tonë të Ekonomisë ku deklaroi rritje ekonomike për 6 mujorin e parë të 2015-ës. Unë dhe shumë si mua duam ta pyesim zotin ministër, këtë rritje ekonomike në mos zoti Ahmetaj e ka konstatuar te kolegët e tij, apo te deputetët dhe politikanët? Pasi faktet flasin krejt të kundërtën për popullatën në përgjithësi. Ndofta zoti ministër nuk është aq sa duhet i informuar se në ç’gjendje katastrofike jetojnë pjesa më e madhe e familjeve shqiptare. Papunësia dhe varfëria e ka zhytur deri në grykë në borxhe familjen shqiptare. Industritë primare të punësimit siç janë ndërtimi, minierat, rrugët dhe hidrocentralet, sot janë në gjendje shoku. Ndërtimet janë pakësuar mbi 80 për qind. Ndërsa industria minerale po shfrytëzohet nga padronë të huaj. Madje më absurdja, inxhinierët, specialistët dhe minatorët tanë që lanë kockat në hapjen dhe ndërtimin e minierave, sot janë flakur në mes të rrugës. Të paktë janë ata që janë punësuar nga grabitësit që gjoja quhen koncesionistë, i paguajnë më pak se 50 për qind nga punëtorët e huaj.
Letër e nënshkruar,
Preng Pjetri
