Menjëherë pasi rebelët në gjirin e partisë qeveritare Syriza kanë krijuar një forcë të re politike, të cilën e kanë quajtur Uniteti Popullor, kryeministri grek, Aleksis Tsipras ka mbledhur kryesinë e partisë së tij për të diskutuar strategjinë e ardhshme para zgjedhjeve të reja parlamentare.
Tsipras iu është përgjigjur akuzave që kanë ardhur nga partia e re e cila kryesohet nga ish-ministri i Energjitikës, Panajotis Lafazanis që lobon ende për daljen nga euro dhe kthimin tek dhrahmia e që përbëhet nga 25 deputetë të grupit parlamentar të Syrizas, ndërsa pritet të kalojnë në të edhe tre ose katër anëtarë të kryesisë së Radikalëve të Majtë si dhe kryetarja e Parlamantit.
“Nuk është revolucionar dikush që zgjedh arratisjen për të shpëtuar nga realiteti apo krijon një realitet virtual. Revolucionar është ai që gjen rrugëdalje edhe kur nuk ka asnjë zgjidhje”, u shpreh Tsipras.
Por, rebelët marksistë janë të vendosur në bindjet e tyre, madje do të kërkojnë sipas kushtetutës të shfrytëzojnë edhe mandatin presidencial, që do marrin të hënën, për të negociuar në krijimin e një qeverie, pavarësisht se nuk kanë asnjë mundësi.
“Luftës civile” që ka filluar midis të majtëve në Greqi, i janë shtuar tashmë edhe kritikat ndaj Presidentit Pavlopoulos nga ana e kryeparlamentares Zoi Konsandopoulou, një tjetër rebele e Syrizas e njohur për vonesat e qëllimshme të saj në punimet e Parlamentit si shprehje e kundërshtimit ndaj kryeministrit.
Nga ana e tyre, grekët ndjekin me shqetësim këtë situatë kaotike brenda partisë qeveritare tashmë të ndarë në dysh, kur të gjitha partitë e tjera opozitare gëzojnë mbështetjen e vetëm një pjese të vogël të qytetarëve.
Analistët presin publikimin e sondazheve të para në ditët në vijim për të dhënë një imazh të raporteve, ndërsa vlerësohet se Tsipras përsëri do të jetë në limitet e mundësise për të fituar 151 vende në parlament.
Ai vërtet do të humbë vota nga përçarja e partisë së tij dhe krijimi i Unitetit Popullor, por mund të fitojë si rezultat i mospjesëmarrjes se grekëve të zhgënjyer në zgjedhje.
Nderkohe kreditoret e Athines, qe ishin ne dijeni te iniciatives Tsipra per te shkuar ne zgjedhje te parakoheshme ,shfaqen optimiste se ato nuk do te ndikojne ne zbatimin e reformave qe Greqia ka premtuar,ndersa duket se per ta nuk do te ishte negative fakti qe Tsipras te rrise fuqine tij ne parlament per te qeverisur tashme I pandikuar nga kundershtaret ne partine e tij.
