Informaliteti lulëzon kur qeveria s’është në krye të detyrës!

redaktor

(Pjesa e dytë)
Informaliteti i gjetur,
nuk mund të penalizohet,
se mbi një boshllëk total,
as që mundet të hetohet!

Në mungesë informacioni,
shifrat s’mund të fantazohen,
për mua qëllimi i parë,
është të formalizohen!

Është një shifër shumë e frikshme,
me bizneset informale,
po a kanë ato fuqinë,
që të bëhen krejt legale?!

A kanë mundësi të paguajnë,
në buxhet çdo detyrim,
shto dhe shpenzimet e tjera,
a mbetet për ta fitim?!

Nuk mendoj se brenda ditës,
ata u zunë papandehur,
ata kanë menduar qartë,
ta shtymë sa ta shtymë të fshehur!

Nëse dot nuk mbijetojnë,
ata s’vrasin tepelekun,
nuk kanë çfarë të çregjistrojnë,
ndaj thjeshtë do braktisin tregun!

Ata do braktisin tregun,
pa provuar asnjë dhunë,
dhe sërish mijëra shqiptarë,
do të mbeten të pa punë!

Dhe pse puna në të zezë,
merrnin një mini shpërblim,
ndaj tani nga varfëria,
do kalojnë në mjerim!

Nëse mbyllen menjëherë,
gjithë bizneset ilegale,
do të hapin gjithandej,
pa fund probleme sociale!

Një e treta-dy të tretat,
i çon drejt falimentimit,
ndaj e pyes qeverinë,
ç’do të bëjë pas deklarimit?!

Kur je në të tillë gjendje,
s’mund të shesësh tangërllëk,
se një e treta kur s’është,
krijon një super boshllëk!

Krahasimi çalon pak,
po për kaq nuk bëhet nami,
mendo një të tretë Atdheu,
të rrafshuar nga cunami!

Për situatën e keqe,
do menduar gjerë e gjatë,
s’ësht’ veç një nyje gordiane,
që mund të pritet me shpatë!

Situata është komplekse,
dhe shumë e ndërlikuar,
ndaj dhe unë asnjë këshillë,
për rastin nuk kam menduar!

Po dhe këshilla të kisha,
s’do më dëgjonte njeri,
sepse këshillat nga jashtë,
s’pranohen në qeveri!

Nëse ministrin s’e heqin,
ndonjë zgjidhje do të gjejë,
do ta pres se jam kurioz:
“Çfarë është i zoti të bëjë?!”

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *