Një udhëtim veror nëpër Shqipëri

redaktor

Letër e nënshkruar

Kastriot Kotoni

 

Fillimi i shtatorit do ta gjejë ekonominë e Shqipërisë përballë një sprove të pashmangshme siç është ajo e formalizimit të ekonomisë. E thënë troç, guri kilometrik i qeverisë shqiptare ka ngjyrën fosforeshente të formalizimit të biznesit dhe të fuqisë punëtore.

Këtë verë me një grup nga diaspora udhëtova nëpër Shqipëri. Kudo që na pritën e përcollën, që nga veriu e në jug, u ndjemë sa turistë dhe shqiptarë, por e veçanta dhe e përbashkëta e këtij grupi nga diaspora pyetjet për kuponin tatimor na u bënë refrreni i ditës.

Buzëqeshja e kamarierëve nuk përputhej me korrektesën e kuponit tatimor e dalloheshim thekshëm ne që nuk e merrnim kuponin tatimor e ata “diaspora” me durim prisnin deri kur të sillnin kuponin tatimor. Ec e mos e thuaj që dy kultura ndesheshin për të njëjtin vend që ti i ke propozuar për të kaluar pushimet. Ekonomia le gjurmë në restorante, karburante, hotele e kafene, apo edhe në parqe lodrash, muzeume po se po, shkurt kudo. Të kushton gjë o shqiptari i mirë që të kërkosh edhe ti si qytetar i Evropës një kupon tatimor e me të t’i kërkosh të zgjedhurit tënd në pushtetin vendor dhe qëndror më shumë rrugë, shkolla e spitale, kopshte e shtëpia sociale, apo salla teatri e parqe publike e festivale kulturore në ditë festash e mbi të gjitha një turizëm gjithëvjetor e të promovosh produktet bujqësore e guzhinën e çdo zone me tradita.

Ti ikësh këtij vendi se dikush ta shpif me korrupsionin diku tjetër, të vret padrejtësia e më keq akoma, kur ministra e shtetarë i ndërrojnë makinat dhe orenditë e zyrave “si mbreti gratë”. U lodhën qytetarët me pandëshkueshmërinë e njerëzve të akuzuar për korrupsion e vjedhje të përmasave galopante.

Ka vetëm një mënyrë për të qenë shtetar shërbëtor i popullit dhe qytetar atdhetar, duhet ndershmëri, besim dhe transparencë. Lançimi nga qeveria i një aksioni për luftën kundër evazionit fiskal në shtator do të provojë edhe njëherë aftësinë tonë në rrugën për shtetndërtim, mbas rrumpallës që na ka lënë mazhorancat politike të ashtuquajtura të djathta në Shqipëri.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *