Lojërat e dhunshme të bëjnë agresiv

redaktor

Debati për lojërat e dhunshme vazhdon nga viti 1992. Pyetja që shtrohet është kjo: A e rrisin ato agresivitetin apo jo? Së fundmi shkencëtarët amerikanë i kanë vlerësuar edhe njëherë studimet e ndryshme për këtë temë dhe kanë ardhur në konkluzionin se ekziston megjithatë një marrëdhënie shkak-pasojë midis lojërave brutale dhe sjelljes agresive.

Për analizimin e këtij debati, shkencëtarët kanë analizuar studime të dhjetë vjetëve të fundit mbi e temën e dhunës dhe lojërave, e transmeton «20 Minuten» medien angleze «Independent». Raporti i shkencëtarëve vërenë se fakti që lojëra të caktuara e nxisin agresivitetin nuk do të thotë që përmes kësaj bëhesh kriminel. Për këtë deri më tani nuk ka prova të mjaftueshme, kanë pohuar shkencëtarët. Vetëm lojërat nuk mjaftojnë për ta bërë një njeri më agresiv. Për këtë duhet të ketë edhe faktorë të tjerë, medojnë psikologët.

Megjithëse ka studime që pohojnë se lojërat e dhunshme nuk prodhojnë dhunë, Shoqata e Psikologëve Amerikanë kërkon nga prindërit që të kujdesen më shumë për atë nëse fëmijët e tyre luajnë lojëra të dhunshme. Edhe psikologu i mediave nga shkolla e lartë ZHAW në Zvicër – Daniel Süss – problemin e sheh kështu: Sidomos fëmijët dhe të rinjtë deri 13 vjeç i ekspozohen rrezikut të mundshëm nga lojërat e dhunshme. Me kësi lojëra njerëzit mund të merren lirshëm vetëm me moshën, kur fillojnë të reflektojnë dhe t’i kontrollojnë impulset. Specialisti e përkrah propozimin e ekspertëve amerikanë për kontroll të fëmijëve, por ndalimin e tyre e sheh të tepruar.

Për Süss, të rrezikuar nga lojërat e dhunshme janë sidomos njerëzit të cilët edhe pa ndonjë stimulim kanë një agresivitet të lartë si dhe ata që në përditshmërinë e tyre kanë pak përjetime të suksesshme. Specialisti pohon se ata që jetojnë në një familje a grup ku rekomandohet dhuna, janë më të ndikueshëm nga bota e mediave. Sipas tij, edhe ata që kanë qenë viktima të dhunës bëhen vetë më agresiv, për aq sa ata nuk shohin ndonjë rrugë tjetër për të çarë përpara ose për të vendosur dinjitetin e tyre. Edhe Süss është i bindur se për t’u vërtetë agresiv duhet më shumë se një lojë e dhunshme.

Ndalimin e këtyre lojërave nuk e përkrah sigurisht as kryetari i organizatës së pavarur të konsumentëve të rritur zviceranë të lojtarëve, «GameRights», Thomas Riediker. Për të është e gabuar të vendosen ndalime dhe kufizime mbi bazën e këtyre studimeve. Në Zvicër, thotë ai, përmes «Pan European Game Information» ekziston prej vitesh një sistem stabil, efektiv dhe i vërtetë vlerësimi për lojërat. Për të zgjidhja e problemit qëndron në një diskutim të sinqertë për raportin me një medium modern, dhe jo në kërkesat e verbëra për ndalimin e këtyre lojërave. Edhe Riediker sheh në rezultatet e studimeve qëndrimin e organizatës së tij: Lojërat për mbi 18 vjeç nëpër dyqane nuk duhet t’iu bien në dorë fëmijëve./dialogplus

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *