Kriza e refugjatëve, që i ikin zonave të luftës dhe të konfliktit ka hapur një kapitull ku historia do të shënojë jo vetëm dinjitetin dhe solidaritetin e reagimit evropian, por edhe përgjegjshmërinë morale dhe ligjore për të vepruar në kohë krizash. Evropa nuk duhet të harrojë se, jo shumë larg historia e saj ka shënuar dy kapituj të rëndë, dy luftëra në kontinent, që gjeneruan një fluks të paprecedentë refugjatësh evropianë. Krizë, që u përballua me përgjegjshmëri të lartë ndërkombëtare, larg skenave të turpshme të dhunimit dhe të keqtrajtimit shtetëror, që demonstron Evropa e ditëve të sotme.
Dhe ky keqtrajtim është disa planësh, në varësi të nivelit të caktuar të qytetërimit dhe civilizimit shtetëror, duke filluar nga dhuna e pajustifikueshme fizike dhe verbale në kufijtë periferikë të saj, nga grabitjet dhe dhunimet e uniformave shtetërore, që presin të bëhen pjesë e klubit politik të saj, nga ngritja e barrierave dhe përforcimeve kufitare, si edhe diskriminimit fetar në qendrën e saj, deri tek kulturat më të sofistikuara nordike dhe jo vetëm, që e trajtojnë këtë problem si një kërcënim të identitetit dhe kulturës kombëtare, rrezikshmëri për rritje të kriminalitetit, si edhe kërcënim për tregun e brendshëm të punës dhe sistemin e mirëqenies sociale.
Në këtë përzierje konceptimesh dhe perceptimesh kombëtare, në pikun e krizës Evropa, tërësisht brenda rregullave dhe ligjeve të saj, gjendet me pushime. Pushime, që juridikisht nuk mund të justifikojnë aspak prishjen e tyre, por moralisht në emër të një solidariteti human e shpërfillin përligjen e tyre. Gjithsesi, në këtë kuadër pushimi, ka edhe zëra që thërrasin të vetmuar për iniciativa të caktuara. Siç ka edhe politika aktive, që kërkojnë realisht zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi.
Iniciativa e fundit politike, që vjen nga fronti i Berlinit, rihedh në skenë sërish idenë për politikë të njehsuar azili në Bashkimin Evropian, për të bërë të mundur përballjen në mënyrë proporcionale dhe të barabartë, në të gjithë vendet anëtare të Unionit. Pas thirrjes së Kancelares Merkel, ideja është përforcuar edhe nga dy ministrat e kabinetit të saj, Ministri i Jashtëm Steinmeier, dhe Ministri i Ekonomisë Gabriel, që kanë prezantuar një plan 10-pikësh në lidhje me këtë situatë. Ndër të tjera, specifikohet edhe domosdoshmëria për shpërndarje të barabartë të refugjatëve, në të gjithë vendet anëtare të BE-së.
Njehsimi i politikave të azilit, në thelb përmban rishikimin e rregullores së Dublinit, që detyron vendin e parë hyrës të refugjatëve, të trajtojë kërkesën e tyre për mbrojtje dhe azil. Pra, flukset që hyjnë në kufijtë e Unionit, duhet të procedojnë për azil pikërisht në këto vende. Ky imponim që parashikon rregullorja duhet ndryshuar, në mënyrë që të mos penalizojë dhe mbingarkojë vendet në kufi të Unionit, por të mundësojë një shpërndarje të logjikshme në të gjithë vendet anëtare. Gjermania është vendi i parë, që në emër të nevojshmërisë për transformim të rregullave, po thyen rregulloren e Dublinit duke mos kthyer mbrapsht në pikat e tyre të hyrjes asnjë refugjat sirian, duke shfaqur një solidaritet të hapur me vendet periferike të Unionit.
Në fakt, iniciativa për njehsim të politikave të azilit, duke bërë të mundur edhe shpërndarje të barabartë të kuotave të refugjatëve në Union, nuk ka shumë kohë që dështoi. Ajo ka dështuar në çdo tentativë për rimarrje apo rihedhje të saj në forma të ndryshme të konceptuara. Tragjeditë e njëpasnjëshme të Mesdheut në këtë fillim viti dhe thirrjet e fuqishme të organizatave të të drejtave të njeriut, detyruan Unionin të ulet për gjetjen e një zgjidhje për menaxhimin e krizës. Por, ajo që u arrit ishte shumë pak. Nga figura të rëndësishme të politikës evropiane, u konsiderua qesharake dhe e papërfillshme.
Edhe iniciativa që erdhi nga Komisioni Junker, për shpërndarje të barabartë të kuotave në shtetet anëtare u refuzua dhe nuk u mor parasysh nga Këshilli.
Rezistenca nga vendet anëtare është e lartë. Kjo rezistencë kryhet kryesisht në emër dhe në dobi të politikave të brendshme kombëtare. Politika të cilat përfitojnë nga trajtimi i temave të tilla të ndjeshme, duke i shndërruar në një kërcënim real për popullatat vendase. Ky trajtim i padrejtë dhe i deformuar, ka arritur nivelin më të lartë të tij, duke e shndërruar shqetësimin ndaj imigracionit në shqetësimin kryesor të qytetarëve evropianë.
Por, ka një memorie historike, e cila thërret për ndërgjegjësim dhe drejtësi. Drejtësi në trajtimin e kësaj çështje. Memorie, që detyron të gjithë vendet anëtare të reflektojnë. Hungaria vend anëtar i BE-së, tek ka ndërtuar gardhin e turpit në historinë e saj, nuk duhet të harrojë krizën e refugjatëve të pas Revolucionit hungarez të vitit 1956, ku afërsisht 2% e popullatës së saj iu drejtua kufirit austriak dhe kufirit të Gjermanisë Perëndimore. Rreth 200 mijë refugjatë, që u mirëpritën dhe u strehuan, pa u keqtrajtuar, pa u dhunuar dhe diskriminuar.
Edhe Sllovakia, duhet të dalë nga gjendja e amnezisë, tek refuzon në baza diskriminuese fetare personat, që i ikin zonave të luftës dhe konflikteve. Memoria historike duhet t’i risjellë në vëmendje krizën e pushtimit nën Paktin e Varshavës (1956), ku rreth 200 mijë shtetas të Çekosllovakisë u detyruan të largohen përkohësisht nga vendi për të gjetur strehim në vendet fqinjë. Nga kjo gjendje amnezie duhet të dalë edhe Greqia, duke mos harruar krizën e refugjatëve që gjeneroi konflikti i brendshëm, apo Lufta Civile greke (1946-1949).
Evropa ka shansin e saj të rikuperojë imazhin aspak të dëshiruar që ka krijuar, duke ndryshuar përqasje në kapitullin e saj historik. Nuk duhet harruar se ishin pikërisht krizat e rënda humanitare të refugjatëve që gjeneruan dy luftërat e mëdha në Evropë, që ndërgjegjësuan dhe sensibilizuan si rrallëherë komunitetin ndërkombëtar për nevojshmërinë e krijimit dhe përforcimit të një kuadri ligjor mbrojtje ndërkombëtare, në lidhje me refugjatët. Unioni duhet t’i shmangë politikat e brendshme nacionaliste dhe në emër të përgjegjshmërisë ndërkombëtare, moralit historik dhe dinjitetit njerëzor duhet të ndërmarrë hapa konkretë për zgjidhje përfundimtare të problemit. Një prej tyre është edhe njehsimi i politikave të azilit dhe shpërndarja e drejtë e refugjatëve në të gjithë Unionin. Ky element do të krijojë edhe bazat e një qëndrueshmërie politike afatgjatë në përballje, menaxhim dhe zgjidhje të këtij problemi. Amnezia vërtet shërben si mjet i fortë psikologjik për të harruar dramat, dhimbjet dhe fatkeqësitë, por është e patolerueshme që pikërisht në emër të saj të lejohet rigjenerimi i shpërfilljes, dhunës dhe tragjedisë./im.ta/
