Hamdi Salihi e mbyll aventurën me Skënderbeun pa u luajtur sfida e kthimit me Dinamon e Zagrebit në fazën play-off të Championsit. Sulmuesi shkodran nuk ka udhëtuar me skuadrën drejt kryeqytetit kroat, pasi nuk ka mundur të riaftësohet në kohë, por më i rëndësishëm është fakti që 31-vjeçari nuk do të jetë pjesë e kampionëve të Shqipërisë për sezonin e ardhshëm.
Në kampin korçar prisnin me optimizëm që Salihi të qëndronte në Shqipëri, por një ofertë joshëse nga Izraeli e ka shtyrë ta ndërpresë në këtë moment bashkëpunimin me Skënderbeun.
Ishte vetë trajneri Mirel Josa që konfirmoi për Supersport largimin e Salihit, pas një bisede që ka patur me sulmuesin. “Hamdi Salihi me 90% nuk do të jetë më pjesë e Skënderbeut. Ai nuk ka mundur të riaftësohet në kohë për ndeshjen me Dinamon e Zagrebit e për rrjedhojë nuk është grumbulluar. Por mund të them se është larguar përfundimisht nga skuadra, pasi ka marrë një ofertë joshëse nga Izraeli”, pohon trajneri i kampionëve të vendit.
Hamdi Salihi ishte pika e referimit e Skënderbeut në ndeshjet e Championsit. Sulmuesi kuqezi ka arritur të shënojë 5 gola në kompeticionin më të rëndësishëm europian për klube, pa harruar edhe dygolëshin e realizuar në Superkupën e Shqipërisë ndaj Laçit, por që nuk mjaftoi për t’i siguruar trofeun kampionëve të Shqipërisë.
