Është një vizitë me vlerë të madhe simbolike dhe institucionale. Kancelarja Merkel vizitoi sot në mëngjes qendrën e refugjatëve të Heidenaut, në dyert e të cilit fundjavën e shkuar një grup nga 200 deri në 3000 demonstruesish të thirrur nga partia e ekstremit të djathtë NPD u përballën me policinë, që mbronte ndërtesën, duke bërtitur “Heil Hitler”. Qëllimi i saj është të theksojë se qeveria dhe shteti gjerman, ashtu si shumica e gjermanëve, duan të mirëpresin refugjatët që vijnë në kërkim të mbrojtjes dhe dëshirojnë që të jenë të respektuar dhe të mirëpritur.
Merkel tashmë po punon për të zbatuar këtë parim përmes masave të ndryshme ligjore, burokratike dhe ekonomike, por gjithashtu po përpiqet që të bëjë të dukshme mbështetjen e madhe për refugjatët dhe kjo duket se bezdis disa banorë të Heidenaut. Me mbërritjen e kancelares në zonë, u dëgjuan të bërtitura dhe fërshëllima pas kordonit të sigurisë. “Dështim” dhe “tradhtare” ishin fjalët që u dëgjuan.
“Nuk ka tolerancë për ata që vënë në pikëpyetjes dinjitetin e të tjerëve, nuk ka tolerancë për ata që nuk janë të gatshëm të ndihmojnë kur kërkohet ndihma ligjore dhe njerëzore”, kritikoi Merkel pas vizitës në qendër.
Kanë kaluar 10 vjet që nga vizita e fundit e Kancelares në një qendër pritjeje për refugjatët dhe vendosi ta bëjë tani, pas valës së kritikave nga opozita, organizmat joqeveritarë që punojnë me refugjatët dhe liderët e Partisë Socialdemokrate, aleati i saj kryesor në qeverinë e koalicionit të madh.
“Duhet të pranojmë se jeni shumë e guximshme që vini këtu”, thotë për Angela Merkel, Julian një djalë 25 vjcc i cili ankohet se sa e vështirë është të gjesh një punë të ndershme në Gjermani ndërsa refugjatët e sapoardhur i përfshijnë në programet e integrimit dhe u gjendet punë menjëherë. “Nuk jemi racistë” thotë ai para shtypit të huaj, vetëm se themi me zë të lartë se Gjermania nuk mund të kujdeset për gjithë këta njerëz”.
Dhe ndërsa Merkel bisedon me disa refugjatë të ardhur nga Siria dhe Iraku që janë strehuar në hotel presidenti federal, Joachim Gauck, viziton një qendër refugjatësh në Wilmersdorf, Berlin, ku iu referua atyre që sulmojnë hotelet si “Gjermania e errët” duke kujtuar se shumica e gjermanëve kanë kulturën e mirëpritjes. /DITA

