Intervistë me Prof. Kosta Barjaba për luftën ndaj informalitetit. A do ia dalë qeveria të fus biznesin në ullitë e ligjit? A mund të prodhojë kjo nismë e qeverisë në kushtet tona aktuale ekonomike dhe sociale, rritje të punësimit, të pagave e pastaj edhe rritje të mirëqenies?
Lufta kundër informalitetit që Qeveria do të nisë vrullshëm në shtator ka ngjallur interes për të gjithë se si do të jetë dhe se sa efikase do të rezultojë.
Në një intervistë për DITA akademiku Kosta Barjaba thotë se lufta kundër informalitetit nuk është as një fushatë, as një aksion.
Kjo luftë duhet të materializohet si një mënyrë qeverisje dhe element i modelit të zhvillimit ekonomik.
Sa për suksesin, qeveria e ka dhënë një provë: lufta kundër evazionit në pagesat e energjisë. Barjaba vlerëson nismën dhe e sheh si diçka pozitive për ekonominë e vendit.
Ai thotë se informaliteti është gangrenë e shoqërisë dhe sabotator i zhvillimit.
Profesor, qeveria ka filluar një nismë të paralajmëruar: luftën kundër informalitetit. A është ky veprimi i duhur që kërkon ekonomia dhe shoqëria shqiptare?
Lufta kundër informalitetit është njeri ndër veprimet e duhura, që kërkon ekonomia shqiptare, shoqëria shqiptare, qytetarët shqiptarë, madje unë do të thosha duhet ta kërkojë edhe sipërmarrja shqiptare.
Sipërmarrja të kërkojë formalizim? Nuk duket pak paradoksale? Biznesmenët shqiptarë, si të gjitha qeniet e kësaj race në botë, kërkojnë fitime!
Po i përgjigjem pyetjes suaj me ankesat e përditshme të taksistëve: “Na mbytën ata pa licencë”! Por si taksistët, ka me mijëra sipërmarrës të ndershëm që duan rregull dhe mbrojtje prej informalitetit.
Meqë jemi në një kontekst lufte kundër informalitetit, cilët janë sipas jush, aspektet kryesore të informalitetit në Shqipëri?
Informaliteti shfaqet në shumë forma, por në shoqërinë shqiptare janë bërë tashmë legjendarë informaliteti në ekonomi dhe informaliteti në tregun e punës.
Ta nisim me informalitetin në ekonomi?
Ekonomia informale përfshin praktika ekonomike të cilat nuk përfshihen në llogaritjen e PBB, Prodhimit Kombëtar Bruto. Përfshirja në ekonominë informale mund të jetë rezultat i mungesës së mundësive e burimeve për t’u përfshirë në ekonominë formale ose i prirjes për t’u shpëtuar rregullave e detyrimeve tatimore e fiskale të ekonomisë formale.
Ekonomia informale, si rregull, lulëzon në periudha të ndryshimeve të thella të mjediseve shoqërore dhe ekonomike, përparimit teknologjik, ndryshimeve ose ashpërsimit të kuadrit rregullator në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, paqëndrueshmërisë politike etj. Ekonomia informale priret “të ushqejë” edhe veprimtari të tjera të paligjshme, si tregtia e drogës, pastrimi i parave etj. Pra, prej ekonomisë, ekonomia informale i shtrin kthetrat e saj drejt zonave të tjera të shoqërisë.

Niveli i ekonomisë informale është, si rregull, në përpjesëtim të zhdrejtë me nivelin e zhvillimit ekonomik. Prandaj niveli i lartë i informalitetit është karakteristikë për vendet në tranzicion, në zhvillim, të pazhvilluara dhe të varfra. Ekonomia informale luhatet nga nën 10 për qind në vendet e zhvilluara deri në 70 për qind në disa vende afrikane. Në këtë nivel është edhe në disa sektorë në Shqipëri. Të dhënat më të fundit për ekonominë informale vijnë nga
Banka Botërore, sipas të cilës ekonomia informale përbën rreth 34 për qind të ekonomisë shqiptare. Si rregull, sektori me informalitet më të lartë është bujqësia, sidomos në vendet e varfra ose në zhvillim. Ndërmarrjet e vogla familjare përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të ekonomisë informale, sidomos në shërbime. Informaliteti në ekonomi ka qenë dhe mbetet një tipar dallues i zhvillimit të Shqipërisë gjatë tranzicionit. Studimi i fundit i Bankës Botërore nënvizon se informaliteti në ekonominë shqiptare është rreth 34 për qind, ndërsa në disa sektorë është edhe më i lartë. Informalitet mjaft të lartë ka në Shqipëri edhe sektori i shërbimeve.
Po të shohim figurën e mëposhtme, dallohet qartë ekonomia formale nga ajo informale në Shqipëri.
Po informaliteti në tregun e punës?
Edhe informaliteti në punë është po kaq i dëmshëm për shoqërinë. Sipas studimit të Bankës Botërore, të cilit iu referova më sipër, punësimi informal në Shqipëri përbën rreth 39 për qind të punësimit. Pra, informaliteti në tregun e punës është më i madh se informaliteti në ekonomi.
Në Shqipëri janë zhvilluar katër forma kryesore të punësimit informal: prodhues informalë, tregtues informalë, të punësuar informalë në sektorin formal, të punësuar në veprimtari ekonomike informale.
Prodhuesit informalë janë ndërmarrje të vogla, të cilat prodhojnë mallra e shërbime, si produkte ushqimore, tekstili ose veshmbathjesh që prodhohen edhe nga ekonomia formale. Këto ndërmarrje punësojnë punëtorë informalë, prodhojnë me cilësi më të ulët dhe ua shesin produktet e tyre konsumatorëve formal, duke dëmtuar konkurrencën.
Tregtuesit informalë u shesin konsumatorëve shërbime që blejnë nga prodhuesit formal, zakonisht me çmime më të larta se të tregut për shkak se i shesin me pakicë dhe te konsumatorët që kanë nevoja imediate për këto produkte e shërbime.
Të punësuarit informalë në sektorin formal dallohen për pagat dhe të ardhurat e ulëta, mungesën e mbrojtjes sociale dhe shëndetësore, shkallën e ulët të organizimit sindikalist, mungesën e paketave të tjera të përfitimeve sociale, kushtet e vështira dhe mungesën e sigurisë në punë etj.
Të punësuarit informalë në sektorin informal përfaqësojnë grupin më të diskriminuar të të punësuarve, të cilët vegjetojnë brenda veprimtarive ekonomike informale dhe për këtë arsye janë shumë më të pambrojtur se grupet e tjera të punëtorëve.
Megjithatë, unë si gazetar, duke ndjerë nevojën e madhe që ka vendi për punësim, kam të drejtë të insistoj: A mund të prodhojë kjo nismë e qeverisë në kushtet tona aktuale ekonomike dhe sociale, rritje të punësimit, të pagave e pastaj edhe rritje të mirëqenies? Duke llogaritur nuhatjen e biznesit dhe manovrat e sipërmarrësve, të cilat rritjen e kostove për shkak të formalizimit mund ta shkarkojnë te të punësuarit e tyre?
Unë nuk e përjashtoj që formalizimi mund të shkaktojë disa dhimbje kalimtare. E theksoj, kalimtare. Por këto janë si dhimbjet e lindjes së një ekonomie dhe të një sistemi mirëqenieje që duhet të rithemelohen. Nuk ka rrugë tjetër, nëse duam të vendosim rregull në shtëpi. Ne kemi një sistem mirëqenieje, në parim kontributiv, por në praktikë rishpërndarës. Pamja më e dukshme e këtij paradoksi është sistemi i pensioneve: kemi ligjërisht një skemë kontributive, por që praktikisht, rreth gjysma e fondit të pensioneve financohet nga buxheti i shtetit. Dhe pse vjen kjo? Nga mosgrumbullimi i kontributeve! Në fund të vitit 2014 kishim rreth 925 mijë të punësuar, por kishim rreth 655 mijë kontribuues në fondin e pensioneve. Pra, në fond munguan kontributet e rreth 270 të punësuarve ose të një në tre të punësuar.
Vetëm me paratë me të cilat qeveria financon fondin e pensioneve mund të hapen rreth 50 mijë vende të reja pune. Ose mund të financohen shkolla, rrugë, spitale, qendra shëndetësore dhe shërbime të tjera publike. Pra, lufta kundër informalitetit gjeneron burime që mund të furnizojnë “rezervuarin” e mirëqenies.
Ose, le të marrim rritjen e pagave. Unë nuk jam partizan i rritjes së pambështetur të pagave për efekte politike dhe elektorale. Por të mos bëjmë sikur nuk e kuptojmë që në Shqipëri aplikohen dy lloje pagash: paga legale dhe paga faktike. Paga legale është në letër dhe sipërmarrësit ua paguajnë kontributet punëtorëve mbështetur në pagën reale. Pra, janë në pamje të parë, në rregull me shtetin. Por paga faktike që marrin në dorë punëtorët është shumë më pak se paga legale. Dhe punëtorët nuk ndihen sepse humbasin edhe atë punë dhe pagë që kanë, sado të vogël. Ka sipërmarrës që u paguajnë të punësuarve të tyre kontributet sipas një page legale të ulët, dhe pagën reale ua japin në dorë. Në të dy rastet një pjesë e mirë e fondeve të pagave qarkullon jashtë sistemit. Nëse ne arrijmë të ngushtojmë hapësirën midis pagës legale dhe pagës faktike, kjo është një rrugë për rritjen e pagave, madje pas kosto shtesë.
A rrezikon kjo nismë të shndërrohet në një kryqëzatë ndaj biznesit?
Kjo do të varet nga zbatimi. Por unë mendoj se jo. E para, Qeveria e ka treguar që ndaj biznesit ka përdorur karrotën, jo shkopin. Një veprim i tillë ishte shlyerja e borxheve të trashëguara nga qeverisjet e mëparshme. Së dyti, me sa po shohim e dëgjojmë, zbatimi i kësaj nisme, të cilën do ta quaja programore të qeverisjes, po shoqërohet me masa të forta dhe të gjithanshme mbështetëse, sqaruese dhe informuese. Në fund të fundit, lufta kundër informalitetit drejtohet ndaj atyre që nuk duan, jo ndaj atyre që nuk dinë.
A kini besim në këtë nismë të re qeverisëse?
Më pëlqen që e quajtët kështu: nismë qeverisëse. Sepse lufta kundër informalitetit nuk është as një fushatë, as një aksion. Kjo luftë duhet të materializohet si një mënyrë qeverisjeje dhe element i modelit të zhvillimit ekonomik. Sa për suksesin, qeveria e ka dhënë një provë: lufta kundër evazionit në pagesat e energjisë.
Intervistoi Erion Habilaj



PO TAKSA FAMOZE PROGRESIVE KU HUMBI O AKADEMIKU BOTEROR BARJABA?
sepse para se te merrte pushtetin Edi Rama e reklamoi si nje sepate shpetimtare per ekonomine qe do te godiste pasaniket barkderra dhe do te shpetonte nga mjerimi dhe skamja varfanjaket barkthare. Ku shkoi kjo takse famoze qe e reklamuan me fuqi te madhe te gjithe profesoret e ekonomise kombetare, bile sollen nga jashte shtetit akademike te huaj, spiune te KGB-se ruse per t’i mbushur mendjen shqyptareve skeptike se informaliteti ne biznesin tone kombetar ishte vetem nje loje marksisto-leniniste.
HE PRA O AKADEMIKU SHQYPTAR QE FLET SHUME DHE THUA PAK KU SHKOI TAKSA FAMOZE PROGRESIVE E EDI RAMES QE DO TE ZHDUKTE SI ILAC KOMUNIST INFORMALITETIN NE EKONOMINE SHQYPTARE?
Pse duhet të flasim kështu?. Ty, parafolës, duket të preken interesat. tek ne, Çdo e keqe është komuniste. Zotni, duhet shtet.Pse përmend teksën progresive dhe nuk përmend pagimin e energjisë? Nuk është mirë të flasim kështu. Na duhet shtet Zotni.
.
Tema qe hedh ky shkrim i akademikut famoz shqyptar qe flet shume, por nuk thote asgje nuk jane pagesa e energjise apo e dritave qe eshte detyre e nje firme private, por ceshtja qe gazeta DITA ka hedhur per debat me kete shkrim eshte informaliteti i biznesit ne ekonomi, prandaj Zotni le t’i permbahemi procedures. Sepse ne nje kohe qe shteti del me deficit ne tatimet dhe taksat me 200 milion eur kjo do te thote automatikisht se duhet te shkarkohet urgjentisht PUSHTETI i paafte qe te krijoje tasksat me politikat ekonomike dhe t’i mbledhe ato si nje nikoqir i mire.
Shtet me prona te vjedhura. Hajde magjyp hajde
Flitet per Akademi……kur kjo Akademi ben 25 vjetorin e vdekjes,ndjese paste!
Se nga dolen keta Prf.doc.asis…etj vetem ne nje vend si Albanistan i gjen me shumice
Prof.Bajraba,me respekt per ju…Une kam kundershtite e mia per kete interviste dhe do te me lejoni :
1. Me duket interviste shume servile ne mbeshtetje te nje tentative te qeverise…
2. Edhe aq sa thoni,ka shume akademizem dhe shume pak realitet shqiptar
3. Me dashje nuk merrni ne konsiderate evazioni nga biznesi VIP apo kontrabanda e tyre shume milioneuroshe.
4. Me dashje i shmangeni abuzimit te parave te buxhetit apo korrupsionin e administrates e cila eshte mitra e te zezave te ekonomise sone.
5. Statistikisht biznesi i vogel numerohet rreth 150.000 dhe sjell rreth 5% te te ardhurave buxhetore por ky biznes i vogel mban me buke,minimalisht rreth 600.000 vete.
6. Thoni, ” Ekonomia informale priret “të ushqejë” edhe veprimtari të tjera të paligjshme, si tregtia e drogës, pastrimi i parave etj. Pra, prej ekonomisë, ekonomia informale i shtrin kthetrat e saj drejt zonave të tjera të shoqërisë “…por nuk thoni se ku do te gjeje ky popull parate te ushqehet kur nuk ekziston asnje lloj prodhimi,kur pasurite e nentokes dhe mbitokes jane marre nga vete pushtetaret nder vite te cilet paguajne me rroga minimale dhe nuk paguajne asgje ne buxhetin e shtetit.
7. Do te kete rritje te cmimeve per mallrat dhe sherbimet dhe do te kete renie te konsumit dhe mbyllje biznesesh per efekt te pamundesise per te paguar taksat e shtetit,duke filluar nga kasa e vogel qe kushton rreth 46.000 te reja apo mbajtja patjeter e nje ekonomisti qe do te dije te mbaje letra apo edhe ndonje gjobe qe biznesi do te ” haje ” nga tatimoret….!!
8. Qe tani njerezit kane paksuar qarkullimin e mallrave qe ne njefare menyre mund te sjelle kolaps total te sherbimit dhe furnizimit apo te mbajne mallrat jashte dyqanit ne menyre qe ne rastin e nje kontrolli tatimor,te kete mundesi mohimi…!!
9. Thoni ” Vetëm me paratë me të cilat qeveria financon fondin e pensioneve mund të hapen rreth 50 mijë vende të reja pune. Ose mund të financohen shkolla, rrugë, spitale, qendra shëndetësore dhe shërbime të tjera publike. Pra, lufta kundër informalitetit gjeneron burime që mund të furnizojnë “rezervuarin” e mirëqenies ” !!…..duket akoma nuk ju ka dalur nargjila amerikane..!! Une ju pyes,ku jane sherbimet e lartpermendura me parate e sotme te buxhetit,sado minimale te jene ato..!?
10. Thoni ” Sa për suksesin, qeveria e ka dhënë një provë: lufta kundër evazionit në pagesat e energjisë…!! ” Dmth varferimin ekonomik qe detyroi shqiptaret te marrin rruget e europes e quani sukses i qeverisjes ??!! Ne asnje menyre nuk jam kunder mos pagimit te energjise dhe jam per formalizimin e ekonomise por se pari,me seriozitetin maksimal te administrates dhe hap mbas hapi,e shtrire ne kohe…
Nuk me pelqen intervista juaj prej specialisti….!! do te prodhoje me shume varferi kjo fushate..