Midis artit, muzikës dhe etnografisë

redaktor

Disa përsiatje mbi librin “Il Benzinaio e Chopin” të Greta Aliajt

Në mbarim të librit me tregime dhe poezi “Il Benzinaio e Chopin” të Greta Aliajt, të mbetet në kujtesë një det i kaltër me një qiell që ndryshon formë vazhdimisht dhe një bar, ku pëlqehet shumë kafja dhe ku hyjnë e dalin shumë e shumë njerëz. Më tej, një qytet i tërë në të përditshmen e tij të zakonshme që bëhet krejt intriguese dhe e veçantë nën vëzhgimet e një femre që lëviz vazhdimisht me biçikletë. Është një botë njëkohësisht kaq e largët por kaq e prekshme, kaq e panjohur, por që ngjan kaq shumë me atë që shumë nga ne përjetojnë çdo ditë në qytetin ku jetojmë, në barin ku pijmë kafen, me postierin e lagjes, me një çift pleqsh që shkojnë aty pari çdo mëngjes, me një grua që punon vullnetare në spitalin e qytetit… dhe ndoshta harrojmë se këto të gjitha na vijnë pranë kaq natyrshëm sigurisht jo sepse ato kështu janë. Një realitet na bëhet kaq i prekshëm pikërisht për meritë të autores, e cila me një gjuhë të thjeshtë e plot kuptim i ka vënë vetes detyrë që të mos tregojë thjesht histori, por të zbërthejë me mjeshtëri momente të së përditshmes ashtu siç i sheh dhe përjeton ajo. Është lehtë i dallueshëm syri vëzhgues i Gretës në çdo njërin nga tregimet e librit. Megjithatë, ajo që të bën përshtypje është një lloj monologu i brendshëm i cili lidh personazhet me lëvizjet e tyre, me mjedisin dhe me Gretën si autore. Një monolog i tërë i mbushur me pyetje dhe zhbirilime përtej së dukshmes, që herë pas here sikur heshtë e prapset për t’u lënë vend tingujve dhe muzikës që ndihen në sfond.

Në një këndvështrim që shkon përtej librit të Gretës, duket që libra të tillë janë bërë ndërkaq një trend i ri i botës së leximeve, i cili për fat të keq nuk e ka gjetur ende vendin që i takon në faqet e kritikës, edhe pse është nga më të lexuarit në kohën e sotme. Është një trend që lidhet drejtpërsëdrejti me rrjedhjen e trurit shqiptar në një çerek shekullin e fundit. Është një plejadë e tërë intelektualësh dhe artistësh që edhe pse nuk kanë shkruar kurrë më parë, më në fund e gjejnë me vend të ulen, të shkruajnë seriozisht dhe ta ndajnë pastaj me të tjerët. Pothuajse gjithë çfarë kam lexuar në këtë kontekst deri më tash, karakterizohen nga një sens i mprehtë vëzhgimi, një lloj humori i çiltër, dhe një përsiatje e vazhdueshme, çka më bën të mendoj se këto lloj përmbledhjesh, më shumë se qëllimi për të shkruar, janë një nevojë e brendshme individuale për të ruajtur identitetin e vënë në provë. Kjo duhet të jetë arsyeja e atij monologu të ndjerë edhe pse të pa thënë, në tregimet e Gretës: Autorja qëmton me kujdes situata dhe karaktere sepse nuk mund të jetë ndryshe jeta e një emigranti që në kontrast nga emigrantët që lanë Shqipërinë në fillimet e shekullit të 20-të, ka ikur prej aty për një standard intelektual më të lartë dhe po ashtu me njohuri dhe aftësi pune të një niveli krejt të admirueshëm. Këto vepra letrare janë pastaj produkt i drejtpërdrejt i kontrastit midis këtyre ëndrrave e kërkesave njerëzore dhe realitetit që nuk është asnjëherë i trëndafiltë.

Greta Aliaj dhe autorë të tjerë të së njëjtës kategori, kanë një privilegj të madh që vështirë e arrijnë edhe shkrimtarë të mirënjohur e të pjekur: Jeta midis së paku dy kulturave u jep atyre aftësinë e pashoqe të vëzhgimit dhe përshkrimit. Nëse jeta në ishujt Trobriand i dha Malinovskit, babait të etnografisë që njohim, mundësinë të zhvillonte një mënyrë të re të përshkruari me qëllim të mirëfilltë njohjen më shumë se sa argëtimin, kjo plejadë e re intelektualësh nga Evropa Lindore e zhvillojnë këtë zotësi pikërisht për të ruajtur identitetin e tyre apo për ta riformatuar atë. Është e rëndësishme të nënvizohet se sa pranë profesionit të antropologut janë ata kur vëzhgojnë apo përshkruajnë, apo sa me vërtetësi e thjeshtësi bëhet kështu realitet “teoria” kaq e njohur në rrethet antropologjike që sugjeron se jeta intensive me vendasit në një realitet të panjohur më parë, është një premisë e rëndësishme për studimet etnografike. Por rrallë është diskutuar, me aq sa kam unë dijeni, ajo paralele që lidh studimet etnografike me këtë trend, apo risi të të shkruari, që për vlerat e veta të dyfishta – artistike dhe etnografike – përsëri, meriton vëmendje dhe studim të veçantë.

Desha të shtoj se libri i Gretës ndoshta nuk do të kishte vlerat dhe kuptimin që ka pa poezitë. Janë vargjet që më shumë se çdo gjë tjetër zbërthejnë dilemat e individit në prag të një jete të re, me gjithë çfarë ajo përfshin. Duket sikur vargjet janë konkluzionet e pa thëna të tregimeve, të cilat Greta, me mjeshtëri në fakt, i lë në vëmendjen e lexuesit. Disa herë gjatë leximit kam ndjerë një lidhje gati intime me ato që thuheshin aty dhe kam menduar “Kjo është Greta”. Por detaje të tilla që nga “këpucët e kuqe të adoleshencës” tek “mendimet e shpërbëra pa folje dhe pa ritëm”, apo “hijet që ikin në errësirë”, më kanë bërë të them gjithashtu “kjo jam unë”. Dhe kjo, mendoj se është vërtet kuptimplote: kur ne “e njohim” apo “e dimë” atë që thuhet aty, autori duket ka arritur të na sjellë një vepër me vlera universale. E çfarë do të duhej më tepër për ta quajtur një vepër të suksesshme?! Thjesht uroj me zemër që Greta, bashkë me tingujt e pianos, të vazhdojë të na dhurojë edhe këtë muzike të rrallë të së përditshmes.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *