Prokuroria e Krimeve të Rënda në Itali ka mbajtur nën përgjim për një kohë të gjatë grupin që merrej me trafikimin e drogës me avion Shqipëri-Itali.
Autoritetet italiane mësohet se kanë nisur përgjimet që prej kohës kur vëllezërit Lamaj ndodheshin në Itali. Kjo pasi rezulton se janë vendus pajisje përgjimi dhe në automjetin e tyre Audi A3.
Sipas hetimeve, Sokoli dhe Vilsoni më 6 korrik kanë ardhur në Shqipëri, duke u nisur nga porti i Brindisi-t me traget bashkë me automjetin e “Audi A3” me targe DHxxxHN.
Sokoli duhet të qëndronte në Shqipëri për të ndjekur personalisht kultivimin e marijuanës dhe organizimin e ngarkesave, ndërsa Vilsoni do të kthehej në Itali, ku do të priste urdhrat e të vëllait për t’u nisur me avionin e lehtë në drejtim të territorit shqiptar, dhe sapo të merrte drogën do të nisej sërish për në Itali.
Hetimet teknike në Itali po kryheshin ndaj numrave telefonikë në përdorim të shtetasve shqiptarë Vilson Lamaj, Kleo Lamaj, Sokol Lamaj, Artjon Lamaj, Feim Lamaj, Bukurosh Keshilli dhe përgjime në 2 automjetet Audi A3.
Pseudonimet e grupit
Nga këto përgjime, prokuroria italiane ka zbardhur edhe nofkat apo pseudonimet që ky grup kriminal përdortë gjatë bisedave të tyre për të mos u diktuar nga policia. Konkretisht, Vilson Lamaj thirrej me nofkën “Ëilli”. Kleo Lamaj thirrej si “Keli”, Bukurosh Këshilli quhej “Dobiçi” dhe “Rosh”. Ndërsa, Fatos Burhamaj quhej ndryshe “Poma” ose “Lushi”.
Lidhjet me policinë
Kanë qenë këto përgjime që kanë zbuluar lidhjet e grupit me punonjësin e policisë Vladimir Zenaj.
Sokol Lamaj i ka telefonuar Zenajt për të parandaluar asgjësimin e bimëve narkotike të tij gjatë një aksioni policie.
Nga ky përgjim, ka rezultuar se Zanaj ishte personi që “mbronte” grupin kriminal të trafikut të drogës. Gjithashtu, mësohet se pas telefonatës që Zanaj kishte marrë, ai i ka thënë Sokolit se: “Merrem unë me këtë punë”.
14 persona u arrestuan në Itali dhe Shqipëri, pas kapjes së avionit “Aereoprakt A22” me 120 kg marijuanë në Brindisi, të pilotuar nga Vilson Lamaj.
