Lavdërim Muhaxheri prezanton monedhën e re të Shtetit Islamik

redaktor

Shteti Islamik në Siri, ISIS, tashmë ka edhe monedhën e tij të brendshme, dinarin e artë, i cili nuk do përdoret për tregti jashtë territorit.

Por mbi të gjitha, bie në sy fakti se kjo monedhë është promovuar me një video propaganduese, ku “aktori” kryesor është shqiptari nga Kosova, Lavdërim Muhaxheri, që konsiderohet si një nga luftëtarët dhe drejtuesit më të rëndësishëm të ushtrisë dhe që është deklaruar dy herë i vdekur në luftime, por që në fakt ka qenë vetëm i plagosur.

Shqiptari nga Kaçaniku shfaqet në një video të shkurtër të shpërndarë në internet nga vetë ISIS për mediat dhe tregon detajet se si do përdoret dhe vlerën e përbërjen që ajo ka.

“Ndërsa lartëson monedhën e tij të re, ISIS vazhdon t’i paguajë bandat e xhihadistëve me dollarë amerikanë, ndërsa këto të fundit, apo edhe monedhat lokale, përdoren gjithashtu edhe për shkëmbimet tregtare”, shkruante dje “Daily Mail” për këtë ngjarje.

Sipas raportimeve në fjalë, mësohet se kjo monedhë nuk do ketë vlerë jashtë kufijve të Shtetit Islamik. Por ISIS pretendon se monedha e artë 21-karatësh dhe me peshën prej 4,25 gramësh, do të jetë e barasvlefshme me 139 dollarë amerikanë.

Por gjithashtu do të ketë edhe monedha të tjera prej argjendi e bakri me vlerë ë të ulët. Ndërsa Muhaxherit i është lënë si nder që të promovojë pikërisht monedhën më të shtrenjtë të ISIS, atë të florinjtën.

“I ashtuquajturi Kalifati Islamik tashmë vjen me monedha të reja prej floriri, por edhe argjendi dhe më pak të çmuara si bakri”, shkruanin mediat britanike rreth kësaj ngjarjeje. Në videon e gjatë, militantët e Shtetit Islamik, përveç Muhaxherit, kanë prezantuar armën e tyre ekonomike.

Në filmim fillimisht hidhen akuza se Shtetet e Bashkuara e kanë grabitur pasurinë reale të amerikanëve përmes një dekreti ekzekutiv, me prezantimin e aktit të rezervës së arit në 1934-n.

“E sigurt do të jetë se monedha nuk do ta humbë kurrë vlerën e saj, krahasuar me kartëmonedhat e letrës”, u shpreh Muhaxheri në shpjegimet që i bëri monedhës së ISIS.

“Por duke qenë se Shteti Islamik është një grupim terrorist, paratë e tij nuk do të mund t’i përdorë dot për tregti jashtë territoreve që kontrollon”, raportojnë mediat që i referohen edhe zyrtarëve të OKB-së.

Share This Article
6 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *