FOTO: Gropa e një koncesioni, ministri Tahiri dhe disa identitete të rreme në “pasaporta super të sigurta”

redaktor

E PËRDITËSUAR: Fillimi i pajisjes së shtetasve shqiptarë me karta identiteti dhe pasaporta biometrike në vitin 2009 u konsiderua nga Qeveria Berisha një sukses i jashtëzakonshëm. Ky operacion eliminonte dhe pengesën e fundit teknike për heqjen e vizave për shqiptarët.

Faktikisht përveç progresit të pakundërshtueshëm në “inventarizmin” e shqiptarëve ky proces u shoqërua me të meta, abuzime dhe hajdutëri që në disa raste cënonte edhe sigurinë kombëtare të Shqipërisë.

Procesi i prodhimit të kartave të identitetit dhe pasaportave i ishte dhënë me koncesion kompanisë Aleat SHPK, që ishte një filial i kompanisë franceze Morpho S.A., e cila ishte vetë ishte filial i kompanisë Safran, një nga kompanitë përbërëse të kompleksit industrial-ushtarak francez. Në Shqipëri firma më shumë njihet si Aleat-Safran-Sagem.

Problemet e koncesionit të pasaportave biometrike

Nëpërmjet këtij koncesioni alla Berishë shteti shqiptar humbte dhjetra miliona euro, që shkonin në xhepat e koncesionarit në vend të përfundonin në arkën e shtetit. Kujtojmë se gjatë qeverive të majta për një të presupozuar dëm prej 4 milion USD shkaktuar shtetit shqiptar për prodhimin e pasaportave shqiptare nga kompania gjermane Bundes Druckerei përfunduan në burg zv/ministri i Brendshëm dhe drejtori i përgjithshëm i policisë me gradën e atëhershme kolonel.

Kompania koncesionare dhe “hyzmeqarët” e saj shqiptarë nuk u mjaftuan me dhjetra milionë euro të fituara “qyl” nga klauzolat disavantazhuese për shtetin shqiptar, që përmbante koncesioni, por duke ua nxirë jetën shqiptarëve me vonesa dhe rradha të gjata përfituan të tjera miliona.

Që në postë, ku bliheshin kuponat e aplikimit, kishte rradhë të llahtarshme vetëm e vetëm për t’ua plasur buzën shqiptarëve e për t’i detyruar t’i blinin kuponat me të shtrenjtë. Më pas ishte kalvari i aplikimit në zyrat e Aleat SHPK-së, ku njerëzit nga halli për të mbaruar shpejt në vend të kuponave 6 000 lekësh ishin të detyruar të blinin kupona 15 000 lekësh, me anë të të cilave pajiseshin me pasaportë brenda 3 ditëve. Në këtë mënyrë kompania siguroi të tjera miliona euro shtesë.

Problemi më i madh me pasaportat biometrike ishte siguria e tyre. Megjithëse u trumbetua nga vetë ish kryeministri Berisha se këto pasaporta janë tepër të sigurta, shumë hajdutë e vrasës, persona në kërkim në Europë e në Shqipëri arritën të pajisen me pasaportë biometrike të falsifikuara nga sistemi. Të tillë njerëzve të hurit e të litarit u jepej një identitet i ri dhe një mundësi e re për të vazhduar biznesin kriminal pa u rënë në sy agjensive ligjzbatuese shqiptare dhe europiane.

Në ndonjë rast kishte edhe rekordmenë si Ndriçim Sadushi i bandës Kateshi të Elbasanit, i cili në periudhën 2000-2011, kur strehohej ilegalisht në Londër dhe Merseyside, kishte përdorur gjashtë emra të rremë dhe 6 pasaporta false përfshirë edhe pasaportë biometrike me demek krejt të sigurtë. Sadushi sipas Pëllumb Seferit, ish shef i Interpol Tiranës ishte Nr.1 në listën e shqiptarëve në kërkim ndërkombëtar. Për më shumë mund të lexoni në linkun: http://www.dailystar.co.uk/neës/latest-neës/223803/Fugitive-killer

Qarkullonte si barsaletë në policitë kufitare europiane rasti i një jemenasi të lindur në Guvernatoriatin e Mukallës, që ishte pajisur me pasaportë biometrike shqiptare nga këto të sigurtat (sic!), i cili na ishte “pagëzuar” edhe me emrin shqiptar Ermal dhe na rezultonte rezident në Kamëz! Pra krahas kriminelëve ordinerë pasaportat biometrike të sigurta të kohës së Salës mund të kenë përfunduar edhe në duart e terroristëve të atëhershëm të Al-Kaedës.

Sot ç’po ndodh me pasaportat?

Eksponentë të rëndësishëm të PS-së në opozitë, nga deputeti Braçe deri te vetë kryetari Rama, publikisht kanë shprehur shqetësimin e tyre për problematikën e pasaportave biometrike, qoftë në kohën e “Jarit ministër”, qoftë në kohën e “Mulit ministër”.

Me ardhjen në pushtet të PS-së pretendimet në opozitë u harruan. Kompania Aleat SHPK vazhdoi të përfitojë nga koncesioni problematik (sipas PS-së në opozitë). Fatkeqësisht për shtetasit shqiptarë u shtuan bidatet edhe më shumë.

Për të rritur sigurinë e kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike, të cilat edhe më parë reklamoheshin si super të sigurta, u shtuan disa elementë sigurie si psh. Kapaciteti i cipit elektronik nga 72 Kb shkoi në 100 Kb etj. Ky shtim i elementëve të sigurisë u reflektua në rritjen e çmimit të pasaportave dhe kartave.

Nga 1 janari 2015, ne gjynahqarët shqiptarë filluam të paguajmë 7500 lekë në vend të 6000 lekëve për kuponin e aplikimit për pasaporta biometrike. Për kartat e identitetit çmimi kërceu nga 1200 lekë në 1500 lekë. Për shqiptarët, që pajisen me të tilla dokumente në ambasadat tona çmimi u rrit nga 108 në 135 euro për pasaporta biometrike dhe nga 10 në 12,5 euro për kartat e identitetit.

Kuptohet, u rrit edhe çmimi për pasaportat me afat nxjerrje të përshpejtuar. Sigurisht ky ishte një nga “litarët”, që la jashtë Berisha pas 1 milion shuplakave popullore, sepse kontrata e parë për pasaportat biometrike skadonte më 23 korrik 2013. Berisha dhe Muli arritën që t’ia linin “peshqesh” këtë ngritje çmimi qeverisë së ardhshme Rama.

Këtë verë rradhët e gjata, plasja e buzës së shqiptarëve në zyrat postare për blerjen e kuponëve të aplikimit ishte e njëjtë dhe vende-vende edhe më keq se në vjeshtën e vitit 2010. Rryshfeti vazhdoi të bëjë kërdinë në zyrat e postës. Në zyrat e aplikimit të Aleat SHPK-së rradhët e gjata në 33-38 gradë Celcius u kthyen në normalitet. Njerëzit jo vetëm ditën por edhe natën, mbanin rradhë pranë sporteleve të aplikimit të Aleat ShPK-së.

Nga halli më shumë se 10.000 shqiptarë kryesisht emigrantë blenë me rradhë dhe rryshfet kuponat për procedurë të shpejtuar (me çmim të ngritur) për pajisjen me pasaportë.

Fatkeqësisht punët ishin më zi se në kohën e Berishës. Shqiptarët ditën dhe natën mbetën nëpër rradha madje edhe pasi blinin me rradhë të gjatë e me bakshish kuponat e shtrenjtë prej 18.000 lekësh. Përfaqësues të koncesionarit me cinizëm shpreheshin se me blerjen e kuponit 18.000 lekësh kompania e pajis shtetasin brenda 3 ditëve pune, pasi ai ka aplikuar në sportelin e kompanisë. Në mënyrë të qëllimshme kompania mbante hapur disa herë më pak sportele se në vjeshtën e vitit 2010. Pra shqiptari pajiset për tre ditë me pasaportë, por pasi të ketë ndenjur në radhë me ditë jo me orë në sportelet e aplikimit. Kësaj i thonë edhe të të rruaj paratë, edhe të të keqtrajtoj në rradhë, edhe të tallem me ty duke bërë lodra fjalësh.

Fatkeqësisht Drejtoria e Gjendjes Civile e Ministrisë së Brendshme, e cila ka për detyrë ligjore të mbikqyrë koncesionin, i la shqiptarët në kthetrat e Aleat SHPK, ku ata jo vetëm paguanin qimet e kokës, por edhe rrinin shumë herë më gjaë në rradhë sesa në kohën e Mul-ministrit të Berishës. Në gjendjen civile drejtori “burrë” Teliti i Berishës ishte zëvendësuar nga një prej “geishave” të preferuara të Kryeministrit Rama, por koncesionari po ua nxirrte qumështin e nënës nga hundët shqiptarëve shumë më poshtërsisht se në kohën e Berishës. Ministri Tahiri që e ka nën varësi drejtorinë në fjalë nuk u pa të ndërhynte për të lehtësuar sadopak vuajtjet e shtetasve të tij.

Bidati tjetër i radhës i trashëguar është një “gabim teknik” në pasaportat për shtetasit shqiptarë nën 16 vjeç. Afati i këtyre pasaportave të prodhuara gjatë vitit 2009 nga 10 vjet i shkruar në to, faktikisht është 5 vjet. Për këtë “gabim teknik” të kryer nga Aleat SHPK dhe burokratët e shtetit duhet të vuajnë shqiptarët.

Asnjë nga zabërhanët e Berishës përgjegjës për këtë nuk u ndëshkua nga dikasteri Tahiri. Pse vallë? Janë burra e gra të mira ish burokratët e Salës, apo më mirë futja sa krahu prindërve shqiptarë dhe fëmijëve të tyre sesa t’u prishësh rehatinë ish vartësve të Jarit me mustaqe (viti 2009)?!

Problemi i sigurisë

Me shtimin e elementëve të sigurisë nga janari 2015 u trumbetua nga vetë ministri se pasaportat e sigurta, u bënë super të sigurta. Fatkeqësisht ministri ose i gënjeu shqiptarët ose ai u besoi gënjeshtrave të vartësve të vet apo edhe të koncesonarit Aleat SHPK.

Që në ditët e para të shkurtit 2015 dhe në vazhdim policitë e vendeve të ndryshme të BE-së kanë vijuar të kapin drogaxhinj e tutorë prostitutash shqiptare me identitete të rreme të pajisur me pasaporta biometrike të prodhura nga sistemi.

Për të ilustruar këtë, po jap dy shembuj kuptimplotë nga mediat italiane. Në datën 15 shkurt 2015 karabinerët arrestuan dy shtetas shqiptarë, që 3 vite më parë kishin bërë namin rrugëve të Peruxhias, madje kishin goditur e plagosur me sende të forta edhe policë italianë.

unnamed (1)_241

Të arrestuarit ishin Fatmir Salkurti i datëlindjes 13 shkurt 1988, që qarkullonte me pasaportë biometrike të prodhuar false nga sistemi me emrin Erin Cara lindur po më 13 shkurt 1988, dhe Indrit Salkurti i lindur po në Qarkun e Dibrës më 20 korrik 1992, i cili kishte një pasaportë biometrike prodhuar false nga sistemi me emrin Rexhep Ilnica lindur më 20 korrik 1992.

Për më shumë mund të konsultohet linku:

http://www.umbria24.it/scontri-in-centro-a-perugia-presi-anche-gli-albanesi-che-scatenarono-la-notte-di-follia/345541.html

Ky fakt tregon, që edhe dy keqbërës të parëndësishëm, pa lidhje me politikën, pa ndonjë pasuri të madhe arrijnë të sigurojnë pasaporta biometrike false, për më tepër pasi ka filluar prodhimi i pasaportave biometrike super të sigurta. Lind pyetja po super kriminelët shqiptarë të lidhur me politikën e shumë të pasur, sa kollaj e kanë vallë, për të marrë zyrtarisht një identitet të ri?! Po larg qoftë, terroristët e huaj arabë e islamikë në përgjithësi a e kanë të vështirë, që me para në dorë të na “shqiptarizohen” duke u pajisur me të tilla pasaporta biometrike super të sigurta të prodhuara false nga sistemi?!

Në 26 gusht 2015 karabinierët e Pordenones arrestuan një durrsak 26 vjeçar për drogë. Ai kishte një pasaportë biometrike false të prodhuar më 2 qershor 2015 d.m.th nga këto super të sigurtat.

b

Në pasaportë ishte emri Roland Ambrosa, në të vërtet i arrestuari quhej Roland Qibja. Karabinierët i kapën edhe një kartë identiteti rumune dhe një leje drejtimi automjeti rumune të falsifikuara me emrin Nicolae Ganea me datëlindje 2 qershor 1983, por me foto të Rolandit.

Për më shumë informacion për këtë rast mund të konsultohet linku:

http//www.ilgazzettino.it/NORDEST/PORDENONE/pusher_pordenone_albanese_carabinieri/notizie/1535317.shtml.

c

Në këtë rast kemi një shpërndarës të rëndomtë droge, që pa vështirësi arrin të sigurojë pasaportë biometrike false me element të shtuar sigurie të prodhuar nga sistemi. Një thuajse askushi arrin të ketë një pasaportë të tillë po një, që është dikushi në botën e kriminalitetit, sa të lehtë e ka një gjë të tillë?!

Për ironi të fatit ministri Tahiri në janar 2015 deklaroi se tashmë pasaportat biometrike shqiptare janë shumë të sigurta të nivelit të vendeve të BE-së madje edhe ja kalojnë ndonjërit prej këtyre vendeve. Shembulli i mësipërm tregon se pasaportat biometrike super të sigurta mund të prodhohen false nga sistemi e të bien në duart e keqbërësve shqiptarë të paktën po aq lehtësisht sa kartat e identitetit dhe patentat e një vendi anëtar të BE-së si Rumania. Sa për siguri pasaporte nuk e dimë se kujt vendi europian ia kalojmë, por të paktën jemi të sigurtë që për falsifikim jemi baraz me kartat e identitetit të rumunëve europianë!

Rreziku terrorist

Në këto kohë të trazuara nuk është problemi vetëm tek trafikantët apo kriminelët ordinerë. Sot Kalifati Islamik, ndonëse i bombarduar fuqishëm nga ajri dhe i goditur nga kurdët, irakenët, turqit dhe pasdaranët iranianë në tokë, përsëri mbetet në ofensivë dhe i rrezikshëm.

Atentatet terroriste me inspirim nga ky kalifat në jo pak raste kanë shkatuar viktima në Europë por edhe në SHBA (rasti i çeçenëve të maratonës). Do të ishte një goditje e rëndë për prestigjin e Shqipërisë, nëse Zoti mos e dhëntë, ndonjë nga këta kasapë të na pajiset me pasaporta biometrike false shqiptare për të bredhur e bërë terror në vendet e zonës Shengen.

Le të shpresojmë, që z.ministër të verë dorë në plagën e pasaportave biometrike shqiptare jo thjesht, që shqiptarët në dhjetorin e ardhshëm të mos vuajnë rradhët e tmerrshme dhe pagesat e kripura si këtë gusht, por edhe për të mbrojtur prestigjin e Shqipërisë.

Një arab apo çeçen me pasaportë biometrike shqiptare të prodhuar false nga sistemi do të shaktonte tërmet në qeverinë shqiptare. Në këtë rast pak rëndësi ka se kush do ishte fajtori: “kapterri” i policisë apo punonjësi i gjendjes civile në vartësi të ministrit Tahiri apo nëpunësi i koncesionarit Aleat SHPK. Ka ardhur koha, që të kuptohet se siguria kombëtare nuk ka brirë, ndaj pikërisht kjo meseleja e pasaportave biometrike ndër të tjera ndikon edhe në sigurinë tonë kombëtare.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *