Do të jetë skocezi William Collum ai që do të vendosë drejtësi në sfidën e kësaj të Premteje mes Danimarkës dhe Shqipërisë që do të zhvillohet në stadiumin “Telia Parken” të Copenhagenit. UEFA ka publikuar emrat e arbitrave që do të gjykojnë sfidat e ardhshme eliminatore për Euro 2016 dhe ajo mes Kombëtares tonë edhe asaj skandinave i është besuar pikërisht 36-vjecarit nga Glasgow. William Collum është një arbitur shumë i njohur dhe me shumë përvojë në arenën europiane teksa në këto vitet e fundit ka gjykuar ndeshje të një niveli shumë të lartë.
Sfida e fundit elimintore për Euro 2016 që ka vendosur drejtësi gjyqtari britanik ka qenë pikërisht ajo e 12 Qershorit mes Islandës dhe Republikës Ceke që përfundoi me rezultatin 2-1 në favor të përfaqësues nordike. Në Champions League 36-vjecari skocez sezonin e kaluar ka arbitruar sfida të një rëndësie shumë të madhe si cerekfinalja mes Monacos dhe Juventusit apo edhe ndeshja e kthimit e raundit të 1/8 mes Bayernit dhe Shaktharit si dhe takimi i fazës së grupeve Juventus-Atletico Madrid.
Sfida e fundit në Champions për Collum ka qenë ajo mes Baselit dhe Maccabit të Tel Avivit që përfundoi në barazim 2-2, me arbitrin skocez që i mohoi një gol të rregullt dhe nuk i dha një penallti të pastër skuadrës së Shkëlzen Gashit dhe Taulant Xhakës edhe pse mesfushori i Kombëtares Kuqezi mungoi në atë takim për arsye skualifikimi, raporton SS.
Collum shquhet si një arbitër që nuk kursehet në nxjerrjen e kartonave prandaj futbollistët e kombëtares tonë duhet të tregohen shumë të kujdesshëm me të. Në finalen e Superkupës së Europës të këtij viti mes Barcelonës dhe Sevillas ai nxorri plot 9 kartona të verdhë. Asistentë të Collum në sfidën Danimarkë-Shqipëri do të jenë Damian Mac Graith dhe Francis Connor ndërsa arbitër i katërt Alastair Mather.
