Strategjia e re e rendit publik për vitet 2014-2020 dhe plani i veprimit për periudhën 2015-2017 parashikojnë investime në vlera të konsiderueshme për Policinë e Shtetit.
Referuar strategjisë dhe planit të veprimit që kanë marrë fuqi ligjore, vlerësohet se për përmirësimin e shërbimeve për gjithë periudhën e zbatimit të strategjisë do të nevojiten përafërsisht rreth 100 milionë euro ose 14.5 miliardë lekë. Fondet buxhetore që kërkohen në strategjinë e re për vitet e ardhshme parashikojnë rinovimin e plotë të 1mijë mjeteve të lëvizshme që kërkon një fond në vlerë rreth 31 milion euro.
Po ashtu, parashikohet edhe përmirësimi i infrastrukturës ndërtimore që kërkon 32 milion euro dhe rinovimi i armatimit dhe pajisjeve special që kërkon gjithashtu 30 milion euro.Ndërsa për shërbimin e uniformës fondi buxhetor që nevojitet arrin në 10 milion euro. Në strategjinë e re të rendit publik evidentohet se për vitet 2015, 2016 dhe 2017 buxheti i planifikuar për rendin publik është i ulët dhe nuk mbështet plotësisht objektivat dhe detyrat e parashtruara në strategji.
Ndaj, në dokument theksohet nevoja e ndryshimit të politikave të buxhetimit për problemet e sigurisë.
