Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” me Shërbim të ri Hemodinamike

Dita

Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” do të ketë tashmë shërbimin e vet të specializuar të Hemodinamikës. Lajmi u bë i ditur gjatë vizitës që Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, zhvilloi sot (08/09/2015) në këtë qendër spitalore universitare me rastin e vënies në punë për herë të parë përveç QSUT-së, të qendrës së dytë publike në vend për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve kardio-vaskulare.

Përveç se përmbushim një angazhim të rëndësishëm programor për këtë shërbim, por përgjithësisht edhe për sëmundjet kardiovaskulare si grup-sëmundjet me barrën më të rëndë të sëmundshmërisë shqiptare me një një fokus të veçantë në Programin e Qeverisë, tha midis të tjerash Ministri Beqaj në takimin me drejtues, mjekë e punonjës të kësaj qendreje spitalore, në këtë mënyrë, ne zgjerojmë mundësitë për ofrimin e këtij shërbimi në institucionet tona publike, të financuara me paratë publike, përveç dy njësive ekzistuese të hemodinamikës në QSUT. “Që nga fillimi i vitit, këtë shërbim e financojmë edhe në institucionet jopublike, tashmë i shtojmë edhe këtë kabinet, që është këtu në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, – tha më tej kreu i shëndetësisë.
Duke folur për zgjerimin e mundësive të financimit me para publike për krijimin e një qëndreje të dytë publike, e cila përtej zgjerimit të ofertës, krijon edhe mundësinë për më tepër konkurencë profesionale dhe më shumë zhvillim, z. Beqaj u shpreh i bindur se “ajo çfarë mund të arrijmë vitin e ardhshëm, që do të jetë viti i plotë, do të jetë plotësimi i rreth 20% të nevojave me këtë shërbim, duke marrë parasysh QSUT-në, këtë shërbim, financimin tek privati, dhe padyshim, edhe kabinetin që do të duhet ta hapim në Spitalin Rajonal të Shkodrës”.

Me funksionimin e plotë të këtij shërbimi, pritet që vitin e ardhshëm të realizohen nga ky spital rreth 1/5 e vëllimit të ndërhyrjeve të kardiologjisë mini-invazive që do të financohen me para publike, duke plotësuar kështu, gamën e shërbimeve dhe funksioneve që ky spital universitar ofron për pacientët shqiptarë. “Hapja e këtij shërbimi, e plotëson profilin e këtij spitali, si spital universitar i përgjithshëm, jo vetëm për sëmundjet e mushkërive, siç jemi mësuar normalisht,” – tha z. Beqaj, duke falënderuar drejtuesit e spitalit që e bën të mundur fillimin e funksiopnimit të këtij shërbimi, si dhe drejtuesit e shërbimt universitar të QSUT-së për mbështetjen profesionale që i dhanë këtij procesi.

Me Aktin Normativ të Këshillit të Ministrave të miratuar më 29 korrik 2015 lidhur me shtesën e buxhetit për investimet e reja në shëndetësi, janë dhënë financime të rëndësishme dhe pajisje diagnostike për sëmundjet e brendshme që do të vihen në funksionim në fillim të vitit të ardhshëm, si edhe në fazën e tretë të investimeve, në punime ndërtimore, në mënyrë që të kemi në fillim të 2017-ës, këtë spital të kompletuar, u shpreh Beqaj.

Kështu, kanë filluar tashmë procedurat e prokurimeve për blerjen dhe instalimin e disa pajisje të rëndësishme për këtë qendër spitalore universitare, siç janë: fondi prej 17 milion lekësh për blerjen dhe instalimin e Fibrogastroskopit dhe Bronkoskopit; blerja e respiratorëve dhe monitorëve në kuadrin e fondit prej 55 milion lekësh për blerjen e 7 respiratorëve dhe 21 monitorëve; si dhe në kuadrin e fondit prej 54 milion lekësh për blerjen e 4 ECHO-ve kardiake, 4 Tapeteve për provën ushtrimore të zemrës, 20 Aparateve Holter EKG për tensionin arterial, 20 Aparateve Holter Monitor për ritmin Kardiak dhe 16 EKG-ve për spitalet rajonale dhe universitare në vend.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *