Kukësi kërcen Samba përballë Teutës.
3 gola brazilianë të Felipe Moreira, Kariokës dhe Floresit i dhanë një sukses verilindorëve, që i shkaktuan humbjen e parë Teutës.
Felipe Moreira provoi që në minutën e 3-të por nuk e kishte shënjestrën e saktë. Gjithsesi e korigjoi atë në të 7-tën, kur kombinoi me bashkomasin e tij Karioka duke mposhtur Rizvanin për herë të parë në këtë sezon.
Brazilianët e Kukësit vazhduan të kërcenin samba dhe në vazhdim, me Kariokën që në të 17-të dha një tjetër top për Floresin, që shpërdoroi.
Mundësinë e parë Teuta e krijoi në të 24-trën, kur një goditje e lirë e Mihanit përfundoi në duart e portierit Koci.
Në të 25-tën dhe 30-tën, Magani pati dy mundësi të tjera, por nuk arriti të konkretizojë.
Një ndeshje relativisht e qetë, u tensionua në të 33-tën pas një përplasje mes Malotës dhe Hilës, me futbollistin e Kukësit që goditi me shkelm kundërshtarin teksa ky i fundit ishte i shtrirë.
Hila reagoi dhe Jemini i ndëshkoi të dy me të kuq.
Kukësi vazhdoi të ishte këmbengulës dhe në të 40-tën, pretendoi dhe një 11-metërsh përpara se Moreira të ndalej nga Rizvani në përpjekje për të shënuar golin e dytë.
Pjesa e dytë nisi ashtu si e para, me Kukësin që gjeti sërish rrjetën, këtë herë falë Kariokës.
Teuta megjithatë nuk u dorëzua dhe në të 62-tën pati shansin për të hapur ndeshjen, me Lamçjan, por Koci bëri një tjetër pritje fantastike.
Në të 82-tën, Karioka mund të kishte shënuar dhe golin e dytë personal por u ndal nga Rizvani që mbylli mirë zonën.
Atë që nuk bëri Karioka e bëri, Flores, që në të 86-tën shënoi me një goditje nga distanca.
3-0 ishte një provë force nga ana e Kukësit, që përballë Teutës tregoi se mbetet ende skuadra nënkampione dhe një prej pretendenteve dhe këtë vit për titullin kampion.
