Numri i shqiptarëve që kërkojnë azil në Gjermani mbetet kritik për autoritetet vendase, megjithëse më herët ishte raportuar për një ulje të lehtë si pasojë e masave shtrënguese. Shqipëria mbetet e dyta pas sirianëve për nga numri i lartë i azilkërkuesve në Gjermani.
Përmes një raporti të bërë publik në datën 11 shtator nga Ministria e Brendshme gjermane, vetëm për muajin gusht numërohen 8306 azilkërkues shqiptarë.
Kjo shifër krahasuar me muajin korrik është rritur me 673 shqiptarë më shumë, ndërsa krahasuar me muajin qershor me 2374 më shumë. Sipas autoriteteve gjermane bëhet me dije se shifrat e azilantëve shqiptarë janë rritur edhe në krahasim me një vit më parë.
Për periudhën janar-gusht 2015 numërohen 38245 kërkesa për azil, ose 32988 më shumë se për periudhën janar-gusht 2014. Ndërkohë që Siria, e cila renditet e para në listë për numrin e lartë të azilantëve, numëron 10440 kërkesa në muajin gusht, duke e lënë pas Shqipërinë me vetëm 2134 kërkesa më shumë.
Ndërsa për periudhën janar-gusht 2015, Siria numëron 55587 kërkesa, ose 35403 me shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Azilkërkuesit shqiptarë po kthehen në fenomen shqetësues për Gjermaninë, e cila është shprehur se do të mbështesë vetëm emigrantët që vijnë nga vendet e luftës.
Gjithashtu ritmi i riatdhesimeve të azilkërkuesve është i lartë, pasi për muajin shtator numërohen mbi 500 persona të kthyer me avionë çarter dhe kalendari i fluturimeve është i ngjeshur. Dy ditë më parë u riatdhesuan edhe 80 shqiptarë të tjerë.
