Ka vite, por, sidomos këtë vit, Shqipëria ka zgjuar interes dhe po rekomandohet nga mediat e portalet e huaja si një destinacion që ka shumë për të ofruar. Në këto rekomandime, krahas anëve pozitive, përmenden edhe anët negative, infrastruktura rrugore, papastëria, cilësia e dobët e shërbimit etj. Për drejtuesit e agjencive turistike, numri i turistëve është në rritje, por duhet të përmirësohen politikat e promovimit dhe të organizimit ndryshe.
Të huajt që e vizitojnë vendin tonë tërhiqen më shumë nga natyra dhe deti. Kjo është edhe arsyeja që Riviera, nga Vlora në Sarandë, është më e frekuentuara, duke u kthyer në destinacionin më të populluar veçanërisht nga turistët e huaj. Më pak të eksploruara janë plazhet e pjesës veriperëndimore të Shqipërisë. Kultura dhe historia janë gjithashtu elemente që grishin vëmendjen e vizitorëve. Kryeson në preferencat e tyre Kruja, me kështjellën e Heroit Kombëtar, Skënderbeut, Butrinti, Gjirokastra dhe Berati, por edhe Apolonia. Të shumtë janë ata turistë që pëlqejnë malet, sidomos Alpet Shqiptare me përfaqësues Thethin dhe Valbonën.
Më poshtë kemi shkëputur pjesë përshtypjesh nga turistët e huaj gjatë këtij sezoni të botuara në gazeta dhe portale prestigjioze botërore:
Sërish, së shpejti në Shqipëri!
Gazeta e madhe britanike “The Telegragh”, në shkrimin “Shqipëria, sekreti më i ruajtur i Mesdheut”, me autore Caroline Shearing, shkruan se “në kthimin në histori për një ditë, ajo gjeti në Shqipëri një mikpritje të ngrohtë, ushqim të jashtëzakonshëm me produkte deti dhe toke bio”.
Pasi përshkruan kalimin nga Greqia në Shqipëri në pikën kufitare të Qafë Botës, ku i ka bërë përshtypje relievi i pyllëzuar në anën greke dhe terreni i zhveshur në territorin shqiptar, asaj i tërheqin vëmendjen ndërtimet dhe betonizimi i Rivierës dhe Sarandës.
Duke iu referuar poetit romak të lashtësisë, Virgjilit, i cili për Butrintin shkruante se “pashë përpara meje një Trojë në miniaturë”, në shkrimin e saj për Butrinin, editorja e “The Telegraph” të Londrës shkruan se “Butrinti është një nga qendrat arkeologjike të ruajtura më mirë në Europë, edhe pse ka shumë për t’u zbuluar në të”.
Për gazetaren britanike Caroline Shearing “Shqipëria, ndoshta nisur edhe nga historia e vendit, është një vend që po nxiton të kapë kohën e humbur dhe kjo është evidente më shumë në peizazhin e saj jashtëzakonisht të bukur, ku bien në sy kolonat e betonit”.
“Pjesa më e madhe e Rivierës shqiptare në grykë të Adriatikut është ende e pazhvilluar, me një numër plazhesh me rërë të imët në këmbë të maleve të lartë, por që ka nevojë të bëjë më shumë për të mbrojtur vijën e saj bregdetare, nëse ky vend dëshiron të shmangë katastrofat e mjedisit dhe ato arkitekturore”, konstaton gazeta britanike “The Telegragh”.
Pasi citon një çift britanikësh në Sarandë, të mahnitur për çmimet e ulëta të një dreke prej 50 eurosh, në shkrimin e saj, editorja e turizmit e gazetës britanike nuk lë pa përfshirë pyetjen habitore të zyrtarit grek të kufirit, kur i kontrollon pasaportën se, “përse një angleze ishte në Shqipëri!?”. Përgjigja jepet në fjalinë e fundit të shkrimit të gazetares angleze, ku shprehet dëshira e saj për ta vizituar dhe shijuar sërish, së shpejti Shqipërinë.
Vendi më mikpritës në Glob
Petra Coman, një gazetare udhëtimesh rumune, përshkruan në blogun e saj mbresat e mrekullueshme nga udhëtimi më i fundit në Shqipëri. Komentet e saj janë befasuese ndërsa shkruan se ndërsa vizitoni Shqipërinë do të ketë momente kur do t’ju duhet të pickoni veten dhe të pyesni , “ku jam kështu”, e ky do të jetë një veprim i vazhdueshëm. Ndër pikat kryesore ajo veçon malet e lartë, ku ovacionet habitore (e thirrjet woow) do të jenë pjesë e çdo bisede, madje edhe në momentet kur shpirtin ta kaplon trishtimi.
Sipas gazetares që eksploron vende të ndryshme të rajonit, Shqipëria është toka e aventurës për të gjithë ata që dëshirojnë të provojnë rafting, të shëtisin me kayak, me canoe, të ngjiten në mal apo të udhëtojnë me makina.
Ndër rekomandimet e saj ajo përmend dhe Grupin e Albanian Rafting si më të mirët, ndërsa shton se argëtimi në vendin tonë bëhet në formën e vjetër origjinale e unike, me lojëra e të qeshura deri në lot, me piknike e ndalesa spontane kudo ku dëshiron.
Butrinti, Kalaja e Beratit dhe ajo e Gjirokastrës janë ndër pikat e trashëgimisë kulturore që gazetarja Petra përshkruan në blogun e saj si elementë antikë, që, sipas saj, është ende e çuditshme sesi qëndrojnë të fshehta nga turizmi masiv, e që për të përcjellin ndjenjën e të kaluarës dhe kohës që qëndron në vend.
Specialitetet tradicionale ushqimore dhe ëmbëlsirat mbeten në mendje javë të tëra pasi i ke provuar. Njerëzit janë të jashtëzakonshëm: të mirë, të ngrohtë, të respektueshëm, ndihmues dhe mbështetës! Shqipëria është padyshim një nga vendet më mikpritëse në Glob”, shkruan më tej turistja e impresionuar nga vendi ynë.
Në 16 pikat turistike më të mira në Europë, dy janë shqiptare
Business Insider, ka publikuar një listë me 16 pikat turistike më marramendëse në Europë.
Mes 16 destinacioneve turistike “xhevahire të pazbuluara të Europës”, dy janë të Shqipërisë, Ksamili (në vendin e pestë) dhe Beratin e “njëmijë e një dritare” (në vendin e njëmbëdhjetë. Fotot e peizazheve mahnitëse janë marrë nga postimet e turistëve në instagram dhe mes tyre renditen shtete si Gjermania, Franca, Zvicra, Austria, Danimarka, Italia etj, secili me nga një destinacion të veçantë. “Së bashku me gjithë pjesën tjetër të Shqipërisë, Plazhi i Ksamilit mbetet një xhevahir i pazbuluar i Europës”, kështu përshkruhet plazhi magjepsës i vendit tonë. Ndërsa për Beratin shkruajnë se “qyteti i dritareve” për shkak të dritareve të shumta në ndërtesat e vjetra, është banuar që prej shekullit të 6 para lindjes së Krishtit.
Shqipëria, endé mister për Perëndimin
Gazetari, njëkohësisht edhe shkrimtar, Harry Eyes, në një reportazh për vendin tonë në revistën prestigjioze amerikane “Newsweek”, vë theksin faktit se si një tokë, e cila mbart kaq vlera prej lashtësisë, vazhdon të mbetet ende një territor i paeksploruar.
“Mbyllur plotësisht për dekada të tëra gjatë diktaturës paranojave të Enver Hoxhës, Shqipëria i ka hapur dyert tashmë, por ende duket se ajo merr më pak vëmendje sesa realisht meriton”, shkruan Eyes. Ndërkaq, gazetari rrëfen ndër rreshta se lidhja e tij me Shqipërinë nuk është edhe aq rastësore, pasi stërgjyshi i tij ka qenë ambasadori i parë britanik në Shqipërinë e viteve 1920, dhe derisa u nda nga jeta në vitin 1944 ruante kontakte të vazhdueshme me zhvillimet në vend.
Në këtë formë, Eyes sjell në vëmendje se stërgjyshi i tij nuk ka qenë i vetmi i asaj gjenerate që kishte lidhje të forta, pse jo edhe afeksion për vlerat e gjithë dimensioneve që mbart Shqipëria, duke na sjellë në kujtesë kështu poetin Edward Lear apo historianin Noel Malcolm.
Megjithatë, pavarësisht perceptimit të krijuar ndër vite se Shqipëria është vendi i misterit, kohët e fundit është një gjest i cili ka shtuar kureshtjen e gjithë botës për të mësuar më shumë për vendin tonë.
“Newsweek” veçon pikërisht gjestin elegant të parakalimit në Paris të udhëheqësve fetarë shqiptarë katolik, ortodoks, mysliman dhe bektashian, të cilët marshuan krahë për krahë më 11 janar në mbështetje të viktimave të masakrës “Charlie Hebdo”; në të njëjtin marshim ku ishte edhe kryeministri i vendit, Edi Rama me lapsat trengjyrësh në xhepin e xhaketës së tij, duke simbolizuar kështu lirinë e fjalës dhe mbështetjen për Francën e plagosur.
Bild: E bukur si Kroacia
Ndërkohë që në vend ka një debat në lidhje me çmimet në zonat turistike dhe për faktin nëse Shqipëria ka dështuar me turizmin, gazeta më e madhe në Europë, Bild vjen me një reportazh ku bën thirrje për njerëzit që të shkojnë në Shqipëri. “E bukur si Kroacia, por shumë më e lirë. Në Shqipëri mund të gjesh plazhe idilike si ky në Ksamil,” shkruan gazeta gjermane. “Për në Shqipëri? Pse jo: vendi i vogël në Adriatik dhe detin Jon ka plazhe përrallorë, kulturë të pasur, thesare natyrore, njerëz miqësorë që të mirëpresin”, shkruan Bild.
Tgcom: Tërheqëse dhe misterioze

Shqipëria, të cilën romanët e quanin Iliri, është një vend i gjithi për t’u zbuluar, projektuar drejt modernizimit dhe në të njëjtën kohë e lidhur me të shkuarën e saj shumëdimensionale. Florinjtë vezullues të manastireve bizantinë bashkëjetojnë paqësisht me minaret e xhamive dhe me kujtimet greke të Butrintit dhe Apollonisë.
Plazhe “si në Karaibe”, limane shkëmbore të pa prekura ende nga turizmi masiv, mrekulli natyrore si ai i burimit të Syrit të Kaltër. Për më tepër një kuzhinë që përzien njëmijë shijet e forta të kuzhinës ballkanike dhe turke me ato më të rafinuara me ndikim italian dhe grek. Një vend i sigurt dhe i plotësuar – Iliria e lashtë, është një destinacion me kosto të ulët që zbulon plazhe të bukura me një trashëgimi të pasur kulturore, po aq të pasur sa dhe të panjohur, një vend i sigurt dhe i gatshëm për të tërhequr turistë, aq sa CartOrange e ka përfshirë në katalogun e saj “Udhëtime në kohë”, duke propozuar edhe fly&drive, ku përfshihen antikiteti klasik dhe bizantin i Butrintit dhe Apollonisë, qyteti i Beratit, Durrësi, Saranda dhe Gjirokastra.
Shihni kur t’u vinë anglezët, sherrxhinj dhe allamos!…
Si rrallë herë, këtë verë në Shqipëri ka pasur pushues të shumtë edhe nga Franca. Kjo, edhe falë një linje avioni që lidh direkt Parisin me Tiranën. Jean- Pierre, një turist francez 40 vjeçar që udhëton vetëm, thotë se shqiptarët jo shumë larg do të kenë probleme me turistët anglezë. “Kam lëvizur pothuajse në të gjitha vendet e ish bllokut komunist. Edhe ata kanë pasur të njëjtat probleme me ju. Por tmerri juaj i madh do të jetë kur të zbarkojnë çarterat me grupe angleze. Janë turistët më sherrxhinj dhe më andrallëprurës. Punëtorët anglezë që kanë rregulla shumë strikte në vendin e tyre dhe një polici të egër, kur zbarkojnë në vende si i juaji, duan vetëm një gjë: Të bëhen tapë dhe të shkaktojnë trazira. E ku ka vend më të mirë sesa Shqipëria për ta bërë këtë!? Këtu ku një birrë kushton 1 euro dhe një shots jo më shumë sesa 2 euro, është parajsë për ta. Do ta shihni do të zbarkojnë dhe do t’i keni burgjet të mbushur me këta sherrxhinj. Ka ndodhur kudo, edhe në Rumani edhe në Bullgari.
Lajmet turistike të verës (2015)
Miratohet ligji për turizmin
Në seancën e fundit para se të marrë pushimet verore, Parlamenti ka miratuar projektligjin për turizmin me 79 vota pro dhe 13 kundër. Në besimin e mazhorancës, ligji i ri i turizmit do t’i japë fund ndërtimeve kaotike, familjare dhe lokale në bregdet, duke bërë të mundur atë që ofrojnë fqinjët tanë në rajon, zona turistike me resorte, çka nuk bindi opozitën se ky draft e mundëson një gjë të tillë, e cila votoi kundër. Ligji i turizmit mbylli dhe këtë sesion parlamentar për të rifilluar në shtator.
Sazani, jo më “mollë e ndaluar”
Ishulli i Sazanit u hap zyrtarisht më 26 korrik të këtij viti për turistët vendës dhe të huaj, një zgjedhje e mençur turistike, ku historia e luftërave dhe e jetës ushtarake ndërthuret me klimën dhe pamjet e veçanta përgjatë territorit të ishullit. Ishulli i Sazanit, 6 km nga Porti i Vlorës, ka qenë mollë e ndaluar për 25 vite për turizmin, ai do të ruhet në gjendje natyrale vetëm për vizitorë. Ishullin, pa e dëmtuar dhe duke e kthyer në një burim fitimi, po e menaxhojnë Agjencia e Turizmit dhe agjencia “Litorale Francize Planet”. Turistët fjetjet dhe konsum do t’i kenë në Vlorë.
Liqeni i Shkodrës, çudi nga qielli
Astronautja italiane, Sam Cristoforetti në një nga udhëtimet e saj në hapësirë, ka fiksuar një nga bukuritë e tokës shqiptarë, pikërisht Liqenin e Shkodrës. Foton të cilën ajo e ka shkrepur nga shumë metra lartësi e ka postuar në faqen e saj në Twitter, për ta ndarë kështu me të gjithë ndjekësit e saj. Në mbishkrimin e fotos ajo shkruan: “Liqeni i bukur i Shkodrës, midis Shqipërisë dhe Malit të Zi”.
Një aventurë e paharrueshme
Gazeta britanike “The Telegraph” i ka kushtuar një artikull Bjeshkëve të Namuna në veriun e Shqipërisë. “Mos u mashtroni nga emri që kanë këto male, sepse kur të arrini në majën e tyre do të ndiheni të bekuar” – shkruan autori James Ottery në gazetën prestigjioze angleze. Më tej vazhdon: ”Për eksploruesit e maleve që pëlqejnë rrugët më të largëta, peizazhin mahnitës dhe mikpritjen ballkanase, kjo ecje tetë-ditore paraqitet si një nga aventurat më të mëdha verore në rajon…Shqipëria është në çfarëdolloj forme një destinacion i epërm udhëtimi, është krenare, tepër e bukur dhe e pasur në tradita, por sa i takon ecjes nëpër male ajo është një shteg i paharrueshëm”, shkruan gazetari.
Ky shteg europian ndodhet në një pjesë të izoluar por të mrekullueshme të kontinentit dhe shtrihet në brezin Dinarik të Alpeve Evropiane. Edhe pse shiu gjatë verës është i rrallë, moti gjithsesi mund të jetë i pa qëndrueshëm, kështu që në ç’do moment mund të ketë shi. Turistët e vizitojnë shpesh këtë zonë dhe lenë përshtypjet e tyre më të mira për këtë brez malor shqiptarë.
Peizazhi i bukur natyror me lugina të thella e male të larta, janë një joshje për aventurierët e natyrës. Mikpritja në këto zona të larta nuk është më pak e mrekullueshme. Malet kanë disa fshatra të lidhura me njëri-tjetrin, kështu që akomodimi kryesisht kryhet në shtëpiza të vogla fshati. Dhomat kanë dritare të vogla dhe një vakt të kënaqshëm.
Ka një arsye të mirë përse udhëtarët e shumtë flasin me tone të mrekulluara. Çdo kush që e vlerëson magjepsjen e pastër të aventurës, ka disa mundësi edhe më tërheqëse për të ngjitur disa prej majave më të pa arritshme të Ballkanit, duke përdorur veshje të përshtatshme sportive si dhe rroba që të mbrojnë nga dielli, për të hyrë në zemrën e Bjeshkëve të Namuna.
Shumica e shtigjeve është e aksesueshme vetëm gjatë muajve të verës, ç’ka e bën edhe më të magjishme virgjërinë e tyre. Ushqimi i preferuar i malit që mund të provohen janë trofta e egër e pjekur si dhe rakia e kumbullës.
10 gjërat më të veçanta që gjen në Shqipëri
Një blog italian i udhëtimeve “Indaco”, për të apasionuarit pas udhëtimeve në Ballkan, ka renditur dhjetë vendet më të mira për t’u vizituar në Shqipëri.
Sipas këtij blog-u Shqipëria, vetëm dy hapa larg Italisë ofron për të apasionuarit pas aventurave: det, pyje të virgjëra, qytete antike, kuzhinë të mrekullueshme dhe një popull befasues.
10 vendet në të mira për t’u vizituar në Shqipëri sipas blogut “Indaco”:
1 – E paharrueshme një shëtitje mbi liqenin e Komanit deri në Fierzë, Valbonë e Theth
2 – Tirana, mbresëlënëse si simboli i një Shqipërie që po bëhet evropiane
3 – Parku natyral i Llogarasë dhe rruga që zbret drejt Dhërmiut, spektakolare
4 – Notimi në Drimadhë, që sa nxjerr kokën nga uji shikon malet
5 – Qytetet e Beratit dhe Gjirokastrës me shtëpitë e tyre karakteristike dhe kështjellat, një e kaluar e sotme
6 – Çuditë komunizmit, bunkerët dhe ndërtesat e vjetra uniforme
7 – Kampingu në një nga pyjet e virgjëra të Shqipërisë
8 – Të marrësh një furgon të flasësh me shqiptarët dhe të dëgjosh historitë e tyre të jetës
9 – Pa parë qytetin antik të Butrintit, Ksamilin dhe Syrin e Kaltër, mos thuaj isha në Shqipëri
10 – Të hash mish qengji, gjellë shqiptare dhe të pish raki të fortë

Foto e Butrintit Ju te redaksise a e shikoni qe thote amfiteater antikitetit Grek,a jeni ne vete qe ja lejoni vetes kete publikim kur greket as nuk njiheshin ne kohen e antikitetit rreth sh,12 dhe 8 P.K.dhe na amfitetatrin e Butrinti luhej Eskili.Eshte kultura helenike qe ekziston nen dallget e Adriatikut dyrrahy i pare qe pas permbytjes u nderrtua aty ku eshte sot.Historine e bejne njerezit jo politikat e te forteve.Faleminderit per mirkuptimin.