DITA! Në një kohë kur prej kohësh vendi ynë është pa opozitë, qeveria është futur në vallen e aksioneve kundër shumicës së shqiptarëve me parullën e ligjit, informalitetit dhe ligjshmërisë. Dhe këto aksione i trumpeton me të madhe si reforma që do t’ju sjellin parajsën shqiptarëve. Interesohuni dhe shikoni se si janë shpërndarë “tatimoret” nëpër dyqanet e popullit që rropatet gjithë ditën dhe edhe një pjesë të natës për kafshatën e gojës. Jam shokuar të marr vesh se përveç qiqrave në hell që kërkojnë këta “ligjzbatues”, po bëjnë edhe një paralajmërim të çuditshëm. Ata thonë: Po ju paralajmërojmë dhe mos kemi llafe. Pas datës 1 Shtator 2015, nëse nëpër dyqane do t’ju gjenden frigoriferë pa faturë TVSH-je, do t’ju merret! A thua vërtetë qeveria jonë e dashur ta ketë udhëzuar këtë? A thua me të vërtetë mendja e Kryeministrit tonë të jetë kjo? Nuk e di! Po Kush do t’i ndalojë? Opozita? Jo. Opozitë nuk ka. Ka vetëm rrugaçë që rrinë në SHQUP. Populli? Jo. Populli nuk po gjen vrimë miu ku të futet më tani. Do ta ndalojnë sindikatat? Jo. Sindikatat janë futur në brekët e qeverisë. Duket se liria për popullin është vetëm një ëndërr e bukur. Liri ka vetëm për Sali Berishën që na tall çdo ditë pa e bërë qefin qeder fare, bashkë me ushtarët e tij të bindur. Liri ka vetëm për bosët, padronët dhe faraonët e trafiqeve të ndyra, parave të pista, për gjin gjonët e fëlliqësirat e tyre që vetëm drejtësi nuk dhanë ndonjëherë në këtë vend. Dhe gjithë ditën e lume ma bëjnë karshillëkun për shtatë palë qejfe. Nga L. M.
Dërguar me email
në adresën e redaksisë
