Me ndjeshmërinë që përcjell dhe mënyrën se si i ndjen gjërat, shumëkujt mund t’i duket e çuditshme, por këto janë shenjat e një artisteje. Ajo këndon zbathur. Ka nevojë t’i vendosë këmbët në tokë kur këndon dhe luan në kitarë. Për të është shumë e rëndësishme lidhja me tokën, ndaj gishtat e saj e mbërthejnë fort dyshemenë. Po flasim për këngëtaren Elina Duni, “Dallëndyshja” e së cilës mbrëmjen e së hënës dhe së martës u stacionua në Tiranë. Albumi me këtë titull i këngëtares, prodhuar në një ndër shtëpitë më të mira diskografike në botë sa i takon muzikës jazz, erdhi në Shqipëri pas promovimit në Berlin, Paris, Suedi e Estoni. Pas koncertit në kryeqytet, “Dallëndyshja’ e Elina Dunit, ditën e sotme nis shtegtimin e saj në Beograd.
“Albumi ‘Dallëndyshe’ është publikuar tek shtëpia diskografike legjendare e jazz-it në botë. Kisha shumë dëshirë që të bëhej dhe në Ballkan dhe në gjithë vendet shqipfolëse. Për mua është shumë e rëndësishme, ashtu siç shkruaj dhe këndoj shqip, të kthehem dhe t’i sjell këngët nga kurbeti i tyre zviceran t’i risjell në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Ishte shumë e rëndësishme për mua që ky tur të kapte gjithë njerëzit, gjithë shqiptarinë dhe pjesa e fundit e turit është Beogradi, do të këndoj shqip në Beograd ”, thotë Duni. Ky album, tregon këngëtarja, përmban këngë mërgimi dhe dashurie duke sjellë një pjesë të shpirtit të Elinës. Titulli i zgjedhur enkas, si për të treguar dhimbjen dhe mallin që Elina përjeton në vazhdimësi si një emigrante e dashuruar me vendlindjen, ndonëse shumë e suksesshme në lëvrimin e muzikës jazz.
“Kuarteti është “Kuarteti Elina Duni” në kemi dhjetë vjet që luajmë nëpër Europë, ky është albumi i katërt. Do të prezantojmë 12 këngët e këtij albumi që quhet “Dallëndyshe” dhe ka këngë të vjetra mërgimi dhe dashurie shqiptare, të gërshetuara me jazz-in, me tingujt e jazz-it bashkëkohor”, rrëfen këngëtarja.
Një mesazh për eksodin që po ndodh?
Ka një arsye se pse e ka quajtur albumin e saj të nëntë “Dallëndyshe” dhe për këtë shprehet: “Dallëndyshe është një këngë arbëreshe e vjetër e cila tregon ikjen e arbëreshëve nga Peloponezi. Për mua ka qenë pika e nisjes pasi ky album përmban vetëm këngë mërgimi dhe dashurie. Këto janë dy tematikat e albumit që vazhdojnë të jenë shumë aktuale, derisa eksodi i shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë vazhdon sot e kësaj dite.
Ndoshta dhe unë nuk kam të drejtë të bëj një mesazh për t’i thënë njerëzve “Mos ikni” deri sa nuk jetoj në Shqipëri dhe jam një e mërguar për vete. Sigurisht që do të doja shumë që eksodi të kishte marrë fund dhe shqiptarët të jetonin në vendin e tyre. Eksodi është një shkulje, është diçka shumë e dhimbshme dhe kur mërgon ngelesh gjithmonë i huaj. Jeton në dy botë të ndryshme. Unë nuk marr përsipër të bëj thirrje, por të tregoj se në të gjithë historinë tonë vazhdon i njëjti eksod, ndërsa përgjigjet them se duhet t’i gjejmë të gjithë bashkë”.
Si ta kalosh dhimbjen përmes këngës dhe valles!
Këngët që ajo këndon janë shqiptare, të vjetra dhe me histori. Nëpërmjet këtyre këngëve, në vazhdën e mërgimit, kuptojmë edhe se si duhet të kalojmë dhimbjen. “Ky album është një vazhdimësi me Kuartetin. Ndryshe nga “Matanë malit”, albumi i parafundit i cili ishte më tragjik, ky album edhe pse i këndon temave të vështira siç është mërgimi ka diçka më të lehtë. Ka më shumë ritëm dhe tregon disi që dhimbja tejkalohet nëpërmjet muzikës. Dhe në fakt, muzika folklorike këtë gjë bën, të mëson se si ta tejkalosh dhimbjen përmes këngës ose valles. Në këtë album ka pjesë të Shqipërisë veriore, së mesme së jugut, Arbëreshe, Arvanitase të ndërthurura me jazz-in. Mund të them se në shtypin europian është kritikuar pozitivisht dhe me modesti e them që ka pasur shumë bujë”.
Shkon nga shkon e kthehet në fole…
Por çfarë lidhjeje ka Elina me dallëndyshen si shpend, sa më shumë e shohim teksa këndon duket sikur i ngjan këtij zogu të bukur. “Së pari, dallëndyshja është shumë afër njerëzve. Sepse ndërsa ajo ndërton shpesh foletë nëpër shtëpi është zog që kam përshtypjen e duam shumë ose e kemi shumë të afërt, e ndiejmë të afërt. Dhe është njëkohësisht historia ime, sepse unë iki gjithmonë prej Shqipërisë por gjithmonë rikthehem. Kjo është gjithmonë ikja, mërgimi dhe foleja. Kjo është historia ime, nuk mund të
jetoj pa Shqipërinë. Unë e di shumë mirë që çfarëdo të bëj, ngado që shkoj, kërkoj gjithmonë Tiranën e fëmijërisë sime ose atë ndjesi. Sepse fakti që kam kaluar një fëmijëri aq të bukur në Shqipërinë e atëhershme është për mua një burim shumë i madh lumturie. Kam kaluar një fëmijëri me njerëz shumë të dashur, me shumë diell, me shumë miq. Kam qenë aktive qysh në moshën pesë vjeç, në televizor, në radio dhe nuk e di kush e thotë që, të kesh një fëmijëri të bukur apo të keqe, janë të dyja tragjedi. Dhe deri diku është e vërtetë, sepse ke përshtypjen që koha jote e artë ka kaluar. Nga ana tjetër, është diçka shumë e madhe, sepse ke përshtypjen që ke një burim ngrohtësie, i cili nuk shteron kurrë. Dhe sado keq që të jesh, është gjithmonë një burim ku mund të shkosh dhe të rigjesh veten, sepse ka shumë dashuri, është si një lloj rezerve ngrohtësie dhe dashurie”.
Midis dy botëve
Ka ikur shumë e vogël nga Shqipëria, kur ishte vetëm dhjetë vjeç. Sot është një zonjushë e rritur që ka ruajtur në vete temperamentin e gjallë të një shqiptareje. Sot ajo është një qytetare e botës, por dy shtëpitë e saj rezidente janë në Zvicër dhe Shqipëria. Nuk zgjedh dot mes këtyre dy vendeve. “Zgjedhja ime është që jam midis të dyjave. Për momentin do të doja të kisha më shumë kohë dhe para për të udhëtuar, në fakt. Nëse doja të shprehja një dëshirë, kjo do të ishte ajo që do të doja të bëja. Por mendoj që një njeri si unë e gjen ekuilibrin midis dy botëve. Çdo mërgimtar për mendimin tim është gjithmonë pak i huaj në të dy vendet, edhe tek ai nga i cili vjen, edhe tek ai ku është. Kjo është gjithashtu ndjesia ime. Mbaj brenda vetes gjithmonë dy botë dhe nuk mundem asnjëherë të zgjedh vetëm njërën, apo vetëm tjetrën. Besoj që kjo muzikë e kuartetit i prek kaq shumë edhe shqiptarët, edhe të huajt, pikërisht sepse i flet të dyja botëve dhe pasurohet. Sa më shumë botë të kesh, aq më e thellë është diçka dhe aq më shumë ke mundësi shprehjeje. Dhe unë jam këto dy botë. Kjo do të jem gjithmonë dhe e kam pranuar tashmë. Nuk jam më në luftë me këtë. Ka pasur vite kur kam qenë në luftë e doja të isha si të tjerët. Por kam kuptuar në fakt, se kjo është pasuri dhe jo diçka që duhet fshirë. Pikërisht muzika më ka dhënë mundësinë të unifikohem përmes saj, të gjej rrugën time që është midis këtyre dy botëve”.

E. Duni eshte per mua personalisht, nji nder Artistet e muzikes Shqiptare , me me sharm, e personalitet . Familie artistash mo…
Cfare klasi!!
E degjova dhe nuk mendova kurre te emocionohesha kaq shume.
Bravooooo!!!
Ka sharmin e Vace Zeles..ne mos eshte Vacja e rilindur
Po dashnor ka kjo more shokeni ?..lol