Në mbyllje të studimeve të larta, studentët do të pajisen me diploma që konfirmojnë marrjen e disa titujve. Sikundër ndodh në pjesën dërrmuese të vendeve në Perëndim, së shpejti edhe studentët shqiptarë në mbyllje të studimeve do të pajisen me diploma që në përmbajtje të tyre kanë disa tituj. Reforma që ka nisur të përfshijë arsimin e lartë në vend parashikon ndryshime thelbësore në përmbajtje të diplomave universitare që do t’i lejojnë studentët të vijojnë kualifikime të shumta në fusha të ndryshme, të cilat më pas do të njihen si tituj studimi.
Burime pranë Ministrisë së Arsimit bëjnë me dije se në Strategjinë e Arsimit të Lartë të 2014-2020-s përcaktohet se studentët shqiptarë në përfundim të ciklit të studimeve do të pajisen me diploma në përmbajtje të cilave do njihen disa tituj studimesh që kandidati ka kryer. Me këtë lloj diplome studentët e degëve të profilit shoqëror, mund të studiojnë edhe degë të profilit të shkencave ekzakte ose anasjelltas, teksa me përfundimin e studimeve, atyre do t’u njihen me titull në diplomë studimet e kryera në të dyja fushat.
Shtete të shumta evropiane aplikojnë tashmë sistemin e diplomave me tituj të shumëfishtë, çka u jep mundësi studentëve që të kualifikohen në drejtime të ndryshme duke siguruar kështu më shumë alternativa të përfshirjes në tregun e punës. Ndërkohë që kjo reformë do të shoqërohet me ndryshime rrënjësore edhe në rregulloret mbi bazën e të cilave do të funksionojnë institucionet e arsimit të lartë, qofshin këto të sektorit publik apo privat.
Drafti do të diskutohet gjerësisht midis eksperteve të fushës përpara se të hyjë në fuqi dhe të vihet në zbatim. Skema e financimit të arsimit të lartë publik dhe privat me fondet e shtetit është një ndër pjesët më të përfolura që përmban kjo strategji. Drejtuesit e institucioneve të arsimit të lartë publik kanë shprehur rezervat e tyre në lidhje me modelin e ri të financimit të universiteteve, pasi vë në kushte të pabarabarta konkurrimi për fonde strukturat publike dhe ato private.
Sipas drejtuesve të universiteteve publike, më parë duhet të bëhet procesi i akreditimit të universiteteve, e veçanërisht vlerësimi i cilësisë në arsimin e lartë privat, i cili shpeshherë është vënë në pikëpyetje. Krerët e universiteteve publike konstatojnë se “vetëm pasi të jetë bërë një vlerësim i tillë, si dhe të jenë rregulluar problemet me mangësitë në infrastrukturën dhe kapacitetet që ka arsimi i lartë publik, mund të nisë zbatimi i skemës së re”.
Megjithatë, sipas përcaktimeve të bëra nga Ministria e Arsimit, në draftin e ri të detajuar nënvizohet fakti se në skemë do të përfshihen të gjitha institucionet e arsimit të lartë privat që do të kalojnë në statusin jofitimprurës. Pikë e cila shihet me dyshim, pasi në të vërtetë misioni i këtyre institucioneve deri më sot ka qenë qëllimi i përfitimit, çka shpeshherë ka shkuar edhe në dëmtim të cilësisë.
