Letër e nënshkruar,
Ferdi Mimani
I nderuar zoti Thano! Ju përcjell urimet për gazetën tuaj Dita, por edhe e jona, një gazetë prestigjioze dhe serioze. Unë jam një lexues i përditshëm, që për moshën që kam ndjej një kënaqësi të pashpjegueshme për ata që e nderojnë atë dhe veten e tyre, siç janë Arben Duka, Andrea Stefani, Bedri Islami, Moikom Zeqo, Viktor Malaj e shumë talente të shquara të Shqipërisë tonë të shtrenjtë.
Po ju shqetësoj me një letër që po ua përcjell juve. Një vit e ca më parë ministrin e Punëve të Brendshme e urova me gjithë shpirt për fitoren e arritur në Lazarat. Sot, pas një viti e ca, me keqardhje e them se ndjehem i pakënaqur kur shoh se kjo sëmundje e papranueshme u përhap në gjithë Atdheun tonë të shtrenjtë. Kjo na turpëron dhe hidhëron pa masë, por njëkohësisht kënaq pa masë Saliun e pafalshëm, Lulin e kriminalizuar e shumë e shumë të tjerë në Shqipëri e në botë.
Do ju lutesha që këtë letër, po e patë të arsyeshme, ta botonit. Jo për t’ju mërzitur, por për të sqaruar sadopak punën e sjelljen time, po ju dërgoj disa letra dhënë në kohën e punës. Ju kërkoj ndjesë për shqetësimin, por ndjehem i turpëruar kur dëgjoj Saliun që e kam njohur prej vitesh dhe Lulin që bën sikur nuk e kupton se në ç’pozicion ndodhet me veprimet e turpshme e të dënueshme, që falë “drejtësisë”, është qytetar i pacipë.
