Treguesit fiskalë të muajit shkurt dëshmojnë jo vetëm për një rritje të ndjeshme të shpenzimeve krahasur me muajin janar, por dhe me vëtë pritshmëritë e buxhetit të hartuar në fillim të vitit për këtë muaj. Kështu edhe pse të ardhurat në buxhetin e shtetit gjatë muajit shkurt janë më të larta se planifikimi në fillim të vitit, përsëri deficit rezulton në rritje. Nga të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave, gjatë muajit shkurt të ardhurat në buxhet llogariten në vlerën 49.6 miliardë lekë, ndërkohë që ishin planifikuar 23.2 miliardë lekë. Po nga këto të dhëna vëmë, re se janë dyfishuar shpenzimet korrente gjatë kësaj periudhe, ku ishin planifikuar 25.9 miliardë lekë, ndërkohë që janë shpenzuar 50 miliardë lekë. Kjo vërtetohet edhe me faktin se në të gjithë vendin janë hapur projekte të reja, si dhe janë bërë pagesa për të mbyllur punimet në objektet e nisura një vit më parë. Gjithashtu, vërehet edhe një rritje e interesave të borxhit publik, nga 4.4 miliardë që ishte planifikuar, janë paguar 7.9 miliardë lekë gjatë kësaj periudhe. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, shpenzimet arritën në vlerën 57 miliardë lekë, gjë që solli një deficit buxhetor në mbi 7.4 miliardë lekë. Por nëse marrim krahasimin e muajit janar, si niveli i të ardhurave ashtu dhe ai i shpenzimeve ishte i tkurrrur për shkak të hapjes më vonesë të thesarit të shtetit. Kujtojmë këtu që punonjësit buxhetorë mundën të marrin pagesat e tyre të dhjetorit të vitit të kaluar, në mes të muajit janar dhe kjo shkaktoi jo pak probleme në financat e shtetit shqiptar, duke dëshmuar vështirësinë e likujditetit në buxhet. Ndërkohë rritja e shpenzimeve në muajin shkurt tej parashikimeve vjen dhe si fakt i afrimit gjithnjë e më afër të zgjedhjeve, të domosdoshmërisë së likujditetit të biznesit që mbeti i papaguar në muajin janar për punët publike, për rritje fondesh në prag fushate, duke cuar në mënyrë automatike jo vetëm në rritje shpenzimesh, por dhe në rritje të deficitit buxhetor tej normave të parashikuara. Në programimin vjetor të buxhetit të ardhurat janë llogaritur të jenë në vlerën 360.6 miliardë lekë, shpenzimet në 409.5 miliardë lekë dhe deficiti në vlerën 48.9 miliardë lekë, ndërkohë që treguesit fiskalë vetëm të muajit shkurt flasim për një rritje të kosniderueshmë të deficitit, duke rriskuar në këtë mënyrë ndjeshëm pritshmëritë e muajve të tjerë të vitit, kur tashmë dihet që jemi në një vit zgjedhor dhe “thesi” qeveritar do të jetë më i shpuar se zakonisht.
Treguesit fiskalë 2013
Janar Shkurt
Totati i të ardhurave 27,684 49,664
Totali i shpenzimeve 27,884 57,081
Deficiti -200 -7,417
Kredidhënia, biznesi tkurret në investime
Një nga treguesit kryesor të investimeve të biznesit është fuqia e tij kredimarrëse. Nëse mbërrin të marrë kredi, do të thotë që shkon në zgjerim aktiviteti, ose në rastin më të keq në mbajtjen e atij që kanë. Por treguesit bankar dëshmojnë një fakt. Ka një rënie të kërkesës për kredi në sektorin e investimeve. Përfaqësues të bankave të nivelit të dytë shprehen se kërkesa kryesore e biznesve për të marrë kredi, është për likujditetit, pra jo për zgjerim të aktivitetit. Sfida për ekonominë e një vendi është nxitja e investimeve, çka do të gjeneronte rritje ekonomike, por, kjo shkon përtej misionit dhe mundësive të bankave. Nga ana e tyre, bankat kanë më shumë eksperiencë dhe kanë nxjerrë mësimet e tyre nga kriza, çka pasqyrohet në kërkesa më rigoroze për të dhënë kredi. Ajo konstaton se biznesi sot është edhe më i papërgatitur në planet e veta të investimet. Nga ana tjetër drejtuesit e bankave shprehen se ulja e normës bazë të interesit do të transmetohet në çmimet e kredisë, por më parë duhet tejkaluar penegsa më kryesore, që është mungesa e standardeve në planet e investimit që do t’ju lejonin bankave të vlerësonin më mirë rrezikun. Kredia e re për investime dhënë nga sistemi bankar në vitin 2012 ra me rreth 21% krahasuar me vitin paraardhës. Dobësia e kërkesës së brendshme ka rritur kapacitete e pashfrytëzuara prodhuese të sipërmarrjeve. Vrojtimet e biznesit kanë treguar se në shumicën e sektorëve të ekonomisë bizneset veprojnë poshtë potencialeve të tyre, çka natyrisht që jep më pak nxitje për të investuar në kapacitete të reja.
Qeveria kërkon investitorë të huaj
Marrëdhëniet ekonomike mes Izraelit dhe Shqipërisë do të thellohen edhe më tej duke nxitur investimet e ndërsjellta mes dy vendeve. Në ceremoninë e hapjes së Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Shqipëri-Izrael, kryeministri Sali Berisha theksoi se do të firmosen të gjitha marrëveshjet, që bizneset e të dy vendeve të kenë garanci në investimet e tyre. Sipas Berishës, Shqipëria ofron potenciale të shumta në turizëm, energji, teknologji, agrobiznes dhe mirëpret investimet e kompanive izraelite. Ndërsa, ambasadori i Izraelit në Tiranë, David Cohen, nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit me bizneset shqiptare, si dhe bëri të ditur interesin e lartë që kanë investitorët izraelitë për tregun e vendit tonë. “Ne jemi të interesuar për të kooperuar në agrikulturë, shkencë, teknologji, infrastrukturë dhe për të pasur më shumë marrëveshje bashkëpunimi me ministritë. Do të promovojmë një klimë atraktive për të dy vendet me qëllim nxitjen e investimeve të ndërsjellta. Bizneset izraletile aktualisht janë prezent në shumë fusha, si energji, agrikulturë, teknologji, energji. Por bashkë do të punojmë për të tërhequr më shumë investimet izraelite dhe për të zgjeruar sferën e bashkëpunimit”, tha Cohen. Por frika më ë madhe e investitorëve izrealitë në këtë moment është situata politike si dhe taksimi i dyfishtë. Kjo e bën të vështirë ardhjen e tyre në Shqipëri dhe për këtë kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur të hiqet ky taksim i padrejtë dhe burime jo zyrtare pohojnë se kjo është majde një ndër kërkesat kryesore të ambasadorit izrealit në vendin tonë. Aktualisht, në Shqipëri operojnë rreth 40 kompani të mëdha izraelite. Qëllimi i themelimit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Izrael është thellimi i marrëdhënieve në fusha ku biznesi paraqet interes, nxitja e investimeve, mbledhja dhe shpërndarja e informacioneve mes dy vendeve, si dhe shkëmbimi i eksperiencave.
