Disa organizata amerikane kanë publikuar një raport për përdorimin e antibiotikëve në mishin e lopës dhe pulës që shërbehet në rrjetet e mëdha të ushqimit të shpejtë (fast food) në vend. Dokumenti i titulluar “Chain reaction” (reaksion zinxhir) analizon të dhënat për 25 restorante, ku pjesa më e madhe e tyre merr vlerësime negative
Vetëm 2 nga 25 kompanitë, Panera dhe Chipotle, morën rezultatin më të lartë. Chick-fil-A, McDonald’s dhe Dunkin Donuts gjithashtu kaluan provën. Mes rrjeteve që u regjistrua përdorim alarmant i antibiotikëve figurojnë Starbucks, Papa John’s, KFC, Subway, Burger King apo Pizza Hut.
Ekspertët besojnë se rezistenca ndaj antibiotikëve është një nga pesë kërcënimet më të mëdha shëndetësore në SHBA. Çdo vit më shumë se 2 milionë njerëz në vit vuajnë nga infeksione që i rezistojnë antibiotikëve dhe të paktën 23 mijë njerëz vdesin prej tyre. “Përdorimi i gjerë i antibiotikëve në industrinë e mishit është një faktor i rëndësishëm për zhvillimin e superbaktereve rezistence ndaj medikamenteve”, pohon doktor David Wallinga, nga Këshilli i Mbrojtjes së Burimeve Natyrore (NRDC), një nga organizatat që mori pjesë në redaktimin e dokumentit.
Raporti nxit të gjitha rrjetet e restoranteve të marrin masa për reduktimin e përdorimit të antibiotikëve në mishin që shërbejnë dhe të marrin përgjegjësinë se po kontribuojnë në rritjen e rezistencës ndaj antibiotikëve. /DITA
