Kreu i PS, Edi Rama, thotë se pas zgjedhjeve të qershorit, qeveria socialiste do ta konsiderojë biznesin si partner dhe kjo do ta ndihmojë vendin të dalë nga kriza. Në një takim me përfaqësues të biznesit, sot paradite, Rama tha se qeveria socialiste do të heqë barrën e taksës së sheshtë dhe referencat aktuale në dogana. Rama tha se këto dy taksa janë kthyer në një mjet abuzimi për pushtetin, i cili e sheh qytetarin dhe biznesin si një lopë për t’u mjelë.
“Një qeveri që e konsideron biznesin si një lopë për ta mjelë shkon tej interesave të vendit. Vetëm një qeveri që e konsideron biznesin partner dhe ka detyrime të përbashkëta dhe reciprocitetit, një qeveri e tillë mund të nxjerrë vendin nga kriza. Deri në fund të vitit 2013 ne do ulemi sërish dhe do diskutojmë mbi një parim që unë dua ta ndaj me ju, se atdheu është sfida jonë i përbashkët”, tha Rama.
“Ne kemi bërë të qartë se nuk e pranojnë sistemin aktual të taksimit. Për ne, taksa e sheshtë kështu siç është konvertuar përbën një parimësi që nuk përputhet me vizionin dhe vlerat tonë, ndërkohë që progresiviteti përbën një vlerë të pazëvendësueshme. Ne do ta ndryshojmë sistemin e taksimit duke e hequr barrën e taksës së sheshtë nga të ardhurat personale. Kush fiton më pak do paguajë më pak, kush fiton më shumë, do fitojë më shumë. Gjëja e parë në krye të punëve ku ne besojmë se do jemi pas 23 qershorit do të jetë çlirimi i biznesit nga gjithë këto zinxhirë, hallka, mekanizma mbytës që e kanë sjellë ekonominë shqiptare në këtë derexhe. Do të mbështesim sektorët prodhues, që nxisin punësimin, sektorët e eksplorimit të naftës, të bujqësisë etj. Pra që nxisin ciklet e plota të prodhimit”, tha Rama. Sipas kryesocialistit, menjëherë pas ardhjes në pushtet, PS do të rishikojë të gjitha koncesionet.
“Do të zhbëjmë çdo koncesion që nuk është në përputhje me ligjin dhe pro, interesave kombëtare. Do të rishikojmë shitjen e HEC-eve për një copë bukë; do t’i heqim të gjitha referencat aktuale në dogana”, tha Rama.
