Në “best seller”-in e Artur Koestler gjithmonë më ka bërë përshtypje një nga sekuencat ku zhvillohet një dialog i shurdhër midis dy personazheve.
Rip Van Vimble, që pasi u bë vegël e sistemit dhe dënoi Rubaçovin (heroin kryesor të romanit), ra si për ironi të fatit, viktimë e sistemit, të cilit i shërbeu me aq zell. Dialogu në fjalë zhvillohet në një stacion treni ku dy personazhet gjenden të kryqëzuar në hekurudhë, në dy trena që degdisnin në internim të ashtuquajturit armiq të sistemit. Rubaçovi shikon i çuditur në trenin përballë Vimblen që dukej sikur kishte humbur logjikën dhe që në vetvete mbante si mjaft tregues zhgënjimin e epokës.
Me atë vështrim pa jetë i drejtohet Rubaçovit:
– Nuk është faji im – i thotë ai me zë të ulët. Më vendosën në trenin e gabuar.
– Si kështu? – pyeti Rubaçovi.
Rip Van Vimble i buzëqeshi me pamjen e tij të lëshuar dhe të trishtueshme.
– Kur më nisën, ngatërruan stacionin e trenit – tha ai – dhe kujtuan se nuk e kisha pikasur. Pas një çasti heshtje shtoi:
– Por ju mos i thoni askujt që unë e di.
Me sytë e përhumbur, përpara se trenat të niseshin në destinacionin e tyre, ai shtoi si nëpër dhëmbë:
– Politika është si matematika ku, në rast se nuk bëjmë kujdes, një plus një bëjnë tre.
Duket sikur ky dialog i shurdhët zvarritet dhe vjen deri në ditët tona, në shoqërinë e sotme shqiptare të 25 vjetëve të demokracisë të saj, ku pjesa jonë më e madhe, si e zgjuar nga kjo “entrancë demokratike” gjendet në momentin kur i bën pafundësisht pyetje vetes.
Deheroizimi i shoqërisë
Maskat bien, njeriu është lakuriq dhe heroi nxirret jashtë kujtesës kolektive.
Shoqëria shqiptare e post-komunizmit në vrullin e saj të egër dhe naiv për të shkatërruar gjithçka të regjimit të vjetër hodhi poshtë bashkë me ujërat, edhe foshnjën.
Mizorisht u harrua në psikikën e thellë të popullit tonë që roli i heroit i shërbeu në shekuj shqiptarit, po ashtu si mitet e lashta të qytetërimit grek ndërtimit të psikikës së civilizimit perëndimor.“Njeriu i ri”, që u rrit brenda periudhës së tranzicionit, në dëshirën e madhe për ndryshim e mohoi heroin, kohët kaluan, befas kuptoi se kishte nevojë për të dhe vendin bosh të tij u mundua ta zëvendësojë me personazhet e kohës të konsumit. Shumëkush nga ne e ka të vështirë të kuptojë p.sh. se si e djathta shqiptare nga tradita që ishim mësuar ta mishëronim nga emra të tillë si Faik Konica, Eqerem Vlora, Mit’hat Frashëri, Eqerem Çabej, Patër Gjergj Fishta, etj., të përfundojë në këtë zallamahi rrumpallë të kësaj morie emrash të rinj që janë bërë kaq vështirë për t’u memorizuar.
Pyes veten çfarë lidhje mund të ketë e djathta e sotme shqiptare me të kaluarën e saj dhe nuk gjej dot asnjë përgjigje!!!
“Ç’do ves kur bëhet i modës kthehet në virtyt”, thoshte Molieri. Modeli i heroit të sotëm, i politikanit hajdut, arrogant, proksenet, i kulturës nepotiste të drejtimit të shtetit përgjatë gjithë këtyre viteve të fundit e simbolizon më së miri këtë logjikë. Kush e solli këtë modë: koha? Vullneti i çoroditur i disa individëve apo të dyja bashkë?! Nuk jap dot përgjigje por, ajo çfarë unë di është se kjo nuk erdhi nga dëshira e mbarë popullore, por u imponua si një e keqe që po bëhet çdo ditë e më e vështirë për t’u shkulur.
Dhe ndërkohë, jeta, fatkeqësitë, izolimi, braktisja, varfëria, janë fusha beteje që kanë heronjtë e tyre të heshtur shpesh herë më të mëdhenj se ”heronjtë me status” të kohës sonë, kryesisht ata parlamentarë që media na i nxjerr përditë përpara syve me gjithë kotësinë, vulgaritetin, marrëzinë, të prekur thellë nga ajo sëmundje e rëndë që ne të gjithë (madje dhe politikanët vetë) e quajmë korrupsion.
Shpesh herë është parë se forcat që e shtyjnë përpara shoqërinë dalin nga skutat më revoltuese të saj.
Dixit ed salvavi anima mea (fola dhe shpëtova shpirtin tim)
Vija e re e demarkacionit: krim dhe ndëshkim
Më kujtohet, në vitet ‘80-të, të shekullit të kaluar, kur isha student, shpesh herë bënim krahasime me vendet e tjera të kampit socialist si Polonia, Hungaria apo Çekosllovakia e asaj kohe. Dhe gjithmonë na dukej se atje linja e aplikimit të komunizmi ishte shumë më pak “ortodokse” se në vendin tonë. Ishte predominante ideja që këto vende pikërisht për këtë arsye, sfidat e të ardhmes do t’i gjenin shumë më të përgatitura se ne. Dhe kështu ndodhi në realitet. Populli shqiptar i lodhur dhe mosbesues nga klasa politike e atëhershme gjeti vetë atë rrugë zgjidhje që u konkretizua nga fillimi i viteve ‘90-të nga ai emigracion masiv, në fillim përmes ambasadave, anijeve dhe më vonë përmes rrugëve të ndryshme. Ai asnjëherë nuk e akuzoi klasën e tij politike, asnjëherë nuk ja faturoi asaj mundimet e tij por u mundua ta justifikojë atë për pjesën më të madhe të kohës. Ai harroi për shumë kohë që klasa e re politike ishte ajo e përzgjedhura prej tij dhe duke e mos e përgjegjësuar u tjetërsua në një monstër ku shtyrë nga papërgjegjësia historike filloi të mbysë krijuesin e saj.
Por le të mos largohemi nga analogjia e viteve ‘80-të.
Ajo që në ato vite dukej si rruga më liberale e ndërtimit të komunizmit ishte modeli i komunizmit jugosllav. Në shumë pikëpamje ai kishte ndërtuar kufij të gjerë të lirisë në raport me të gjitha vendet e tjera të bllokut socialist. Struktura e tij e asaj kohe ishte shumë herë më e avancuar se dhe ajo e shumë vendeve të tjera nga më avant-garde socialiste. Në vitin ‘90 ndodhesha në Zvicër dhe isha thuajse i mahnitur nga lehtësitë që kishte qytetari jugosllav i asaj periudhe për lëvizje të lirë në vendet perëndimore, për lehtësirat e ndryshme në lidhje me akreditimin e të drejtës së punës, shpesh herë kjo jo vetëm në sektorin manual. Shumë mjekë të asaj kohe që punonin në spitalet e Zyrihut apo Gjenevës kishin mbaruar Universitetin e Zagrebit, dega mjekësi dhe punësoheshin me statusin e plotë të mjekut, apo shembulli i patentës së shoferit për qytetarët jugosllavë që në Zvicër ishte i barazvlefshëm me atë të Francës, Gjermanisë, Italisë etj. Të drejta këto që si rrjedhojë e klasës së saj politike ky vend i humbi pas shpërbërjes.
Në politikën perëndimore të atyre viteve vija e demarkacionit ishte pikërisht drejtimi që klasa politike e vendeve ish-socialiste kishte krijuar në lidhje me ndërtimin struktural të asaj që ishim mësuar ta quanim shoqëri komuniste. Njësoj si atëherë që gjendeshim në fund të radhitjes për arsye të drejtimit politik dhe klasës politike në drejtim, po ashtu dhe sot rrezikojmë të humbasim takimin me të ardhmen për të njëjtën arsye.
Për shumë prej nesh nuk do të mjaftonte qoftë dhe dëshira e mirë e ndonjë kryeministri perëndimor apo qëllimet gjeo-strategjike të BE-së që Shqipëria të integrohet.
Si mund të kërkojë shoqëria jonë të shkojë drejt integrimit me vendet e BE-së, në rast se ajo është e paaftë të analizojë dhe dënojë ‘97-n, Gërdecin, 21 janarin apo gjithë kësaj tërësie vjedhjesh, dhunimesh, vrasjesh dhe në foltoren e kuvendit përveç fyerjesh dhe sharjesh nga më të ndyrat nuk dëgjohet asgjë tjetër, ku idetë zëvendësohen nga fraza boshe dhe ku drejtimet e pritura nga qytetari shqiptar kanë degraduar në llafazanëri kafenesh. Si mund të pretendohet të bëhen hapa vendimtare drejt saj me këtë gjendje të mjerueshme të arsimit dhe shkollës shqiptare, shëndetësisë dhe sistemit të saj herë-herë shumë pranë krimit apo këtij sistemi drejtësie fare të paaftë përballë klasës politike ku ka kaq shumë krime dhe kaq pak të dënuar. Latinët (Seneka) thonin se kush nuk njeh historinë rrezikon ta përsërisë, por ka harruar të shtojë që kjo përsëritje ndodh në pjesën më të hidhur të saj. Sa do dëshironim që këta kriminelë që akuzojnë njëri – tjetrin në foltoren e kuvendit të dilnin njëherë përpara bankave të drejtësisë. Nuk janë shumë, ndoshta më pak se 300 por edhe më shumë të jenë. Le ta provojmë njëherë të përmbyset qielli me tokën dhe drejtësia të kryhet.
Duam të integrohemi drejt shoqërisë perëndimore dhe nuk duam të pranojmë shtyllat e saj kryesore që janë Krimi dhe Ndëshkimi. Thuhet shpesh që edhe andej ka korrupsion. Pas një eksperience 25-vjeçare mund të them që: JO! Nuk kam parë ndonjë polic në rrugët e Francës, Gjermanisë, Austrisë etj., të fusë paratë në xhepin e tij, ose ndonjë profesor të kërkojë bakshish për të dhënë notë apo diplomë false apo mjekun, zyrtarin etj., për të kryer çfarëdolloj shërbimi kundrejt shumash të parave të paligjshme.
Shoqëritë demokratike tregojnë qartë se kanë guximin të ndëshkojnë cilindo që beson të jetë përmbi ligjin, qoftë ky edhe figurë nga më qendroret, ministër, kryeministër apo president. A do të arrijë një ditë vallë shoqëria shqiptare të ketë kurajën civile të nxjerrë forca që do t’i japin energjinë e duhur për të realizuar këtë hap kaq jetik të saj.
Sërishmi më vjen ai dialog i shurdhët i dy personazheve të romanit “Zero dhe infinit”…
– Kur më nisën, ngatërruan stacionin e trenit – tha ai – dhe kujtuan se nuk e kisha pikasur. Pas një çasti heshtjeje shtoi:
– Por ju mos i thoni askujt që unë e di.
Me sytë e përhumbur, përpara se trenat të niseshin në destinacionin e tyre ai shtoi si nëpër dhëmbë:
– Politika është si matematika ku, në rast se nuk bëjmë kujdes, një plus një bëjnë tre.
Dhe dua të shpresoj që për shumë arsye kësaj here të ndahemi nga ky “mallkim” që të gjendemi në trenin e gabuar. Kësaj here duhet të guxojmë t’i çjerrim “qiejt e paprekshëm” të Andrea Stefanit dhe t’i ulim perënditë e mbrapshta nga ky Olimp i pamerituar i tyre.
Në ditët e sotme…
Shihet qartë se përpjekjet e qeverisë të zotit Rama shkojnë gjithmonë e më shumë drejt largimit të kësaj mendësie kriminale të drejtimit të trashëguar nga kjo e kaluar e 25 vjetëve. Megjithëse e ndrojtur, në hapat e saj të para është e vetmja përpjekje e bërë ndonjëherë nga faktori politik në Shqipërinë e këtyre viteve. A do të mjaftojë kjo përpjekje për të stabilizuar sadopak shoqërinë tonë? Sfidat janë të mëdha, pikëpyetjet gjithashtu dhe, si gjithmonë në të tilla raste koha do të shërbejë si dëshmitari më i denjë.
Le të shpresojmë!
Disa shohin realitetin dhe pyesin: Përse? Unë ëndërroj për të pamundurën dhe përgjigjem: përse jo?!

Or Sokol Djali, e ke tjerrur kot fare me zero e me infinit, e me matematike ku po te mos kesh kujdes nje plus nje bejne 3, e i ke rene gjate e gjate e e ke kapur veshin e majte me doren e djathte duke e kaluar doren mbrapa prapanices.
Kishe shkruar vetem paragrafin e fundit dhe e kishe nxjerre kollen. Edi Rames do t’i behej qejfi me mire keshtu, se ka rrezike, qe po e lexoi c’ke shkruar te mos kete durim te shkoje deri ne fund e pastaj te zemerohet me ty se nuk do te kuptoje qe po i lepije fundkurrizin.
o shoku shahist, kur te dalesh per koment publik, meso te shkruash se pari. Se dyti Cv-ja jote me duket shume e varfer per te dhene opinione. Kjo “lepirja e fundshpines”, cuditerisht thene me shume edukate nga ti, quhet ndryshe projeksion. Besoj qe nuk e kupton por, po ta shtjelloj…ai qe eshte mesuar te lepije fundshpina, pretendon qe e bejne te gjithe. Edhe “duke e kaluar doren mbrapa prapanices”, gjithashtu quhet projeksion sepse eshte zanati yt te lepish e te kruash fundshpina. Mos kruaj dhe lepij shume se u lodhe more i shkrete. Te ishe aq i zoti kishe nje rubrike edhe ti…shko pi raki dhe luaj tavell se shahun e luajne njerezit me klas…
Besoj dhe shpresoj shume se Kombi shqipetar sote eshte ne trenin e duhur ….rruga eshte e gjate e lodheshme sigurisht …por eshte e duhura